
Rama ndan reportazhin e BBC-së: Lini, vendbanimi më i vjetër liqenor në Evropë
Arkeologë shqiptarë dhe zviceranë kanë gjetur materiale të reja në kërkimet disavjeçare në fshatin piktoresk të Linit në Pogradec, të cilat flasin për vendbanimin më të hershëm liqenor në Evropë.
Sipas analizave laboratorike mbetjet e drurit të shtëpive të zbuluara në ujë datojnë rreth 8000 deri në 4000 vjet p.e.s.
Kryeministri Edi Rama ndau sot një pjesë nga reportazhi i BBC-së, që përshkruhet se është vendbanim disa qindra vjet më i vjetër se vendet e njohura më parë të banimit të liqeneve në rajonet e Mesdheut dhe Alpine.
“Arkeologët kanë zbuluar atë që besohet të jetë vendbanimi më i vjetër liqenor në Evropë, në brigjet e Liqenit të Ohrit në Shqipëri. Dëshmitë tregojnë se një komunitet i organizuar gjuetarësh dhe bujqish ka jetuar aty deri në 8 000 vjet më parë”, thuhet në një reportazh të fundit të rrjetit mediatik të BBC.
Rama shkruan se grupi i arkeologëve shqiptarë dhe zviceranë të intervistuar thonë se po vijojnë të punojnë çdo ditë mbi këtë zbulim, duke u zhytur në 3 metra thellësi.
“Deri më tani nuk është zbuluar as 1% e asaj që mendohet të ketë qenë pjesë e këtij vendbanimi të hershëm, ku janë gjetur mostra druri, kockash, qeramike dhe materialesh të tjera”, shtoi Rama.
Të dhënat tregojnë se zona ka shërbyer si qendër ku zhvillohej bujqësia, zejtaria dhe peshkimi rreth 8 500 vite më parë, çka e bën vendbanimin më të vjetrin e zbuluar tani edhe në krahasim me vendbanime të ngjashme.