Këta janë deputetët që e “shpenzuan” buxhetin në udhëtime zyrtare
172 mijë e 616 euro i kanë kushtuar buxhetit të shtetit udhëtimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Listës së shpenzimeve i prin deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj i cili nga janari deri në qershor të këtij viti ka realizuar 10 udhëtime në vlerën e 6 mijë e 632 eurove.
Në platformën “Vota Ime”, të publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), e dyta renditet deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra me 9 udhëtime në vlerë të 5 mijë e 266 eurove, raporton Zëri.Info.
Në këto shpenzime nuk ka munguar as deputeti i Partisë Turke (KDTP), Fikrim Damka me 7 udhëtime në shumë të 2 mijë e 472 eurove. Numër të njëjtë udhëtimeve ka realizuar edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli në shumë të 2 mijë e 984 eurosh.
Udhëtime të njëjta ka realizuar edhe deputetja Aida Dërguti në vlerë të 6 mijë e 330 eurosh. Pas tij, është listuar nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti udhëtimet e të cilit i kanë kushtuar buxhetit 5 mijë e 550 euro.
LEXO EDHE: Shpenzimet për vendime gjyqësore rriten për 20 milionë €
Deputetja Mufera Sinik nga Partia Demokratike Turke e Kosovës ka udhëtuar 6 herë jashtë vendit, udhëtimet e së cilës i kanë kushtuar buxhetit 3 mijë e 707 euro.
Në listën e shpenzimeve nuk kanë munguar as deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Vjosa-Osmani-Sadriu nga kjo parti ka realizuar 5 udhëtime në vlerë të 3 mijë e 258 eurosh, ndërsa e fundit në listë është deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërnë e Kosovës Teuta Haxhiu e cila ka udhëtuar 5 herë jashtë vendit dhe ka shpenzuar 970 euro..
Në bazë të raportit të (KDI)-së nga 120 deputetë 78 kanë realizuar udhëtime jashtë vendit, ndërsa 42 për gjatë kësaj periudhe janar-qershor nuk kanë udhëtuar asnjëherë. //ZERI