Zvarriten punimet në zgjerimin e rrugës nacionale në Veterrnik

Ekonomia September 21, 2018 - 08:11
Lexoni më shumë detaje
Image

Zotimet e ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj se në maj të këtij viti do të përfundojnë punimet për zgjerimin e rrugës nacionale “N2” në Lagjen e Veterrnikut nuk dolën të sakta. Ndonëse gjatë kohës kur filluan investimet ministri premtoi se brenda 55 ditësh puna do të jetë e kryer, qytetarët ende po ankohen gjatë kohës sa u bie të kalojnë në atë pjesë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, në muajin maj, kur edhe filluan punimet për zgjerimin e rrugës nacionale në hyrje të Prishtinës, u zotua publikisht se kompania i ka në dispozicion 55 ditë kohë për të përfunduar punën nën një mbikëqyrje të rreptë në kualitet dhe në dinamikë të ndërtimit. 

LEXO EDHE: Lumezi: Asnjë nga 20 mijë emrat e publikuar nuk janë të dyshuar

Mirëpo zvarritjet ende vazhdojnë të mbesin të njëjta, ndonëse vlera e kontratës së re është rreth 800 mijë euro. Madje pati edhe shembje dheu e rrëshqitje të murit anësor gjatë kohës sa kompania e kontraktuar zhvillonte punimet në atë pjesë.

Ekipi i gazetës “Zëri” gjatë ditës së enjte ka qenë edhe në terren për të monitoruar nga afër punimet.

Por, gjatë asaj kohe nuk është vërejtur asnjë makineri e vetme me punëtorë në vendin e ngjarjes. Rrëshqitjet e murit anësor shihen të njëjtat, duke çrregulluar tërësisht strukturën rrugore dhe duke shkaktuar vështirësi për kalim të lehtë të automjeteve në atë pjesë.

Për më shumë dëshmi janë realizuar edhe fotografitë, të cilat e pasqyrojnë më së miri gjendjen atje.

Gazeta “Zëri” ka kërkuar përgjegjësi për gjendjen nga ministri Pal Lekaj, mirëpo nuk ka marrë përgjigje. Pyetjet i janë përcjellë edhe menaxherit të projektit, si dhe në adresën zyrtare të Ministrisë.

Ndryshe, kontrata e parë për zgjerimin e kësaj rruge ishte e ndarë në dy lote. Për lotin e parë ishte përzgjedhur kompania NNT “Sallahu Kaçanik”, derisa vlera e tenderit ishte 1 milion e 600 mijë e 166.65 euro, ndërsa për lotin e dytë kompania “Benicom”, me vlerë të tenderit 1 milion e 374 mijë e 516.70 euro.

Ministri kishte deklaruar se segmenti i punimeve është i gjatë rreth 600 metra, ndërsa brenda tij do të përfshihen investime nëntokësore e mbitokësore, duke përfshirë rrjetin e ujërave të zeza, ujësjellësin, ndriçimin e sinjalizimin modern, me të cilin është premtuar t’i ofrohet pamje e re asaj pjese.

“Kompanitë, jokompetente”

Për gjendjen e njëjtë të rrugës në hyrje të Prishtinës po fajësohen edhe kompanitë të cilat po cilësohet jokompetente në kryerjen e punimeve.

Kreu i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prishtinë, Lirak Çelaj, është shprehur i zhgënjyer me kompanitë dhe me mënyrën sesi janë përzgjedhur për të kryer punimet të njëjtat.

Në një prononcim për gazetën “Zëri” Çelaj ka shtuar dyshimet se në këtë projekt mund të jetë i përfshirë ndonjë interes personal për kryerjen e shërbimeve.

“Kompanitë jokompetente na shtinë të dyshojmë se ndoshta kemi të bëjmë me një interes personal për t’i kryer shërbimet, ndryshe s’ka asnjë arsyetim tjetër. Është projekt i Ministrisë së Infrastrukturës që po realizohet. Por kompanitë nuk janë duke i realizuar punët si duhet, nuk është kontraktuar kompania e duhur, ose me thënë në mënyrën e duhur, mënyra si është kontraktuar e ka sjellë këtë gjendje”, ka deklaruar ai.

Ndërsa për gjendjen e njëjtë të rrugës njerëzit që u bie të kalojnë në atë pjesë alarmojnë për çrregullime të ngjashme.

“Po kaloj çdo ditë andej, e di që ka rrëshqitur dheu dhe e ka çrregulluar atë strukturë. Meqenëse nuk jam në atë ministri nuk e di projekti kur është bërë, a nuk ka qenë i mjaftueshëm i studiuar për të vlerësuar se aty ka mundur të ketë rrëshqitje të dheut prej dy anëve. Ajo strukturë e murit është rrëzuar krejt”, ka treguar një qytetar për gazetën “Zëri”.

Frekuentim të njëjtë rrugës i bën çdo ditë edhe ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave Haki Shatri, i cili vlerëson se puna është duke u zvarritur shumë.

“Puna po zvarritet shumë, ende nuk është mbyllur një pjesë aty. Ka shumë pak njerëz që shihen duke punuar, por vetëm simbolikisht. Faji qëndron tek ata që e kanë bërë kontratën me atë kompani. Ndoshta kompania nuk është e aftë t’i kryejë punimet e asaj natyre. Ministri aktual nëse e ka kontratën prej më herët nuk mund ta ndërpresë. Është problem. Puna po ecën ngadalë, shkoi viti dhe nuk po rregullohet rruga”, është shprehur ai.

Kërkohen investime në aspektin e sigurisë

Shumat milionëshe të investuara në rrugë nuk po arrijnë t’i mbajnë të sigurta rrugët për qytetarët. Disa herë radhazi segmenti për zgjerimin e rrugës nacionale “N2” u shoqërua me rrëshqitje të murit anësor, duke krijuar panik te qytetarët. Përveç rrugëve, të cilat nuk po dalin të jenë shumë kualitative, po kërkohen investime edhe në aspektin e sigurisë për qytetarët.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës (OEAK), Arian Zeka, në një përgjigje me shkrim për gazetën “Zëri” ka paralajmëruar rreziqet që paraqesin kyçet e shpeshta në akset rrugore.

“Institucionet qeveritare kanë shpenzuar një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të vendit në përmirësimin e infrastrukturës rrugore e megjithatë, krahas ngritjes së cilësisë së rrugëve, është dashur të bëhen edhe investimet e duhura në aspektin e sigurisë”, ka deklaruar Zeka.

Por, ai nuk e ka mohuar mundësinë se përveç kësaj duhet të punohet më shumë edhe në kulturën e komunikacionit në përgjithësi.

“Kyçet e shpeshta nëpër akset rrugore natyrisht që përbëjnë një rrezik të shtuar në aspekt të sigurisë në komunikacion, ndërsa në anën tjetër është edhe kultura e komunikacionit ajo në të cilën duhet punuar më tepër”, thuhet më tutje në përgjigje. Rruga nacionale “N2” thuhet se do t’i ketë katër shirita, duke përfshirë edhe ata emergjentë.

Ndërsa në fund të pjesës planifikohet një rrethrrotullim, që ofron mundësi për vazhdimin për në Gjilan dhe deri tek Pallati i Drejtësisë.

Vlera e kontratës është rreth 800 mijë euro, derisa kompanisë ia ofruan në dispozicion 55 ditë kohë për të përfunduar punën, ndonëse ajo nuk ka përfunduar akoma. Segmenti i rrugës nacionale “N2” u tha të jetë i gjatë rreth 600 metra, me katër korsi.

Në nëntor të vitit të kaluar në Ministrinë e Infrastrukturës fajin për zvarritjen e punimeve e kalonin te përkeqësimi i motit dhe te reshjet e borës. Me përmirësimin e motit ata premtonin se do të përfundonin punimet.

Apel kompanive për kryerjen e punëve në afatin e caktuar kohor u kishte bërë edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili zotohej se obligimet do të përmbusheshin nga ana e Qeverisë.