Automjetet me targa të letrës
Ka më shumë se një muaj prej kur Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) nuk ka tabela për automjete, si pasojë e dështimit të vazhdueshëm të tenderit për prodhim të targave. E në mungesë të tyre tash Ministria po jep vetëm targa provuese, për të cilat qytetarët duhet të paguajnë 15 euro
Rreth 2477 automjete, deri më tani janë pajisur me targa provuese (të përkohshme), pasi që Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) po ka probleme të vazhdueshme me tenderin për prodhimin e tabelave të automjeteve.
Duke mos parë zgjidhje të shpejtë, në prill të këtij viti MPB-ja përmes procedurës së negociuar kishte zgjedhur konsorciumin “G3 Inxhiniering&Rade Konçar” si fitues të tenderit emergjent për furnizim me 18 mijë tabela.
Shaban Hoti nga kompania “G3 Inxhiniering&Rade Konçar” ka thënë për gazetën “Zëri” se tenderi furnizues emergjent me targa ka qenë i kufizuar me afat 30 ditë.
Por, pas shpenzimit të sasisë, tash Ministria ka filluar të japë vetëm targa provuese.
Tenderi zvarritet qe një vit
Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë thënë se pajisja e qytetarëve me targa provuese, si zgjidhje e ndërmjetme, do të vazhdojë deri në përfundimin e procedurave të prokurimit dhe përzgjedhjen e kompanisë për prodhimin e targave.
“MPB-ja sqaron se aktiviteti i prokurimit ka qenë i shpallur në KRPP me datën 17.08.2015, sipas procedurës së hapur dhe pas përfundimit të vlerësimit, ky aktivitet është anuluar me datën 20.10.2015, sepse asnjë operator nuk ka përmbushur kërkesat sipas standardeve të kërkuara nga MPB-ja. Me datën 30.10.2015 procesi i kontestimit të vendimit të MPB-së është bërë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, dhe ky organ ka kërkuar nga MPB-ja të rivlerësojë ofertuesit. MPB-ja pas rivlerësimit, ka nxjerrë Vendim për anulim, vendim ky i cili pra është apeluar në OSHP me datën 24.12.2015, kurse OSHP me datë 26.04.2016, pra pas katër (4) muajsh vonesë (si rrjedhojë e vonesës në emërimin e anëtarëve të OSHP-së) ka nxjerrë vendimin përfundimtar dhe ankesa e operatorëve është refuzuar si e pabazë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Tenderi në proces të vlerësimit
Më tej, Rroksana Qarri, zëdhënëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka thënë se aktiviteti i prokurimit është ritenderuar dhe është shpallur në KRPP me datën 25.05.2016, sipas procedurës së hapur, ndërsa për katër ofertat e dorëzuara me datën 06.07.2016 tani procesi është në fazën e vlerësimit nga ana e komisionit vlerësues dhe i cili pritet të përfundojë brenda ditësh si proces i menaxhuar nga MPB-ja.
“Me targa provuese nga data 23.06.2016 deri më tani janë pajisur 2477 automjete, afati i targave provuese sipas vendimit të ministrit nr. 187/2016, data 23.06.2016, pika 4 e vendimit është deri në nxjerrjen e një vendimi tjetër. Pagesa është e rregulluar me vendim të ministrit nr. 187/2016 në pikën tre të vendimit qytetarët do të paguajnë vetëm diferencën e taksës së përcaktuar me pikën 5.12 të vendimit mbi tarifa nr. 154 të datës 30.05.2016”, ka thënë Qarri.
Ajo ka thënë se qytetarët me këto targa nga data 22 korrik e deri në shtator mund të kalojnë edhe në Shqipëri pasi që është aprovuar kërkesa e MPB-së për njohjen dhe pranimin e targave provuese të Republikës së Kosovës, në territorin e Republikës së Shqipërisë.
“Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se nga data 22.07.2016 deri më datën 30.09.2016 është aprovuar kërkesa e MPB-së për njohjen dhe pranimin e targave provuese të Republikës së Kosovës, në territorin e Republikës së Shqipërisë. MPB-ja sqaron se veturat që qarkullojnë me targa provuese gjatë kësaj periudhe kohore duhet të jenë të pajisura edhe me sigurimet përkatëse të veturave”, ka thënë ajo.
Por, për Përparim Hotin, qytetar nga Prishtina, i cili ishte pajisur me targa provuese, kjo mënyrë e pasjes është një lloj maltretimi pasi që siç thotë ai duhet bërë edhe një herë ndërrimin e tabelave në Qendrën për Regjistrimit të Automjeteve në Prishtinë.
“Është maltretim për neve se duhet përsëri të drejtohemi për të bërë transferimin e tabelave atëherë kur Ministria do të lëshojë tabela. Më thanë se me këto tabela provuese munden të përdoren derisa të vijnë tabelat”, ka thanë ai.