Historia e trazuar e flamurit britanik

Historia e trazuar e flamurit britanik

Dosier October 09, 2025 - 20:36

Megjithëse është disa shekuj i vjetër, flamuri i Unionit [britanik] - i njohur zakonisht si “Union Jack” - që përfaqëson bashkimin e Anglisë, Skocisë dhe Irlandës, rrallëherë mungon këto kohë në lajmet e Mbretërisë së Bashkuar. Më parë ky flamur gjendej kryesisht i valëvitur në shtyllat e ndërtesave zyrtare, por tani varet nga dritaret e shtëpive të njerëzve dhe shfaqet i varur në ura autostradash dhe në hapësira të tjera publike.

Kuptimi dhe simbolika e tij janë në qendër të debateve që shpesh shkaktojnë më shumë konfuzion sesa qartësi. A është shfaqja gjithnjë e më e përhapur publike e flamurit britanik - dhe e flamurit të Shën Gjergjit - një shprehje patriotizmi apo provokim? Debati vazhdon, por ajo që është e qartë është se flamuri i Unionit përfaqëson gjëra shumë të ndryshme për njerëz të ndryshëm dhe kontekste të ndryshme. Për disa, është thjesht një simbol i Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa për disa të tjerë është emblemë e Perandorisë 0 ose ka konotacione shqetësuese për shkak të përvetësimit të tij nga e djathta ekstreme.

Profesori Nick Groom është historian i kulturës dhe libri i tij Union Xhek: Historia e flamurit britanik [The Union Jack: The Story of the British Flag] ndjek historinë e këtij flamuri. Ai i tha BBC-së: “Në vitet ’70 të shekullit XX, kishim [partinë nacionaliste të ekstremit të djathtë] Frontin Kombëtar [Natioinal Front - NF] që përpiqej ta përvetësonte flamurin e Unionit, por gjithashtu kishim Tim Brooke-Taylorin nga grupi komik ‘The Goodies’ që vishte jelekë me të. Kishim jubileun e argjendtë të Mbretëreshës dhe gjithashtu pankerë që e copëtonin flamurin dhe e kthenin në artikull mode”.

“Ka shpërthime periodike të valëvitjes së flamurit dhe shfaqjes së tij, disa të mbështetura nga qeveria, siç ndodhi në vitin 2007 kur Gordon Brown u bë kryeministër dhe në deklaratën e tij të parë në Parlament rekomandoi që ndërtesat qeveritare të valëvisnin flamurin e Unionit çdo ditë, për të nxitur një ndjenjë të identitetit britanik”.

“Mendoj se u takon të gjithëve të mos lejojnë që ekstremistët politikë të përcaktojnë axhendën”, thotë profesori Groom. “Nëse ata përpiqen ta vendosin, ti e rikthen atë. Ky është një flamur për gjithëpërfshirje dhe diversitet. Flamuri i Unionit është pothuajse si një histori ose hartë e këtyre ishujve. Çdo element ka pasur nevojë të bëjë një kompromis për t’u përshtatur me të tjerët dhe ka një histori shumë të gjatë dhe të larmishme”.

Ka tre përbërës në flamur. Kryqi i kuq i Shën Gjergjit mbi një sfond të bardhë është simboli i Anglisë. Kryqi diagonal i Shën Ndreut mbi një fushë të kaltër është emblema e Skocisë. Kryqi diagonal i kuq i Irlandës i Shën Patrikut mbi një sfond të bardhë është elementi i tretë.

Kur James VI i Skocisë trashëgoi fronin e Anglisë në vitin 1603 si James I, u krijua një bashkim i kurorave, duke bashkuar dy mbretëri nën një monark, por duke i lënë ato të ndara në aspektin kushtetues. Anijet detare britanike kërkohej të valëvitnin si kryqin e kuq të Shën Gjergjit, ashtu edhe flamurin e Shën Ndreut. Megjithatë, dy flamuj të valëvitur nga e njëjta shtyllë nënkuptonin se kishte ndodhur një përballje ushtarake, me flamurin e fituesit që valëvitej mbi atë të të mundurit (sipas disa interpretimeve, praktika e uljes së flamurit në gjysmë-shtyllë do të thotë se flamuri i padukshëm i vdekjes ndodhet mbi të). Anijet angleze e vendosnin kryqin e Shën Gjergjit më sipër, ndërsa ato skoceze kryqin e Shën Ndreut.

Flamujt e Unionit rreshtoheshin në rrugë gjatë jubileut të platinit të Mbretëreshës Elizabeth II në vitin 2022Burimi: Alamy

Kjo ishte larg frymës së bashkimit që mbreti dëshironte të inkurajonte, ndaj e ngarkoi lordin e Notingemit që të shqyrtonte se si mund të përfshiheshin të dy flamujt në një të vetëm. Konti - i cili ishte gjithashtu lord-admiral i Marinës - favorizoi një dizajn me kryqin e Shën Gjergjit përkrah kryqit të Shën Ndreut. Megjithatë, sipas protokolleve të heraldikës, flamuri që qëndronte më afër shtyllës së flamurit ishte superior, kështu që ky dizajn nuk zgjodhi asgjë.

Në vitin 1606, u miratua një kompromis i zgjuar. Kryqi i Shën Gjergjit do të vendosej mbi kryqin e Shën Ndreut, por “kantoni” - pjesa e sipërme e flamurit më afër shtyllës, dhe sipas heraldikës sektori më i rëndësishëm - do të dominohej nga ngjyrat e Shën Ndreut. Asnjë shenjë nuk kishte epërsi. Flamuri i ri i Unionit do të valëvitej nga të gjitha anijet tregtare dhe mbretërore. Kishte ende skocezë dhe anglezë të pakënaqur, që ndiheshin të kërcënuar në identitetin e tyre dhe pati ndryshime në dizajn, por në thelb ky u bë themeli i flamurit të Unionit.

Kur u miratua Akti i Bashkimit me Irlandën në vitin 1801, flamurit iu shtua kryqi i kuq i Shën Patrikut, i vendosur brenda kryqit të Shën Ndreut. Siç shpjegon historiani Graham Stewart, në librin e tij Britania: 100 dokumentet që formësuan një komb [Britannia: 100 Documents that Shaped a Nation]: “Për të mos e fshirë plotësisht flamurin skocez, pjesa irlandeze u bë më e hollë dhe gjithashtu u ‘ngarkua në mënyrë të kundërt’ - u përmbys në secilën gjysmë në mënyrë që të jetë më poshtë në gjysmën më afër shtyllës së flamurit (duke ia dhënë përparësinë hierarkike Skocisë), por më lart në gjysmën më larg saj”.

Stewart vazhdon: “Kjo ishte një tjetër mënyrë për të zbutur ndjeshmëritë kombëtare duke siguruar që përparësia e dhënë flamurit irlandez - sepse qëndron mbi atë skocez - të balancohej nga përparësia që ka flamuri skocez në gjysmën më prestigjioze të dizajnit”.

Flamuri u valëvit për herë të parë më 1 janar 1801, kur u krijua Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës. Që nga Traktati anglo-irlandez i vitit 1921, e kuqja përfaqëson Irlandën e Veriut.

Pse nuk përfshihet Uellsi, vendi tjetër që përbën Britaninë (Anglia, Skocia dhe Uellsi) dhe Mbretërinë e Bashkuar (Anglia, Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut)? Sepse në vitin 1283, Edward I i pushtoi uellsianët rebelë. Për të nënvizuar epërsinë e tij, Edwardi e bëri të birin princ të Uellsit. Si një principatë, jo mbretëri, Uellsi konsiderohet se përfaqësohet nga kryqi i Shën Gjergjit.

Në Parlamentin britanik, në vitin 1908 u shpall se “flamuri i Unionit duhet të konsiderohet si flamur kombëtar”. Bashkë me flamurin me yje dhe shirita të Shteteve të Bashkuara, flamuri britanik konsiderohet ndoshta flamuri më i njohur në botë. “Mendoj se, në aspektin e jetëgjatësisë, ndikimit dhe përfaqësimit në fusha të ndryshme, flamuri i Unionit është absolutisht ikonik”, thotë Nick Groom. Ai thekson se flamuri është lehtësisht i dallueshëm edhe kur shihet vetëm një pjesë e vogël e tij, ose kur paraqitet në ngjyra të ndryshme apo bardhë e zi.

Megjithëse fillimisht ishte një flamur mbretëror, flamuri i Unionit gradualisht u bë simboli i Britanisë dhe më pas i Mbretërisë së Bashkuar. Dhe, ndërsa Britania u rrit si një fuqi koloniale dhe perandoria e saj u përhap, flamuri i Unionit - që dikur valëvitej mbi rreth një të katërtën e popullsisë dhe sipërfaqes tokësore të botës - u bë sinonim për nënshtrim dhe shfrytëzim për popujt e territoreve perandorake që dëshironin pavarësi. Për shumëkënd, ky flamur ende bart konotacione të kolonializmit si dhe një lidhje shqetësuese për rolin e Britanisë në tregtinë transatlantike të skllevërve.

Gjatë shekujve, flamuri ka qenë motiv i përsëritur në art dhe shumë nga shembujt më të hershëm janë përshkrime ushtarake dhe detare, si Vdekja e majorit Peirson (1782-84) nga John Singleton Copley. Duke festuar fitoren britanike kundër një pushtimi francez në ishullin Xhersi, në një kohë kur Perandoria Britanike po përballej me sfida, piktura shërbente për qëllime propagandistike, duke rritur besimin në Perandorinë Britanike pas humbjes së kolonive amerikane dhe duke lavdëruar fuqinë perandorake britanike.

Në pikturën e Turnerit, Beteja e Trafalgarit (1805), syri tërhiqet nga një flamur i Unionit vetëm pjesërisht i dukshëm, por padiskutueshëm në plan të parë në të majtë. Edhe kjo pikturë është parë si një deklaratë e fuqishme nacionaliste, duke shënuar epërsinë detare të Britanisë dhe rolin e saj si fuqi globale pas betejës. Por, gjithashtu është interpretuar se është kundër luftës dhe kundër perandorisë, me kritikun e artit Jonathan Jones që përqendrohet te përshkrimi “problematik” i vuajtjes njerëzore në qendër të saj, me “një flamur gjigant britanik që noton, si qefin, mbi ujërat e trazuara”.

Në vitet më të fundit, flamuri i Unionit ka marrë një kuptim tjetër për disa qytetarë të Mbretërisë së Bashkuar. Autorja dhe kritikja Arifa Akbar i tha BBC-së: “Kam lindur në Londër, por si dikush me prejardhje pakistaneze, kujtimet e mia të para dhe formuese të fëmijërisë për këtë flamur lidhen ngushtë me Frontin Kombëtar dhe frikën shumë reale nga dhuna apo sulmi që përjetonin njerëzit që dukeshin si unë në Britaninë e viteve 1970-’80. NF-ja e përvetësoi flamurin britanik për qëllimet e veta dhe i dha atij ndërlidhje neveritëse me racizmin e dhunshëm”.