Qe gjashtë vjet zvarritet ndërtimi i dy shkollave
Foto: Laura Hasani

Qe gjashtë vjet zvarritet ndërtimi i dy shkollave

Ekonomia shtator 21, 2018 - 08:15
Lexoni më shumë detaje
Image

Objekti i ri i gjimnazit “Hamzë Jashari” ka nisur të ndërtohet në vitin 2013, ndërsa projekti 1.8-milionësh ka qenë bashkëfinancim i MASHT-it dhe i Komunës së Skenderajt. Derisa MASHT-i ka paguar pjesën e vet të mjeteve (1.1 milion euro), Komuna e Skenderajt ka ngelur për 700.000 euro. Fat i njëjtë e ka përcjellë edhe shkollën në Qirez, ndërsa shkolla e re në Qubrel pritet të jetë e gatshme në fund të tetorit, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Kanë kaluar 5-6 vjet qëkur kanë filluar të ndërtohen tri objekte shkollore në Komunën e Skenderajt, objekti i ri i gjimnazi “Hamzë Jashari”, objekti i shkollës së re “Dëshmorët e Qyqavices” në Qirez dhe ai i shkollës “Vëllezërit Frashëri” në Qubrel.

LEXO EDHE: Zvarriten punimet në zgjerimin e rrugës nacionale në Veterrnik

Rreth 3 milionë euro ka qenë kostoja e projekteve të këtyre tri objekteve shkollore në këtë pjesë të Drenicës dhe ndonëse kanë kaluar kaq shumë vjet objektet shkollore ende nuk kanë përfunduar.

Projektet kanë qenë bashkëfinancim i Komunës së Skenderajt dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës dhe derisa MASHT-i ka siguruar me kohë pjesën e vet të mjeteve për realizimin e këtyre projekteve, Komuna e Skenderajt ka dështuar ta sigurojë pjesën e vet të mjeteve.

Në anën tjetër, në Komunën e Skenderajt janë disa objekte shkollore që janë mbyllur për shkak të mungesës së nxënësve.

Në Radishevë objekti i ri i shkollës ka kushtuar mbi 150 mijë euro, por vetëm një vit nxënësit kanë mësuar në këtë shkollë dhe ishin vetë prindërit e nxënësve që kishin kërkuar nga Komuna e Skenderajt që nxënësit t’i dërgojë në shkollën amë në Runik, ndërsa është mbyllur edhe shkolla në Izbicë gjithashtu për mungesë të nxënësve e ndërkohë nxënësit janë dërguar të mësojnë në Shkollën e Vajnikut.

Historia e ndërtimit të shkollës në Kastriot është interesante. Ajo është ndërtuar në kohën derisa ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Republikës së Kosovës ishte Agim Hyseni, i lindur në këtë fshat.

Shkolla është ndërtuar dhe është pajisur me inventarë, por nxënësit e Kastriotit asnjë ditë nuk kanë mësuar në këtë shkollë.

Ata kanë mësuar në shkollën “Shotë Galica” në Runik, ndërsa objektin e ri shkollor në Kastriot e kanë mbuluar shkurret e ferrat dhe është duke u shkatërruar sistematikisht. Drejtori i Arsimit në Komunën e Skenderajt, Bekim Latifi, i tha “Zërit” se realizimi me kohë i këtyre projekteve ka dështuar për shkak se Komuna e Skenderajt nuk ka mundur t’i sigurojë mjetet nga buxheti i vet.

Ai madje tha se Komuna e Skenderajt i ka kërkuar MASHT-it që të ndajë mjete shtesë për t’i përfunduar projektet.

“Objekti i ri i gjimnazit ‘Hamëz Jashari’ ka filluar të ndërtohet në qershorin e vitit 2013 dhe ishte paraparë që të përfundojë brenda afatit 3-vjeçar. Ky projekt ka qenë bashkëfinancim në mes të Komunës dhe MASHT-it. Kontrata e këtij projekti përafërsisht është 1.800.000 euro dhe atë MASHT-i ka pasur për obligim që t’i ndajë 1.100.000 euro, ndërsa pjesën tjetër ka pasur për obligim që ta ndajë Komuna e Skenderajt. MASHT-i i ka realizuar të gjitha obligimet e veta të parapara me kontratë, ndërsa Komuna që nga viti 2013, kur edhe ka qenë e obliguar që t’i ndajë mjetet, rreth 700.000 euro e të cilat nuk ka arritur t’i ndajë nga buxheti i Komunës dhe për këtë arsye objekti nuk ka mundur të përfundohet. Duke e parë që Komuna nuk po mundet t’i ndajë nga buxheti i saj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndajë mjete shtesë, në mënyrë që ato mjete të destinohen për mbulimin e mjeteve të Komunës, të cilat Komuna nuk ka arritur t’i sigurojë nga të hyrat e saj. Kësaj kërkese të Komunës Qeveria nuk i është përgjigjur deri në miratimin e buxhetit të vitit 2018, kështu që me buxhetin e vitit 2018 janë ndarë për këtë shkollë 400.000 euro dhe për vitin 2019 është e paraparë pjesa tjetër e mjeteve. Besoj se për shtatorin e vitit 2019 objekti do të jetë gati për t’i pranuar nxënësit”, i ka thënë “Zërit” drejtori Latifi, i cili ka shtuar se kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, është angazhuar maksimalisht që ta shtyjë përpara projektin dhe në këtë mënyrë ka nënshkruar një memorandum me ministrin e Arsimit për përfundimit e projektit.                                                                                                            

Për situatën rreth përfundimit të projektit të shkollës së re në Qubrel drejtori Latifi precizoi se edhe ky projekt është në gjendje të njëjtë, pasi që MASHT-i ka respektuar marrëveshjen për bashkëfinancim për ndërtimin e projektit, ndërsa Komuna e Skenderajt nuk e ka kryer obligimin e vet. Sipas Latifit, kostoja e projektit ka qenë 510.989.89 euro.

“MASHT-i ka paguar 300 mijë euro për këtë projekt, ashtu siç ka qenë marrëveshja për bashkëfinancim, 100 mijë euro në vitin 2014, 100 mijë euro në vitin 2015 dhe 100 mijë euro në vitin 2016. Komuna e Skenderajt nuk ka arritur t’i paguajë mjetet nga buxheti i vet, 210.989 euro. Me këto pagesa MASHT-i ka kryer obligimin e marrë me marrëveshje, ndërsa Komuna nuk i ka realizuar mjetet e parapara sipas kontratës, për momentin nuk kemi të ndara mjete për këtë shkollë, kërkesa ka pasur në vazhdimësi nga Komuna për Qeverinë, por nuk ka pas mirëkuptim deri më tani. Na janë dhënë premtime që në buxhetin e vitit 2019 MASHT-i ta përfshijë në buxhet financimin e këtij projekti”, ka sqaruar drejtori i DKA-së në Skenderaj, Bekim Latifi. Ai siguroi se objekti i ri i shkollës në Qirez ka përfunduar dhe se ai do të jetë i gatshëm për t’i pranuar nxënësit në fund të tetorit të këtij viti. Me pak fjalë drejtori i Arsimit në Skenderaj ka folur edhe për objektet shkollore që janë mbyllur. “Shkollat në Kosterc, Radishevë dhe Izbicë janë mbyllur për arsye se numri i nxënësve ka qenë i vogël për të vazhduar procesi edukativo-arsimor. Shkolla në Izbicë është mbyllur në vitin 2016 dhe kjo është bërë me kërkesën e vet komunitetit. Sikurse në gjithë Kosovën, edhe në Komunën e Skenderajt numri i nxënësve është duke u zvogëluar dhe paralelet e ndara kanë një numër të vogël të nxënësve. Nga viti 2016 nuk kemi mbyllur asnjë shkollë, edhe pse kemi shkolla me 15 nxënës, si në Syriganë përafërsisht aq nxënës janë edhe në Murg, Kopiliq të Poshtëm, Kotorr, Dashevc dhe Krasmirovc”, ka sqaruar drejtori i Arsimit në Komunën e Skenderajt, Bekim Latifi.