Infektuar: 98835
Shëruar: 83591
Vdekur: 2008
Bakalli jep dorëheqje

Bakalli jep dorëheqje

Dosier March 15, 2021 - 13:11

Vazhdim nga Kundërrevolucion

(Fragment nga libri i Muhamet Mustafës “Kapërcimi i vetmisë”, UET Press, Tiranë, 2016)

Image

Diku kah fundi i prillit, fillimi i majit, u mbajt mbledhja e Komitetit Krahinor të LK-së, në të cilën u prezantua një raport i gjatë, një lloj analize lidhur me shkaqet e demonstratave dhe për gjendjen politike që ishte krijuar. Përmbajtja e raportit nuk më pëlqeu, ishte e njëanshme dhe dukej sheshit se aty ishte tendenca për ndryshime në konfiguracionin politik. Raporti merrej pothuajse vetëm me nacionalizimin dhe irredentizmin shqiptar, ishte aty edhe kualifikimi i tentimit për kundërrevolucion, sulmohej universiteti dhe rritja e shpejtë e tij, sulmohej mossyçelësia ndaj luftimit të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, bashkëpunimi kulturor dhe universitar me Shqipërinë shihej si njëri nga faktorët që kishte nxitur nacionalizmin e kështu me radhë. Bisedova me disa që kishin qenë në grup me Ali Shukriun për përgatitjen e këtij raporti dhe ua shpreha pakënaqësinë time me përmbajtjen. Kaq mundëm, - thanë pothuajse të dorëzuar. Edhe diskutimi kryesisht pothuajse po shkonte në këtë vijë, me disa përjashtime të vogla, ndër to, sa mbaj mend, ishte edhe diskutimi i Asllanit. Vendosa të diskutoja. Isha i shqetësuar dhe i brengosur. Intuita po më thoshte se gjërat po merrnin një kahje të rrezikshme. Derisa po bëja konceptin e diskutimit m’u afrua Petar Kostiq dhe jo pa ironi tha:

- Po e shoh se je preokupuar shumë, nuk është e domosdoshme të diskutosh, në nëntekst më thoshte se ai sikur e dinte që nuk më jepej t’i dënoja demonstratat.

- Paj, thashë, po e marr si obligim që të them diçka që unë e shoh pak më ndryshe sesa ju.

I vlerësova demonstratat të dëmshme për stabilitetin politik dhe ekonomik dhe marrëdhëniet ndëretnike siç e mendoja në të vërtetë, thashë se duhet të luftohen gjithë nacionalizmat, sepse ata nxisin njëri-tjetrin, kritikova tendencat që të denigrohet universiteti dhe inteligjenca, thashë se kërkesa dhe parulla “Kosova Republikë” duhet të diskutohet dhe vlerësohet, por ajo nuk mund të cilësohet si shkatërrim i Jugosllavisë dhe kundërrevolucion, fola se një nga burimet e nacionalizmit shqiptar është edhe pozita jo e mirë e shqiptarëve, veçanërisht në Maqedoni dhe se këtë e kisha vërejtur edhe këto ditë në aktivitetin politik. Për habi, diskutimi kaloi ashtu si një jehonë e vetmuar, nuk më sulmoi kush, as nuk më përkrahu, ndonëse sinqerisht po e llogaritja se mund të sulmohesha. Kur po e bisedoja këtë me Ismailin (Berisha), ai më tha se pa këtë diskutim ajo mbledhje do të ishte e mangët. Po, - i thashë, por është pothuajse pa kurrfarë efekti. Diku kah fundi i diskutimeve Mahmut Bakalli mori fjalën dhe pasi dha vlerësimet e veta për situatën dhe paraqiti dorëheqjen e parevokuar nga pozita e kryetarit, më shumë u përqendrua në politikën e Partisë së Punës së Shqipërisë, propagandën e tyre dhe nxitjen që po u bënin grupeve të cilat vepronin në ilegalitet. Fjali i tij në fakt ishte një lloj mallkimi për atë politikë. Tha se historia do ta provojë se kjo ishte e gabueshme dhe e dëmshme. Dikur më vonë Fadil Hoxha u paraqit me një diskutim me tone mjaft dramatike, duke kërkuar angazhim më të madh për ta sanuar situatën brenda universitetit dhe intelektualëve atje, ishte i dëshpëruar me një lloj pasiviteti ose oportunizmi atje, në nëntekst shihej se ai po thoshte se kjo po u krijonte hapësirë forcave të tjera që po e sulmonin universitetin, por kjo nuk pati shumë ndikim në rrjedhën e diskutimeve. Mbledhja përfundoi me aprovimin e dorëheqjes se Mahmutit, aprovimin e vlerësimeve dhe përfundimeve. Ky plenum në fakt po hapte një rrugë për fuqizim të një vije tjetër politike. Shpejt pas mbledhjes edhe profesor Gazmend Zajmi jep dorëheqje nga pozita e rektorit të Universitetit në hovin e modernizimit të këtij institucioni dhe pak më vonë edhe Pajazit Nushi dha dorëheqje të imponuar nga detyra e zëvendëskryeministrit për arsim, shkencë dhe kulturë për së paku tri mandate. Ai kishte bartur barrën e madhe në realizimin e projekteve të zhvillimit impresiv të arsimit, kulturës dhe shkencës, kur brenda një dekade Kosova krijoi pothuajse të gjitha institucionet nacionale të kulturës deri tek Akademia e Shkencës dhe e Arteve. Pajazitit i shihej për të madhe edhe bashkëpunimi me Shqipërinë në këto fusha e edhe fakti se ai kishte qenë në krye të festimit madhështor të 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit në qershor të vitit 1978.

Mahmuti, Gazmendi dhe Pajaziti përbënin një trio, që më së miri simbolizonte inteligjencën e krijuar në Kosovë, e cila kishte pasur një rol të spikatur në atë lloj renesance që përmendet për Kosovën e viteve ’70 të shekullit të kaluar. Largimi i tyre fuqizonte ato tendenca që në vazhdimësi ishin munduar të pengojnë ndryshimet në Kosovë të filluara më 1966-n. Synimet ishin më tepër se të qarta dhe përtej me një përvijim intuite po më shfaqeshin situata që më largonin gjumin. Mahmuti la funksionin e kryetarit të LK-së, por ende kishte mbetur në Kryesinë e partisë. Nuk shkoi shumë dhe më thirri Qemajli (Hasani).

- Kam për të ta dhënë një lajm të mirë, po më thoshte. Ai atëherë punonte në udhëheqësinë e Komitetit të Prishtinës, para Agimit kishte qenë edhe ai lider i organizatës së rinisë. Edhe me të ishim të afërt dhe bisedonim pa doreza. U takuam shpejt dhe më tha se, sipas të gjitha gjasave, vendin e Mahmutit do ta zinte Veli Deva. Ai ia kishte lënë këtë funksion Mahmutit dhe po e merrte atë nga ai. Kjo do të thoshte një zhvillim i mirë. Veliu ishte autoritar dhe i vendosur. Nuk mund të merrej në lojë dhe po bisedonim se ai do të mundte, në mos ta ndalte krejtësisht këtë turr, atëherë do ta zbuste. Skifterëve të nacionalizmit serbomadh vërtet gëzimi i shkarkimit të Mahmutit u mbeti përgjysmë, por ata nuk e kishin ndërmend të ndaleshin. Shpalosën një sërë projektesh, që si duket i kishin parapërgatitur për një lloj situate të tillë. Krijuan një eufori shoviniste në shtyp: për pozitën e rëndë të serbëve në Kosovë, për shtypjet e rënda që ata u ekspozoheshin për t’u shpërngulur nga Kosova, për projektin e albanizmit të Kosovës për lidhjen e establishmentit politik me nacionalizmin dhe se profesorët eminentë dhe ata në Akademinë e Shkencave në fakt ishin nacionalizmi vetë; nataliteti i lartë i shqiptarëve i përshkruhej projektit nacionalist të albanizmit. Thuajse i gjithë shtypi i Beogradit bënte garë për të vjellë sa më shumë vrer kundër shqiptarëve. Shihej se kjo në fakt ishte pjesë e politikës së udhëheqësisë serbe, e mbështetur nga ajo e Malit të Zi dhe e Maqedonisë. Pati ca reagime kundër nga intelektualë serbë, si Dragosavaq, funksionar i lartë serb nga Kroacia, Bogdan Bogdanoviq, kryetar i Beogradit, Koço Popoviq dhe Milos Miniq, të dy ish-ministra të jashtëm të Jugosllavisë, por këto ishin përjashtime që vetëm vërtetonin një homogjenizim nacional - shovenist serb në vijën antishqiptare. Ata po aktualizonin tani në mënyrë shumë më primitive gjithë atë që kishim parë në “Librin e kaltër” dhe po konsideronin se ky është momentum i tyre që nuk duhej humbur. Dukej se strategjinë dhe politikat i kishin pasur të gatshme, për t’i aktivizuar në momentin e përshtatshëm. Presioni në fillim ishte në stilin se “ja çfarë ndodhi në Kosovë, gjithë ajo hata, kundërrevolucion dhe kush dha përgjegjësi, askush”. Kërkonin diferencimin në gjithë Universitetin, në Akademi, në “Rilindje”, në Qendrën Klinike, në institucione, diferencim dhe dënime me gjyqe. Veliu po mbahej mirë dhe nuk po lejonte të fillonte fushata e spastrimit në Universitet e gjetiu. Kërkonte diskutim dhe mobilizim e jo fushatë. Mirëpo presioni sa vinte e rritej.

Po kërkohej me ngulm përgjegjësia edhe politike e Mahmut Bakallit dhe të tjerëve. Në këtë lloj atmosfere presioni, edhe pas vendimit të Kryesisë së LKJ-së, u formua një grup për përcaktimin e përgjegjësisë politike të Mahmut Bakallit, ku përpos dy funksionarëve nga Kosova, ishte edhe sekretari i LK-së i Serbisë. Ishte hera e parë pas më shumë se një dekade e gjysmë që një funksionar partiak nga Serbia hynte në një trup punues partiak te ne. Nuk di si ndodhi kjo, po nuk ishte një shenjë e mirë. Në fund të majit ose në fillim të qershorit 1981 Komisioni paraqiti raportin, i cili propozonte që Mahmuti të dënohej me parapërjashtim nga LKJ-ja dhe natyrisht me këtë hiqej nga Kryesia e Komitetit Krahinor të LKJ-së. Krahas tij, propozohej që të dënoheshin edhe Shaban Hyseni, drejtor i Radio Prishtinës dhe Haki Dautaj, sekretari i LK-së në Deçan, ngase ata kishin hequr fotografinë e Titos nga një sallë, ku duhej të mbahej një koncert i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve nga Tirana. Ata kishin refuzuar të mbanin koncertin nëse fotografia do të ishte aty dhe këta të dy, si duket, edhe pse ata nuk e kishin pohuar, pas konsultimeve me Mahmutin e kishin hequr fotografinë. Përbërja e Komitetit Krahinor ende ishte e njëjta. Diskutime që do ta kundërshtonin ose mbështesnin raportin sa mbaj mend nuk pati shumë, por kur erdhi puna te votimi për masat e propozuara, Qerim Gashi, nga Klina, për shumë vjet funksionar partiak, kundërshtoi propozimin për dënim. Megjithatë raporti dhe masat u hodhën në votim të hapur, herën e parë kishte një hezitim votimi dhe nuk ishte e qartë se kush e si votoi dhe u hodh edhe një herë në votim. Kësaj here vetëm 13 anëtarë të Komitetit ishin kundër dënimit të propozuar për Mahmutin. Po shikoja përreth dhe kur pashë se edhe ing. Nazmi Mustafa kishte ngritur dorën kundër, isha krenar. Edhe unë isha midis atyre që kishin votuar hapur kundër raportit dhe masave të propozuara. Nuk mund të votoja ndryshe, po nuk mund të them se nuk pata një siklet, jo ndoshta në nivel të dilemës, po një siklet po. Supozoja se mund të ketë pasoja në karrierën politike dhe të vështirësohen të gjitha. Mirëpo nuk më bëhej të votoja pro raportit që më dukej se ishte në funksion të rikonfigurimit të establishemtit politik në Kosovë dhe të shumëçkaje tjetër që do të vinte pas kësaj.

Gjatë atyre ditëve u problematizua edhe fakti se delegacionet zyrtare të Kosovës, që kishin shkuar në Shqipëri, nuk kishin informuar fare Ambasadën Jugosllave në Tiranë dhe nuk e kishin kontaktuar atë gjatë qëndrimit atje. Midis tyre ishte edhe Sahit Krasniqi, udhëheqës i Bashkësisë së Kulturës, që ishte një punëtor shumë i vyeshëm dhe i aftë. Ai kishte pasur edhe darkë zyrtare me ministren e Kulturës atje. U detyrua të jepte dorëheqje. Ato ditë m’u kujtua edhe takimi ynë i paplanifikuar me ministrin e Sportit, më pak se një vit më parë. Vetëm prisja kur do ta vënë në rend dite, por kjo si duket u kishte ikur, nuk e kishin regjistruar, si duket ngase vizita jonë edhe nuk kishte qenë zyrtare, po kush pyeste për këto detaje në situatën e krijuar, kur kërkoheshin vetëm kurbane. Përpos presionit që bëhej nga niveli federativ dhe nga Serbia për të hapur fushatën e dënimeve, në favor të kësaj ishin edhe pothuajse i tërë grupi i ashtuquajtur antigjakovar, që kishte kundërshtuar zgjedhjen e Mahmutit më 1977-n. Oponentët tash duhet se shihnin rastin e tyre për të bërë karrierë, ndonëse disa prej tyre intimisht nuk pajtoheshin me politikën që impononte Serbia. Disa të tjerë mendonin se kjo furi do të kalonte, ose do të ndalej nga Federata pas disa masave ideopolitike. Ata nuk po e kuptonin se Serbia kishte nisur luftën për ndryshime radikale për të korrigjuar konfiguracionin konstitucional dhe politik, që do t’i mundësonte asaj ta rikthejë dhe ta forcojë dominimin në fillim në Kosovë dhe pastaj edhe më gjerë në planin jugosllav. Ky fakt dëshpërues për oportunizmin dhe mendjelehtësinë karrieriste po ia lehtësonte punën Serbisë.

Jo shumë pas kësaj kah mesdita me thirri Ibro (Jusufi) të shkoja në një kafe përballë Tuakbahçes, tha se ishte me Mahmutin dhe Sadriun (Godanci). Më duket se ishte ditë vikendi ose festë, sepse kafeneja ishte përplot dhe mysafirët duket se kishin konsumuar mjaft pije dhe ushqim. Ibroja ishte nga kuadrat e vjetra nga Mazgiti, afër Prishtinës, konsiderohej si boshnjak, por deklarohej dhe veten e konsideronte shqiptar. Ishte njëri i këndshëm dhe i pranueshëm e me shumë shokë nga të gjitha nacionalitetet. Me Mahmutin njihej gjatë, kishin punuar bashkë edhe në Prishtinë. E donte sinqerisht atë dhe kishte dalë në kafene me të që disi t’ia tregonte solidaritetin atij dhe mospajtimin me çfarë kishte ndodhur. Sadriu ishte më i ri, i moshës sime, kishim shoqëri që nga gjimnazi dhe më vonë. Babai i tij kishte punuar në Llap si komandant i policisë në Podujevë, një kohë bukur të gjatë dhe njihej për qëndrim burrëror dhe korrekt. Këtu një digresion i vogël. Më bien në mend fjalët e tij sa herë që takoheshim, kur jetonte në Gremnik, afër Klinës, në pension, ai çdoherë m’i thoshte fjalët e njëjta me ato që m’i thoshin babai, axha Jakup Fana, një burrë shumë i mirë, njëlloj si fjalët e mixhës Adem Murtezi, nga Truda, afër Prishtinës, me të cilët u bëmë miq shtëpie, kur vajza e vëllait u martua për nipin e tij Bashkimin. Që të tre gati rregullisht, sa herë që rrinim në odat e tyre, nuk linin pa thënë, me një diskurs identik: “Kujdes, ruajuni allahile, se mos ua bëjnë ndonjë sherr, asnjëherë mos u zini besë serbëve, ata ju mashtrojnë dhe në secilin moment mund ta pësoni nga ata”.

E dija se këto brenga të tyre ishin një vetëdije e shtresuar me shekuj dhe se duheshin të merreshin seriozisht. E dija se politika moderne nuk bazohej në mbajtjen e fjalës ose “besës”, se gjithnjë duhet të llogaritësh, edhe të supozosh alternativat e kundërshtarit dhe si në teorinë e lojërave të ndërtosh skenar për aksionet e qëndrimet politike, për të siguruar një optimum me atë që quhet arti i së mundshmes. E dija se të parët tanë ishin djegur shpeshherë me parimet e besës së dhënë në politikë dhe të them të drejtën asnjëherë nuk i kam marrë pa rezervën e domosdoshme qëndrimet e serbëve dhe të tjerëve, sepse këtë lloj vetëdijeje e kisha të shtresuar edhe në familjen time, edhe te dajat edhe miqtë. Megjithatë, tash nuk ishte koha e fjalës e besës, po e politikave, ligjit e dokumenteve, por gjithnjë e edhe parimeve morale etike. Kjo ishte dhe ka mbetur hapësira ku unë formoj qëndrimet politike me këto parime brenda asaj që quhet arti i së mundshmes, por pa i shikuar gjërat nga prizmi i një momenti konjuktural, po në parime dhe afatgjatë. Aty duhej nxjerrë optimumi, po e gjitha brenda vijave të kuqe, përtej të cilave nuk bëhet kompromis.

Tymi, pijet dhe ushqimi e kishin ngrohur atmosferën. Ne të katër po bisedonim lidhur me atë se çfarë po ngjet, pa e vërejtur shumë se në kafene kishin hyrë gjashtë policë të njësisë speciale federative me tërë armatimin dhe kishin zënë këndin në një tavolinë te dera. I zoti i kafenesë, prishtinas nga familja Fana, po refuzonte t’i shërbente dhe situata gati plasi. Ia bëra me shenjë t’i shërbejë. Se edhe ashtu po supozoja se ata po e kërkonin incidentin dhe se nuk kishin ardhur rastësisht. Kafeneja filloi të elektrizohet nga prania e tyre, disa gjysmë të ndehur filluan të vinin ta përshëndesin Mahmutin dhe ta përqafojnë, tash policët filluan të shikojnë vëngër tavolinën tonë. Përfitova nga rasti kur Mahmuti veçse ishte shkëputur nga një përqafim dhe u thashë të ngrihemi menjëherë dhe të dalim. Ibro dhe Mahmuti kundërshtuan pakëz, por unë ua përsërita së dyti shumë seriozisht dhe pas pak ne u ngritëm e dolëm, fatbardhësisht pa ndodhur ndonjë telashe më e madhe.

Vazhdon