Biznesmeni Destani propozon themelimin e odës së diasporës
Lazim Destani, president nderi i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, si dhe njëherësh president i kompanisë “Ecolog”, ka propozuar që të formohet një odë e diasporës në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Sipas tij, kjo odë do të ishte urë lidhëse mes diasporës dhe shteteve të tyre, por edhe për t’i nxitur investimet e huaja, shkruan sot gazeta "Zëri".
Pronarë të bizneseve shqiptare në shtete të ndryshme të botës kanë ardhur në Prishtinë për të marrë pjesë në konferencën “Java me bizneset e diasporës”, e cila është organizuar nga Ministria e Diasporës, si dhe nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, e cila operon në vendin tonë.
Në ceremoninë e hapjes së konferencës i pranishëm aty ka qenë edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili ka përshëndetur biznesmenët e pranishëm në konferencë. Mirëpo gjatë fjalimit ai më shumë ka folur rreth idesë së tij për korrigjimin e kufijve të Kosovës, si dhe rreth mundësisë së formimit të Asociacionit të Komunave Serbe në vend, të cilin ai e ka cilësuar shumë të rrezikshëm.
Po ashtu edhe ministri për Diasporë në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, Pandeli Majko, ka kërkuar që të këtë tolerancë për mënyrën sesi zhvillohen proceset në vendet shqiptare. Ai ka inkurajuar bizneset të vazhdojnë edhe më tutje për të arritur sa më shumë suksese.
“Uroj që të takohemi në Tiranë, në Shkup e në Podgoricë. Ka shumë punë për të bërë. Kosova është në brezin e parë politik. Kërkoj në mënyrë vëllazërore tolerancë për mënyrën sesi zhvillohen gjërat në Kosovë dhe në Shqipëri. Uroj që punimet e kësaj jave të jenë të suksesshme. Kufiri me Shqipërinë nuk do të korrigjohet, por do të hapet”, ka thënë ministri Majko para qindra biznesmenëve të pranishëm në konferencë.
Biznesmenët e pranishëm aty i ka përshëndetur edhe drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare Nora Hasani si bashkëorganizatore e kësaj konference. Ajo ka kërkuar përkrahjen e afaristëve sa u përket investimeve në Kosovë.
Qeveritë të caktojnë njerëz që e kuptojnë anën e biznesit
Po ashtu edhe Lazim Destani, president nderi i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare dhe njëherësh president i kompanisë “Ecolog”, ka thënë se duhet të fitohet besimi i diasporës rreth vlefshmërisë për të investuar në trojet shqiptare. Sipas filantropit Destani, të flasësh për diasporën është shumë.
“Unë e kisha ndarë në tri gjenerata diasporën. E para dhe e dyta kemi qenë me shumë emocione për vendlindjen, qoftë para ose pas luftës. Gjenerata e tretë sheh më ndryshe, janë rritur dhe shkollohen në universitete gjigante të botës, e shohin ndryshe. Kisha kërkuar nga qeveritë tona të mendojnë pak më shumë, të caktojnë njerëz që e kuptojnë anën e biznesit dhe të ekonomisë sa më mirë që të fitohet një besim më i madh i biznesmenëve të diasporës”, ka thënë ai.
Destani ka propozuar që të formohet një odë e diasporës në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni dhe në Mal të Zi dhe të jetë njëjtë në secilin vend. Sipas tij, kjo odë do të ishte urë lidhëse mes diasporës dhe shteteve të tyre, por edhe për t’i nxitur investimet e huaja.
Limaj fton diasporën të investojë në Kosovë
Po ashtu në hapjen e “Javës me bizneset e diasporës shqiptare” ministri i Diasporës, Dardan Gashi, ka kërkuar që të rritet edhe me shumë bashkëpunimi mes diasporës dhe Kosovës.
“Pas pavarësimit kemi menduar që investimet e huaja do të jenë motor i zhvillimit, por tash jeni ju diasporë. Qëllimi i këtij takimi sot është se si të përmirësohet ky bashkëpunim. Ju ftojmë të merrni pjesë në procesin e privatizimit. Lobimi juaj te ne të jetë më i fortë dhe më konkret. Nëse ne si institucione marrim detyrat tona që investimet të jenë të sigurta nuk e kemi kryer punën tonë”, ka thënë ai para të pranishmëve. Po ashtu edhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka ftuar diasporën shqiptare të investojë në Kosovë, pasi sipas tij në këtë mënyrë zhvillon vendin, por përfiton ekonomikisht edhe vetë. Zëvendëskryeministri Limaj ka thënë para biznesmenëve të fuqishëm shqiptarë që operojnë në shtete të ndryshme të botës se vetëm të bashkuar mund të arrijnë edhe më shumë suksese.
“Kosova e ka një sfidë të madhe para vetes. Si qeveri kërkojmë ndihmën tuaj profesionale njerëzore, përvojën tuaj, bashkëpunimin për ta dhënë këtu në Kosovë. S’po kërkojmë ndihmat që na keni dhënë dikur, sot po kërkojmë që të vini dhe të punoni në Kosovë”, ka thënë ai.
Më tutje ai u shpreh se Kosova ka shumë nevojë për diasporën. Ai ka thënë se zvarritja e punëve në Kosovë dhe procedurat burokratike nuk janë të mjaftueshme për t’ia kthyer vendit shpinën. Limaj ka thënë se janë duke punuar që këto probleme t’i zgjidhin.
“Ejani investoni, Kosova ka mundësi të jashtëzakonshme për të zhvilluar vendin, por edhe për të fituar ju vend. Rrugës së bashkëpunimit në Kosovë mund të hasni në problemin e zvarritjes së punëve, që janë ligjet dhe po punojmë. Mund të hasni në burokraci, por këto s’janë të mjaftueshme për t’ia kthyer shpinën vendit”.
“Kosova po zbrazet nga intelektualët, ka rrezik ende të zbrazet. Qindra mjekë shqiptarë punojnë në vende të botës. Qindra ekonomistë punojnë në korporata të botës, që do të na shërbenin shumë me përvojën e tyre për të ndihmuar rimëkëmbjen”.