Fundi i pagave astronomike

Ekonomia March 21, 2018 - 07:45
Lexo detajet

Pagave astronomike të disa zyrtarëve të lartë të agjencive të pavarura në vend po u vjen fundi. Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa në mbledhjen e mbajtur më 15 mars ka rekomanduar uljen e pagave për 25 për qind për zyrtarët e lartë në Trustin e Kursimeve Pensionale. Në këtë mbledhje u kërkua që pagat e zyrtarëve të këtij institucioni të jenë në nivel me pagat e drejtuesve të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Pagë astronomike prej mbi 5 mijë eurove në muaj deri më tash ka marrë për çdo muaj drejtori aktual i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), Adrian Zalli.

Madje paga e këtij të fundit ka qenë më e lartë se e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), institucion ky i cili mbikëqyr Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Pak më pak se Zalli marrin edhe dy zëvendësit e tij, Vërrshim Hatipi e Agron Krasniqi. Por, keq në këtë drejtim nuk ka qëndruar as edhe drejtori aktual i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari, shkruan tutje "Zëri". 

Si duket pagat e muajit mars mund të jenë e fundit me atë shumë pasi Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa në mbledhjen e mbajtur më 15 mars rekomandoi uljen e pagave për 25 për qind për zyrtarët e lartë në Trustin e Kursimeve Pensionale.

Në këtë mbledhje u kërkua që pagat e zyrtarëve të këtij institucioni të jenë në nivel me pagat e drejtuesve të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Duke u bazuar në formularët e deklarimit të pasurisë, në Agjencinë Kundër Korrupsionit shihet se drejtori menaxhues në Fondin për Kursime Pensionale, Adrian Zalli, për një muaj paguhet deri në 5 mijë euro.

Ndërsa paga vjetore e tij arrin shifrën e 60 mijë e 983 eurove, siç i ka deklaruar të ardhurat në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Më keq me paga nuk qëndrojnë as bashkëpunëtorët e Zallit, që punojnë bashkë në këtë institucion.

Vërshim Hatipi, zëvendësdrejtor në Fondin për Kursime Pensionale, ka deklaruar pagë vjetore 48 mijë e 912 mijë euro. Ndërsa për një muaj i bie se Hatipi merr hiç më pak se katër mijë euro.

Zëvendësdrejtori tjetër në këtë institucion, Agron Krasniqi, paguhet 39 mijë e 742 euro në vit. Për një muaj Krasniqi i bie se merr pagë mbi 3 mijë euro. Këto paga të majme nuk pritet t’i gëzojnë edhe shumë gjatë zyrtarët që punojnë në Fondin për Kursime Pensionale. Kjo pasi Komisioni Parlamentar në mbledhjen e mbajtur më 15 mars rekomandoi uljen e pagave për 25 për qind për zyrtarët e lartë në Trustin e Kursimeve Pensionale. Në këtë mbledhje u kërkua që pagat e zyrtarëve të këtij institucioni të jenë në nivel me pagat e drejtuesve të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku, kishte deklaruar se pagat në Trust janë disproporcionale me pagat e tjera. Meqenëse mbikëqyrës i Trustit është BQK-ja, sipas Abdixhikut pagat duhet të jenë të njëjta edhe në Trust.

Fondi i Kursimeve Pensionale tashmë veçse e ka formuar komisionin që do t’i analizojë përfitimet dhe pasojat e implementimit të rekomandimeve të Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje dhënë me shkrim “Zërit” zëdhënësi për informim në këtë institucion, Jeton Demi.

“Ju njoftojmë se Bordi Drejtues ka formuar një komision ad-hoc, i cili nga çdo aspekt, e para se gjithash nga aspekti ligjor, strategjik e praktik, do t’i analizojë me kujdes mundësitë, përfitimet, por edhe pasojat e implementimit të rekomandimeve të Komisionit për Buxhet dhe Financa”, thuhet në përgjigjen e Trustit.

Paga të larta edhe në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP)

Zyrtarët e lartë që punojnë në Fondin për Kursime Pensionale nuk janë të vetmit që marrin paga të majme. Paga të tilla kanë deklaruar edhe zyrtarët menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Ekrem Hajdari, drejtor menaxhues në (AKP), ka deklaruar në formularët e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) se merr pagë vjetore 51 mijë e 611 euro, që i bie se për një muaj paguhet mbi katër mijë euro.

Edhe paga vjetore e kryesuesit të Bordit në AKP nuk del të jetë e vogël.

Petrit Gashi, kryesues bordi në këtë institucion, merr pagë vjetore 38 mijë e 780 euro. Për një muaj Gashi merr mbi 3 mijë euro. Të paktën kështu tregojnë të ardhurat që zyrtarët i kanë deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Drejtori i Aviacionit Civil, Dritan Gjonbalaj, ka të deklaruar 29 mijë e 892 euro pagën vjetore.

Në muaj i bie se Gjonbalaj paguhet mbi 2 mijë euro. Ndërsa paga më e lartë në Trust është deklaruar të jetë 4 mijë e 980 euro e drejtorit menaxhues. Paga më e lartë në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) e guvernatorit është 4 mijë e 120 euro.

Kërkohet rishikimi

Fondi Pensional i Kursimeve nuk është institucioni i vetëm në të cilën zyrtarët paguhen me shuma të majme. Për këtë po kërkohen rishikime të pagave edhe në ndërmarrjet e tjera.

Ibrahim Rexhepi, këshilltar i ministrit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE) Valdrin Llukës në një prononcim për “Zërin” ka thënë se është kundër pagave enorme, të krahasuara me gjendjen sociale në vend.

“Në parim është një vendim i mirë nëse krejt kjo është bërë duke u mbështetur në performancën dhe në specifikat e institucionit. Prandaj, rishikimi duhet të bëhet edhe për shumë institucione të tjera e jo vetëm për Trustin”, ka thënë Rexhepi.

Njohësi i rrethanave ekonomike, Rexhepi, ka shtuar se është kundërshtar i uniformizmit të pagave, posaçërisht kur bëhet fjalë për ndërmarrjet publike që nuk janë barrë e buxhetit të shtetit.

“...Por njësoj i kundërshtoj edhe pagesat enorme, shumë të larta në krahasim me gjendjen e përgjithshme sociale në vend apo me pagën mesatare, të cilat paguhen edhe në institucione që nuk kanë ndonjë përgjegjësi e ngarkesë të madhe apo në kompani ku performanca e tyre është e dobët”, ka theksuar më tutje këshilltari i ministrit Lluka, Ibrahim Rexhepi.

Sipas tij, duhet një rishikim apo rregullim me ligj në mënyrë që kompensimi material të jetë i barabartë me përgjegjësitë dhe performancën. Vendimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa e ka mirëpritur edhe ish-sekretari i përgjithshëm i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi.

Në një prononcim për “Zërin” Rukiqi ka thënë se Kosova pas luftës ka krijuar standarde të çuditshme të kompensimit të shërbyesve të ndryshëm, të cilët në vend se të kompensohen dhe të shpërblehen në bazë të përgjegjësisë e performacës janë kompensuar sipas institucionit në varësi sa ai institucion ka pasur autonomi dhe buxhet për të marrë vendime.

“Kjo autonomi sidomos te ndërmarrjet publike dhe te disa agjenci të pavarura është keqkuptuar dhe sot një pjesë e madhe e tyre operojnë me humbje, pasi pagat janë jashtë çdo standardi dhe jo të harmonizuara me performancën e kompanisë”, ka shtuar ai.

Rukiqi, duke folur për vendimin e zvogëlimit të pagave në Trust, ka thënë se standardi i vendosur për kompensim të ekzekutivëve të këtij institucioni është i gabuar, pasi është mbi mesataren e institucionit që e mbikëqyr Banka Qendrore e Kosovës.

“Ajo që tani duhet të bëhet është insistimi që në afat rekord të kemi ligjin për pagat në sektorin publik, që do t’i rregullojë koeficientet e pagave mbi parimin që puna e njëjtë kompensohet njëjtë dhe që vendos një minimum dhe maksimum se sa mund të kompensohen shërbyesit publikë”, ka shpjeguar më tutje për “Zërin” Rukiqi.

“Topi” kalon te Bordi i Fondit të Kursimeve Pensionale

Rekomandimi për nivelizimin e pagave të zyrtarëve të Trustit me ata të BQK-së i dërgohet Bordit të Fondit për Kursime Pensionale. Kështu ka treguar në një prononcim për “Zërin” anëtarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Safete Hadërgjonaj.

“Ne kemi formuar një grup punues dhe grupi punues ka ardhur me një rekomandim që ka bërë një krahasim të pagave të Fondit të Kursimeve Pensionale, të Bankës Qendrore të Kosovës dhe të institucioneve tjera dhe ka ardhur me një propozim për uljen e pagave në këtë institucion të pozitave udhëheqëse për 25 për qind.

Ky rekomandim i shkon Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale. Bordi duhet të marrë vendim për ose kundër, sepse nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë në pagat e tyre, ne kemi të drejtë vetëm tarifën që është e caktuar për shpenzimet operacionale”, ka sqaruar Hadërgjonaj.

Edhe Naser Osmani, që është pjesë e Komisionit për Buxhet dhe Financa, ka treguar se në bazë të vendimeve kanë ardhur në përfundim se nëse zvogëlojnë pagën prej 25 për qind të Trustit Pensional do të jetë deri diku e barabartë me pagën që marrin zyrtarët në Bankën Qendrore të Kosovës.

“Menjëherë i jemi drejtuar me kërkesë AKP-së që të na dërgojë edhe nivelin e pagave të tyre për ta bërë një vlerësim në bazë të dyshimeve që edhe ata kanë pagat e larta dhe Aviacioni Civil po ashtu dhe të gjitha agjencive të pavarura deri në kohën kur Qeveria nuk e procedon ligjin për paga të atyre që marrin paga prej buxhetit ose parasë publike”, ka shtuar më tutje Osmani në një prononcim për “Zërin”.

Ish-kryetari i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, ka thënë se politika e pagave si në Trust e në institucione të tjera duhet t’u nënshtrohet kritereve specifike mbi të cilat mund të arsyetohet.

“Gjithashtu edhe politika e pagave këtu duhet ta ketë parasysh rëndësinë që këto fonde të qeverisen me përgjegjësi e llogaridhënie që vlera e aksioneve në fond të mbrohet dhe të rritet dhe për mua kjo është edhe më e rëndësishme sesa një përqindje e caktuar e pagës më shumë e më pak”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, është Kuvendi ai që cakton përqindjen që merret nga fondi për buxhetin e administratës e Bordit të Trustit. Ndërsa Bordi dhe menaxhmenti të mbahen përgjegjës pa performancë. Mbetet të shihet nëse ky rekomandim do të marrë “dritë jeshile” nga Bordi i Fondit të Kursimeve Pensionale.