Pas gjashtë muajsh bllokade pritet funksionalizimi i KQZ-së

Aktuale September 21, 2018 - 07:59
Lexoni më shumë detaje
Image

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është jofunksional që nga 27 marsi, atëherë kur u ka përfunduar mandati anëtarëve të këtij mekanizmi, ndërsa pritet që në fund të këtij muaji presidenti Hashim Thaçi të emërojë anëtarët e rinj. Të paktën kështu deklarojnë deputetë nga koalicioni qeverisës, të cilët thonë se në bazë të informatave që kanë nga Zyra e Presidentit KQZ-ja do të funksionalizohet gjatë shtatorit, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Në ndërkohë opozitarët kanë thënë se presidenti Thaçi qëllimisht po e zvarrit këtë proces shumë të rëndësishëm për vendin.

LEXO EDHE: Po hetohen prokurorë, gjykatës e ambasadorë

Kreu i shtetit deri më tani nuk ka emëruar përfaqësuesit e partive politike, ndërsa i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar sqarime se nga sa përfaqësues u takojnë grupeve parlamentare.

Lidhur me këtë çështje Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje i kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese opinionet e tyre në lidhje me kërkesën e presidentit për interpretim të dispozitës kushtetuese, e cila flet për emërimin e anëtarëve të rinj.

Ndërsa sipas njohësve të çështjeve kushtetuese, presidenti Thaçi është duke i shkelur detyrat e tij kushtetuese dhe Gjykata nuk duhet të lejojë që ai të fitojë kohë dhe ta largojë përgjegjësinë e tij për emërimin e anëtarëve të rinj.

PDK: Emërimi do të përfundojë brenda këtij muaji

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Hajdar Beqa, në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” ka thënë që në bazë të informacioneve të siguruara nga Zyra e Presidentit emërimi i anëtarëve do të përfundojë në muajin shtator.

“Nuk ka zvarritje nga ana e presidentit, kjo është procedurë e cila do vendim të presidentit Hashim Thaçi. Ajo çka ka shkaktuar huti është çështja se me sa anëtarë do të përfaqësohen partitë. Në bazë të informatave që kam nga Presidenca ky emërim do të kryhet brenda këtij muaji”, ka thënë Beqa.

Sipas tij, kjo vonesë nuk i ka shkaktuar dëme institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve sepse nuk ka pasur proces zgjedhor.

“Nuk ka pasur ndonjë dëmtim të këtij institucioni për shkak se nuk ka pasur ndonjë vendim, nuk ka pasur ndonjë proces zgjedhor, nuk ka pasur ndonjë vendim të madh, por është e rëndësishme që KQZ-ja të funksionalizohet”, ka theksuar ai.

Rrustemi: Presidenti është duke shkelur Kushtetutën

Ndërkaq i nominuari i Lëvizjes Vetëvendosje për anëtar të KQZ-së Adnan Rrustemi, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se presidenti Thaçi është duke e shkelur Kushtetutën e Kosovës me këtë zvarritje.

“Zvarritja nga ana e presidentit për emërimin e anëtarëve të KQZ-së është e motivuar politikisht sepse nuk ka asnjë dilemë politike, kushtetuese në këtë aspekt. Është plotësisht e qartë se si duhet të bëhet emërimi i anëtarëve të rinj të KQZ-së dhe çfarë duhet të jetë përbërja e KQZ-së, ngase në bazë të rezultatit të 11 qershorit do të duhej që tri subjektet politike nga shumica shqiptare që e kanë kaluar pragun zgjedhor të kenë nga dy përfaqësues në KQZ, tashmë që presidenti e ka adresuar si çështje në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo kjo çështje është e qartë juridikisht”, ka thënë ai.

Tutje Rrustemi ka bërë të ditur që pas LDK-së edhe Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me opinionin e saj për këtë çështje.

“Deri më sot deputetët dhe subjektet politike kanë pasur afatin për t’i dorëzuar komentet e tyre në raport me çështjen e adresuar në Gjykatën Kushtetuese dhe Lëvizja Vetëvendosje do të ofrojë gjatë ditës komentet e saj në Gjykatën Kushtetuese. Natyrisht presim që kjo Gjykatë ta marrë vendimin dhe kështu të funksionalizohet KQZ-ja, e cila po mbahet pezull qëllimisht”, ka thënë Rrustemi.

Ismaili: Presidentit nuk i ka pëlqyer fuqia e opozitës në KQZ

Valmir Ismaili, nga Demokracia Plus, ka thënë për gazetën “Zëri” se zvarritja e emërimit të anëtarëve të rinj të KQZ-së ka ndodhur për shkak të bllokadës që e ka pasur Gjykata Kushtetuese.

“Fillimisht vetë subjektet politike nuk kanë dërguar me kohë të nominuarit e tyre për anëtarë të KQZ-së te presidenti i vendit. Presidenti ka shfrytëzuar hapësirën ligjore që të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese një mendim në lidhje me atë se cilit subjekt sa ulëse i takojnë në KQZ. Për një kohë Gjykata Kushtetuese nuk ka pasur kuorum për një kohë të gjatë. Arsyeja kryesore e kësaj vonese është sepse sipas rezultatit të zgjedhjeve të fundit nacionale LDK-ja dhe LVV-ja do të kenë nga dy anëtarë në KQZ dhe kjo gjë si duket nuk po i pëlqen presidentit, i cili po përdor çdo mundësi që të ketë një shtyrje të funksionalizimit të KQZ-së me anëtarët e rinj”, ka thënë ai.

Sipas tij, presidenti ka për obligim funksionimin e KQZ-së dhe kjo është duke i shkaktuar dëme këtij institucioni.

“Si duket nuk po mund të kalojë nga petku i tij partiak, përderisa si president i vendit e ka për obligim që të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve kushtetuese sikurse është në këtë rast KQZ-ja. Ky institucion është e bllokuar dhe asnjë vendim i rëndësishëm në këtë institucion nuk mund të merret për shkak se mungon vendimmarrja. Ka disa raste kur disa kuvende komunalet cilat kanë kërkuar zëvendësimin e këshilltarëve komunalë, por kjo nuk po mund të ndodhë për shkak se duhet një vendim nga KQZ-ja”, ka thënë ai duke shtuar se nëse vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, atëherë mosfunksionalizimi i KQZ-së do të kishte pasoja të mëdha duke i marrë parasysh afatet ligjore.

Berisha: Presidenti po i shkel detyrimet e tij kushtetuese

Njohësi i çështjeve kushtuese Durim Berisha, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se Gjykata Kushtetuese është duke u keqpërdorur si nga ana e Qeverisë, ashtu edhe nga ana e Presidencës.

“E drejta për t’ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese nga ana e presidentit ose nga ana e Qeverisë është nxjerrë jashtë kornizës kushtetuese. Është e vërtetë se dispozitat të cilat i numërojnë kompetencat e këtyre organeve kushtetuese përcaktojnë se ato ‘referojnë çështje në Gjykatën Kushtetuese’, porse ai referim është dashur dhe duhet të kuptohet në kuadër të çështjeve kushtetuese, të përcaktuara në Nenin 113 të Kushtetutës”, ka thënë ai.

 

Tutje sipas tij, vonesa në emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së është bërë me qëllim nga ana e presidentit, duke thënë se kjo është shkelje e detyrimeve të tij kushtetuese.

“Kjo lëvizje e presidentit është ndërmarrë me qëllim të largimit të përgjegjësisë nga ana e tij. Ai është dashur t’i emërojë anëtarët  e KQZ-së dhe pastaj nëse grupet parlamentare do të kishin pasur dyshime rreth kushtetutshmërisë së atyre vendimeve do të mundë t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese. Presidenti është institucion që zgjidh ngërçe politike dhe institucionale, ndërsa në Kosovë është duke u kthyer në shkaktar të tyre. Pa dyshim që ikja nga përgjegjësia kushtetuese e tij mund të cilësohet edhe shkelje e detyrimeve të tij kushtetuese”, ka vlerësuar Berisha.