Operatorët e telefonisë preferojnë shtyrjen e zbatimit të kodit +383

Operatorët e telefonisë preferojnë shtyrjen e zbatimit të kodit +383

Ekonomia tetor 10, 2018 - 09:08
DETAJET

Relacionet e operatorëve të telefonisë mobile në Kosovë, Vala dhe IPKO me operatorët ndërkombëtarë, po shihen si sfidë për fillimin e zbatimit në tërësi të kodit telefonik të Kosovës +383.

Për këto sfida të dy operatorët kanë njoftuar me shkresë zyrtarët në Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKREP).

Sipas ARKEP-it, afati i fundit për hyrjen në funksion në tërësi të kodit shtetëror +383, është 31 tetori i këtij viti.

Kodi shtetëror i është ndarë Kosovës në dhjetor të vitit 2016 ngaUnioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU). Ky kod, ishte produkt i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në kuadër të bisedimeve të Brukselit. Ai ishte paraparë që të nisë së zbatuari më 30 qershor të këtij viti, por ky afat ishte shtyrë për 31 tetor, pas kërkesave të operatorëve të telefonisë mobile dhe fikse Vala dhe IPKO.

Arsim Bilalli zëdhënës në Telekomin e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se me gjithë përpjekjet për një zgjidhje adekuate, zbatimi i kodit nuk varet vetëm nga vullneti dhe resurset teknike të Telekomit, por, këtu janë të përfshira edhe relacionet me partnerët e jashtëm.

“Prandaj, duke marrë parasysh ndërlikueshmërinë e situatës dhe synimet tona në realizimin e implementimit, ku në këtë projekt janë të involvuara edhe investimet efektive në infrastrukturën e Telekomi të Kosovës, tani për tani mbetet i hapur implementimi i plotë i kodit, ku për çfarëdo rezultati përfundimtar, qoftë edhe të improvizuar, do ta njoftojmë Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare”, thuhet në përgjigjen e Telekomit të Kosovës.

Edhe zyrtarë të telefonisë mobile, IPKO, të cilët shfrytëzojnë kodin e Sllovenisë (+386), thonë se kjo kompani ka filluar zbatimin e kodit +383 në prill të këtij viti në të dyja rrjetet, fiks dhe atë mobil.

“Prej asaj kohe konsumatorët e IPKO-s, në rastet e thirrjeve ndërkombëtare dalëse, paraqiten vetëm me kodin e ri shtetëror +383”, thotë Edona Zogu, përgjegjëse për marrëdhëniet me publikun në këtë kompani.

“Mbyllja e kodit të vjetër, mund të ndodhë lehtë më 1 nëntor, por çështja e vetme vazhdon të mbetet me operatorët e vendeve të ndryshme të botës, të cilët ende nuk e kanë hapur rangun për kodin e Kosovës dhe si rrjedhojë, klientët e tyre nuk mund të realizojnë thirrje drejt kodit +383. Në mënyrë që konsumatorët tanë të jenë të qasshëm nga të gjithë, ne kemi kërkuar nga ARKEP-i që të shtyjë afatin e mbylljes së kodit të vjetër, derisa këta operatorë ndërkombëtarë të hapin rangun për kodin e ri shtetëror të Kosovës”, tha Zogu./REL