Shpenzimet për vendime gjyqësore rriten për 20 milionë €

Ekonomia November 05, 2018 - 08:13
Lajmet e fundit nga vendi
Image

Gjatë nëntëmujorit të parë të këtij viti shpenzimet për vendime gjyqësore në kategorinë buxhetore të “Investimeve kapitale” janë rritur për 16075% në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Po ashtu shpenzimet prej 1613% në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017 janë rritur edhe në kategorinë buxhetore për “Mallra dhe shërbime” e për 939% janë rritur shpenzimet për vendime gjyqësore në kategorinë buxhetore të identifikuar në raportin nëntëmujor të Ministrisë së Financave si “Shpenzime komunale”, shkruan sot gazeta "Zëri".
 
Mbi 15.1 milionë euro janë shpenzuar gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti vetëm për pagesa të vendimeve gjyqësore për kontestet mes institucioneve dhe kompanive private gjatë realizimit të projekteve të ndryshme kapitale në vend. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave (MF), të shpalosura në raportin nëntëmujor të buxhetit, shihet se për këtë qëllim shpenzimet u rritën për 16075% duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

LEXO EDHE: Protestat, arma e fundit e opozitës kundër prekjes së kufijve

Po ashtu edhe mbi 4.5 milionë tjera janë shpenzuar gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti vetëm për pagesa të vendimeve gjyqësore në kategorinë buxhetore për “Mallra dhe shërbime” e ku në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak ka një rritje prej hiç më pak se 1613%. Në raportin nëntëmujor të buxhetit thuhet se sivjet për këtë qëllim institucionet shpenzuan për nëntë muaj hiç më pak se 4 milionë e 530 mijë euro, derisa gjatë nëntëmujorit të vitit paraprak u shpenzuan vetëm 260 mijë euro.

Po ashtu rritje prej 939% të pagesave për vendime gjyqësore ka edhe në kategorinë buxhetore për “Shpenzime komunale”. Duke marrë në total, shuma që institucionet e shtetit  gjatë nënëmujorit të parë të këtij viti kanë paguar për shpenzime gjyqësore është hiç më pak se 20 milionë euro. Gjatë kësaj periudhe kohore institucionet kanë rritur dukshëm shpenzimet edhe për kategori tjera buxhetore.

Për shpenzime të udhëtimit për nëntë muajt e parë të këtij viti u shpenzuan 8.73 milionë euro, derisa në periudhën e njëjtë të vitit që lamë pas u shpenzuan 6.95 milionë euro e ku kemi një rritje të shpenzimeve prej 26  për qind. Po ashtu shpenzimet janë rritur edhe për kategorinë buxhetore për blerje të derivateve dhe të lëndëve djegëse.

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave shihet se sivjet për nëntë muajt e parë të këtij viti për këtë qëllim u shpenzuan 12.98 milionë euro e derisa në periudhën e njëjtë të një vitit me herët për derivate dhe për lëndë djegëse institucionet shpenzuan 11.96 milionë euro e ku vërehet një rritje e shpenzimeve prej 9%.


Shpenzimet e telekomunikimit rriten për 41% 
Gjatë nëntëmujorit të parë të këtij viti institucionet që financohen nga buxheti i shtetit po ashtu kanë rritur dukshëm edhe shpenzimet për shërbime telekomunikuese. Për nëntë muajt e parë të këtij viti për këtë qëllim u shpenzuan 4.49 milionë euro derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak u shpenzuan 3.9 milionë euro dhe ku kemi një rritje të dukshme prej 41 për qind.

Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave shihet se në kategorinë buxhetore të identifikuar në raport nëntëmujori të buxhetit si “Shpenzimet për shërbime” për nëntë muaj janë shpenzuar 38.09 milionë euro, derisa në periudhën e njëjtë të vitit që lamë pas nga kjo kategori buxhetore janë shpenzuar 32,8 milionë euro e ku kemi një rritje prej hiç më pak se 16%. Po ashtu rritje të shpenzimeve prej 66% kemi edhe në kategorinë buxhetore “Blerje e mobileve dhe e pajisjeve” më pak se 1000 euro

. Për këtë qëllim gjatë 9 muajve të parë të këtij viti janë shpenzuar 3.86 milionë euro, derisa gjatë nëntëmujorit të parë të vitit paraprak janë shpenzuar 2.33 milionë euro


Shpenzimet për qira rriten për 30%
Gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti po ashtu janë rritur dukshëm edhe shpenzimet për pagesë të qirave të objekteve private në të cilat janë të vendosura institucionet publike, ndonëse në vazhdimësi ishte zotuar se do të zvogëlohen shpenzimet për këtë qëllim. Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, shihet se gjatë nëntëmujorit të parë të këtij viti për pagesa të qirasë janë shpenzuar 7.05 milionë euro, gjatë periudhës së njëjtë të vitit paraprak janë shpenzuar 5.43 milionë euro e ku shihet një rritje e madhe prej 30%. 

Shpenzimet për 12 për qind janë rritur edhe në kategorinë buxhetore të identifikuar në raport si “Mirëmbajtje”, ku për nëntë muajt e parë të vitit 2018 për këtë qëllim u shpenzuan 19.45 milionë euro, derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak u shpenzuan 17.32 milionë euro, ndërsa në nëntëmujorin e parë të vitit 2016 u shpenzuan 16.63 milionë euro.


Bien shpenzimet për ndërtim të rrugëve 
Por derisa në vazhdimësi kemi rritje të shpenzimeve për mallra dhe shërbime, në anën tjetër shihet se shpenzimet për investime kapitale kanë rënë, ndonëse është dashur të ndodhë e kundërta. Për nëntë muajt e parë të këtij viti për  ndërtim të rrugëve janë shpenzuar 207 milionë euro e derisa gjatë nëntëmujorit të parë të vitit që lamë pas ishin shpenzuar 210 milionë euro.

Po ashtu rënie të shpenzimeve prej 32 për qind kemi edhe në kategorinë buxhetore të identifikuar në raport  si “Toka e shpronësimeve”. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, për këtë qëllim sivjet u shpenzuan 4.99 milionë euro e derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak u shpenzuan 7.35 milionë euro. /ZERI