Lumezi: Asnjë nga 20 mijë emrat e publikuar nuk janë të dyshuar

Kronika September 21, 2018 - 08:07
Lexoni më shumë detaje
Image

Asnjë nga 20 mijë emrat e publikuar si veteran të rrejshëm nuk janë duke u hetuar nga Prokuroria e Shtetit. Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka pohuar se secili prej këtyre 20 mijë personave, emrat e të cilëve u publikuan ditë më parë, në një farë mënyrë kanë kontribuar për luftë, por  shton se të njëjtit mund të mos i  kenë plotësuar kriteret për ta fituar statusin e veteranit të UÇK-së. Në anën tjetër njohës të çështjeve të drejtësisë e shohin të domosdoshme një rishikim të  aplikacioneve nga një komision i ri qeveritar, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Asnjë nga emrat e publikuar ditë më parë në listën e 20 mijë personave të cilët e kanë fituar statusin e veteranëve nuk janë të dyshuar, apo të akuzuar.

LEXO EDHE: Pas gjashtë muajsh bllokade pritet funksionalizimi i KQZ-së

Të gjitha aplikacionet e tyre do të shqyrtohen në prokuroritë themelore dhe nëse vihet në përfundim që ndonjëri prej tyre ka falsifikuar, ka mashtruar ose ka bërë legalizim të përmbajtjes së pavërtetë, atëherë ajo mund të konsiderohet si vepër penale dhe të procedohet tutje.

Kështu ka deklaruar kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi në një prononcim për gazetën “Zëri”, duke  shtuar madje se asnjëri prej tyre nuk janë të propozuar as si dëshmitarë nga prokuroria.

Lumezi ka pohuar se secili prej këtyre 20 mijë personave, emrat e të cilëve u publikuan ditë më parë në një farë mënyrë kanë kontribuar për luftë, por  shton se të njëjtit mund të mos i  kenë plotësuar kriteret për ta fituar statusin e veteranit të UÇK-së.

“Këta 20 mijë janë persona që në një farë mënyre kanë kontribuar në luftë, por nuk e kanë fituar statusin e veteranit të luftës. Statusin e  veteranit të luftës së UÇK-së janë vetëm personat të cilët janë regjistruar si luftëtar të armatosur dhe të uniformuar, të cilët kanë shërbyer deri në fund të luftës.  Ndërsa këto kategoritë të tjera nuk u ka takuar kjo e drejtë, edhe ata që kanë kontribuar në mënyra të tjera në luftë me një vendim të shtabit të Përgjithshëm ose  komandantëve të zonave, ata janë vetëm pjesëtarë të luftës dhe jo veteranë”, ka thënë kryeprokurori Lumezi.

Prokurori  sipas tij, asnjë nga këta persona nuk i ka propozuar në aktakuzë as si dëshmitarë, por ka propozuar  që aplikacionet e tyre të shqyrtohen gjatë procedurës gjyqësore.

Lumezi ka theksuar se këta 20 mijë emra që janë në listat e veteranëve të  luftës  nuk janë të  cilësuar si të dyshuar një herë për një herë.

 I pari i Prokurorisë së Shtetit ka pohuar se nëse gjatë hetimeve të cilat bëhen nëpër Prokuroritë Themelore rezulton se dikush prej tyre ka falsifikuar, ka mashtruar apo ka legalizuar përmbajtje të pavërtetë, atëherë ajo e krijon bazën për të filluar procedura penale ndaj dikujt prej tyre, por rithekson se  një herë për një herë  këta 20 mijë nuk janë të dyshuar. Sipas tij në këto lista janë vetëm emrat e përfituesve të statusit të veteranit.

  “Aplikacionet e tyre janë propozuar të lexohen në gjykatë. Emisionet televizive po thonë se këta janë të dyshuar, por këta nuk janë të dyshuar një herë për një herë, mirëpo gjatë shqyrtimit të aplikacioneve të tyre në prokuroritë themelore nëse vihet në përfundim që dikush ka falsifikuar, ka mashtruar ose ka bërë legalizim të përmbajtjes së pavërtetë, atëherë ajo mund të konsiderohet si vepër penale dhe të procedohet tutje”, është shprehur Lumezi.

Kryeprokurori Lumezi pohoi se prokuroria është duke pranuar edhe aplikacionet e këtyre personave, emrat e të cilëve janë pjesë e listës prej 20 mijë veteranëve që u publikua ditë më parë në media. 

“Ne jemi duke i pranuar aplikacionet e këtyre që po ankohen, me pa nëse është vendosur drejt gjatë fazës së hetimeve kur i kanë shqyrtuar aplikacionet e veteranëve të luftës”,  u shpreh ai. 

Sa i përket  masës së përkohshme e ndalimit të pagesës së pensionit personal të veteranit luftëtar ndaj disa personave që dyshohen që në mënyrë të kundërligjshme janë futur në listën e veteranëve, Lumezi ka  thënë se prokuroria e ka propozuar këtë në gjykatë por ndalimi i tyre  varet nga gjykata.

Sa i përket kësaj çështje, të enjten Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka dhënë ndonjë përgjigje për gazetën. 

Në anën tjetër gazeta ka kontaktuar edhe zyrtarë të  Qeverisë së  Kosovës për të mësuar nëse mund të formohet një komision i ri qeveritar, i cili do të bënte verifikimin e veteranëve nga fillimi, mirëpo as zyra e kryeministrit nuk ka dhënë ndonjë përgjigje rreth kësaj cështje.

Ndërkohë, njohës të çështjeve të drejtësisë, kanë pohuar se pavarësisht  epilogut të rastit të 12 anëtarëve të  Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve, vetëm një rishikim i procesit të aplikacioneve të veteranëve nga një komision i ri do të mund të ishte një zgjidhje e shëndetshme.

Leposhtica: Duhet të bëhet një rishikim i  aplikacioneve nga një komision i ri

Labinot Leposhtica, koordinator i zyrës ligjore dhe i projektit të monitorimit të gjykatave në BIRN,  ka pohon se aktakuza e dorëzuar në gjykatë ndaj 12 anëtarëve të komisionit duhet të trajtohet me prioritet.

Megjithatë, ai shton se një verifikim  nga një komision i ri qeveritar do të ishte zgjedhja më e mirë e këtij problemi. 

“Çka duhet të bëhet patjetër, është që gjykata me prioritet të trajtojë lëndën e të akuzuarve në lidhje me listat e veteranëve dhe t’i jap një epilog sa më shpejtë të jetë e mundur atij rasti. Megjithatë, sido që të jetë epilogu, prapë konsideroj se vetëm një rishikim i procesit të aplikacioneve të veteranëve nga një komision i ri do të mund të ishte një zgjidhje e shëndetshme”, është shprehur Leposhtica.

Sa i përket ndalimit të pensioneve të përfituesve të kundërligjshëm nga ana e gjykatës, Leposhtica thotë se prokuroria në kërkesën e saj nuk është bazuar në ndonjë ligj i cili e mbështetë këtë kërkesë. 

“Në lidhje me kërkesën e Prokurorisë për ndalimin e pensioneve ndaj përfituesve të kundërligjshëm, unë nuk kam parë që prokuroria ka ofruar apo përmendur ndonjë bazë ligjore ku do ta mbështeste këtë kërkesë, por në anën tjetër nëse ka dyshime serioze që janë rreth 20 mijë përfitues të kundërligjshëm dhe ata vazhdojnë të marrin pensione, nëse pretendimet e Prokurorisë vërtetohen do të ishte shumë e vështirë për të mos thënë e pamundur t’i riktheheshin ato mjete buxhetit të Kosovës”, ka thënë Leposhtica.

Duke parë zhvillimet që pasuan pas dorëheqjes së prokurorit Blakaj dhe dorëzimit të aktakuzës së përpiluar nga ai në Gjykatë, Leposhtica thekson se  nuk duhet ta përjashtohet opsioni për një rishikim të  procesit të vlerësimit të të  gjitha aplikacioneve për veterane, pasi vetëm në këtë mënyrë sipas tij do të hidhej dritë në një proces për të cilin janë hedhur shumë dyshime.

Në listën publikuar të veteranëve mashtrues janë edhe emrat e deputetes Time Kadrija, Kujtim Bali Gashi, nga Zona Operative e Dukagjinit dhe  këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj për kategoritë e dala nga lufta Gazmend Syla, të cilët kanë reaguar për futjen e emrave të tyre në këtë listë.

Ndryshe, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, si dhe Xhavit Jashari, të 12 këta persona kanë anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve. 

Të njëjtit akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtarë , që ndërlidhen me fryrjen e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK).