Infektuar: 98835
Shëruar: 83591
Vdekur: 2008
“Serbët e Kosovës, një popull i vuajtur”

“Serbët e Kosovës, një popull i vuajtur”

Dosier March 16, 2021 - 16:07

Vazhdim nga Bakalli jep dorëheqje

(Fragment nga libri i Muhamet Mustafës “Kapërcimi i vetmisë”, UET Press, Tiranë, 2016)

Image

Derisa po e bëja punën time të re në ekonominë e rrugëve, po punoja edhe me Asllanin në Prishtinë në aktivitetet pas demonstratave dhe po e ndihmoja. Debatet dhe diskutimet ishin mjaft të ashpra dhe të mundimshme. U hapën një mori çështjesh e më së shumti sforcohej “problemi” i shpërnguljes së serbëve. Për këtë u akuzuan institucionet e Kosovës dhe gjoja presioni i organizuar në shumë fronte. Derisa po e diskutonim këtë, njëri nga Prishtinasit e vjetër, Boro Dërmonçiq, tha se njerëzit shpërngulen sepse u bie më mirë:

- Shesin këtu me çmime më të larta pasuritë e patundshme dhe shkojnë në Serbi, blejnë më lirë ku ka më shumë hapësirë për punësim dhe kushtet e jetesës janë më të mira.

Kjo shkaktoi pakënaqësi tek serbo-malazezët e tjerë, që flisnin se shpërnguljet ishin rezultat i presionit ndaj serbëve në shumë forma dhe pasojë e “albanifikimit” postbrionian të Kosovës. Intervenime të tilla të sinqerta si kjo e Dermonçiqit, jo vetëm të serbëve dhe malazezëve, por edhe të shqiptarëve, do të kishte gjithnjë e më pak. Këtu ishte edhe një problem që pak diskutohej. Te pjesa e konsiderueshme e serbëve dhe malazezëve, që për një kohë të gjatë ishin mësuar me privilegje, korrigjimi i pozitës së keqe të shqiptarëve gjatë kursit pasbrionian u dukej presion. Një pjesë e atyre që kishin qenë eksponentë të shtetit policor të Rankoviqit ishin shpërngulur me gjithë familjet e tyre. Situata kishte ndryshuar ngase në punësim dhe shumë aspekte duhej të merreshin në konsideratë më shumë shqiptarë për ta ndryshuar gjendjen. Po nuk ishte ndërprerë as punësimi i serbëve dhe të tjerëve. Problemi i punësimit ishte bërë një problem edhe për serbët, jo vetëm për shqiptarët. Më herët ata nuk e kishin problem këtë. Në Serbi, sidomos në qytetet industriale: Kragujevc, Kralevë, Beograd, mund të gjenin më lehtë punë; çmimi i tokës dhe patundshmërive, siç e thoshte atë ditë edhe Boro, në Kosovë ishte të paktën 50% më i lartë se në Serbi. Kishte ndoshta aty-këtu edhe provokime primitive se “ja, tash është koha jonë” nga shqiptarë kapadainj. Kishte ndoshta nga serbët të tillë që shpërnguleshin, ngase nuk mund ta duronin atë që ata e merrnin si “albanifikim” të Kosovës, po ky ishte një shkak anësor. Kryesori ishte ai efekti ekonomik që e shtruam këtu. Për të arsyetuar se gjoja presioni për shpërngulje ekzistonte, shtypi i Beogradit shpikte e fabrikonte përditë edhe tregime bizare, gjoja për dhunime të planifikuara femrash, për dëmtim varrezash ose zmadhonte shumëfish problemet që zakonisht ndodhin kudo në botë. Më vonë kur Komiteti Qendror i LKJ-së do të aprovojë një platformë për Kosovën, do të lansohet një program që përmbante projekte, politika dhe masa specifike për pengimin e shpërnguljes dhe kthimin e serbëve dhe malazezëve të shpërngulur. Kjo ishte një pako e diskriminimit pozitiv, por që shkonte edhe deri në absurd, si ajo e ndalimit të shitblerjes së pasurive të patundshme midis shqiptarëve dhe serbëve. U krijuan trupa koordinimi për zbatimin e këtij programi deri në nivel të komunave. Po shpërngulja vetëm u ngadalësua e kthimi i të shpërngulurve ishte simbolik, edhe në fakt më tutje kishte një zvogëlim të numrit të serbëve në Kosovë. Ishte interesant se nga debatet e bujshme pas demonstratave të vitit 1981 po dilte një rezultat absurd, një ironi. Shqiptarët qenkan ngritur në demonstrata pasi situata e serbëve në Kosovë paska qenë e mjerë dhe ata po sakrifikoheshin me burgje e të tjera për ta përmirësuar pozitën e serbëve (!!!), midis të tjerash duke revokuar të drejtat që hynin në të ashtuquajturën “Politikë e barazisë nacionale” dhe autonominë e gjerë politike e territoriale të Kosovës. Ato ditë nuk bëhej fjalë për hallet e problemet e shqiptarëve.

Në planin personal po mbetesha i angazhuar vetëm si anëtar i forumeve, që ende ruanin përbërjen e njëjtë si para demonstratave. Në disa nga mbledhjet ndodhi që edhe të sulmohem, sidomos nga D. Cveiq (koleg nga Organizata e Rinisë, që më shumë njihej si dhëndri i Dushkos) dhe Dane Dimiq (funksionar i veteranëve), po kërkonin përgjegjësinë time, por derisa Asllani ishte duke kryesuar forumet e Prishtinës, ajo mbetej me diskutimet e tyre. Kam mësuar se edhe Ali Shukriu kishte kërkuar të njëjtën gjë në Kryesinë e Komitetit Krahinor të LK-së, duke e arsyetuar atë me faktin se nacionalizimi shqiptar arriti kulmin te rinia gjatë kohës sa unë isha kryetar. Duke e kundërshtuar, Azem Vllasi e kishte pyetur: “A thua vetëm pikërisht kur ishte Muhameti, as më herët, as më vonë”, por insistimet e tilla sa ishte Veliu aty nuk mund të kalonin. Nga mesi i vitit u bënë ndryshime në krye të LK-së të Prishtinës. Asllani shkoi drejtor i “Rilindjes”, kurse punën e tij e mori Nebi Gashi. Konstelacioni i forcave ende ishte i tillë sa ende mund të pengonte një fushatë çfarë kërkohej nga bartësit e nacionalizmit serb në Kosovë dhe nga udhëheqësia e Serbisë. Pas largimit të Asllanit disa nga kundërshtarët e mi po e shihnin se kisha një punë të mirë në ekonominë e rrugëve, e cila edhe më linte mjaft hapësirë për të punuar në studimet e doktoratës, po e konsideronin këtë situatë timen me xhelozi ose si të pamerituar. Për të lehtësuar një kërkim përgjegjësie po tentonin të më dërgonin në organizata problematike në aspektin financiar, por edhe politik, me një prezencë të fuqishme të nacionalizmit serb, sidomos në Hekurudhat e Kosovës. Refuzova këto oferta, por ata po vazhdonin të insistonin dhe të problematizonin refuzimin tim. I kërkova këshillë Asllanit. Duke qenë një mendje me mua për refuzimin, Asllani më këshilloi që menjëherë të shkoj tek ata dhe t’ua bëj me dije se e kuptoj që insistimi i tyre është një politikë e tërthortë për të krijuar një situatë ku do të kërkohet përgjegjësia ime. Do t’u thosha “mos u lodhni, kërkojeni atë përgjegjësi që tani nëse është e nevojshme, unë po jua lehtësoj punën. Sapo kam marrë një punë të re dhe nuk dua përsëri të dal në punë tjetër të re”.

Këto tendenca ishin kundërshtuar edhe nga Azemi dhe Veliu, e bile edhe nga Sinan Hasani dhe pas kësaj pushuan. Në fakt, ndërrimet nga funksioni do ta përfshijnë edhe Xhavid Nimanin, cili po ashtu dha dorëheqje. Por kur kjo po ndodhte disa delegatë (deputetë) Kuvendi kishin shtruar edhe përgjegjësinë e Dushko Ristiqit për situatën në Kosovë. Këtë e kishte aprovuar edhe Fadil Hoxha dhe edhe Dushko ishte detyruar të jepte dorëheqje. Tani Xhavidin do ta zëvendësojë Ali Shukriu, kurse në Kryesinë e Komitetit Krahinor pas Veliut do të vijnë: Sinan Hasani, Ilaz Kurteshi dhe Azem Vllasi. Gjatë viteve 1982 – 1988, deri kah mesi i vitit 1986 po mbahej një status quo dhe dukej se gjendja po shkonte kah stabilizimi, por atëherë në skenë u paraqitën Miloseviqi dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë. Euforia nisi përsëri, por për këtë më vonë. Pas vitit 1982 unë formalisht mbeta vetëm në aktivin e gjerë politik të Prishtinës, por jo edhe në funksionet e tjera politike (në Komitetin Krahinor të LK-së dhe në Komitetin Komunal të Prishtinës). Pasi më përfundoi mandati i parë nuk u propozova që të rizgjidhesha.

Vazhdon...