Kundërrevolucion

Kundërrevolucion

Dosier March 12, 2021 - 12:45

Vazhdim nga 1981

(Fragment nga libri i Muhamet Mustafës “Kapërcimi i vetmisë”, UET Press, Tiranë, 2016)

Image

Në atë kohë Këshilli i Sigurisë i Kryesisë i RSFJ-së doli me një analizë të situatës së sigurisë dhe, sipas të gjeturave të një grupi të udhëhequr nga anëtari i Kryesisë nga Maqedonia, Lazar Kolishevski, demonstrata në Kosovë do të cilësohet tejet e ashpër si tentim kundërrevolucioni nga pozitat nacionaliste dhe iredentisite. Nuk kishte bërë punë kundërshtimi i Mahmut Bakallit dhe i Fadil Hoxhës për këtë. Menjëherë pas kësaj ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme dhe në pajtim me këtë edhe ora policore. Institucionet e Kosovës ishin shpallur jo të zonjat ta mbanin situatën nën kontroll, andaj armata me tanke doli në rrugët e Prishtinës dhe gjetiu në Kosovë. Kishte edhe të shtëna me armë, ku zyrtarisht humbën jetën nentë veta, pati shumë të plagosur dhe të burgosur. Situata ishte tejet e tensionuar dhe tash sulmi nga funksionarët serbë e malazezë dhe funksionarë të Serbisë e të Federatës po drejtohej kundër udhëheqësisë së Kosovës, si e paaftë dhe si tolerante ndaj veprimit të nacionalizmit dhe bashkëpunimit të njëanshëm me Shqipërinë, që, si thoshin ata, thuajse ishte reduktuar vetëm në relacionin Shqipëri – Kosovë. Ora policore u vendos nga ora 19:00 në mbrëmje deri në 6:00 të mëngjesit. U ndaluan gjithë tubimet publike dhe kjo ndikoi që gradualisht të qetësohet situata sa u përket protestave, por tensionet po rriteshin gjithnjë e më shumë. Udhëheqësia e Kosovës u ndodh në një sandviç sulmi. Nga opinioni dhe përkrahësit e demonstratave nga njëra anë dhe në anën tjetër nga lobi serbo-malazez në Federatë, nga udhëheqësia e Federatës e bile edhe nga disa republika si Bosnjë e Hercegovina, sepse, siç thoshin ata, kështu po shkatërrohej Jugosllavia e Titos. Kishte vetëm aty-këtu ndonjë zë nga intelektualet kroatë dhe sllovenë ose nga gazetat e atjeshme që po e kundërshtonin këtë diskurs. Lidershipi politik i Kosovës po humbte iniciativën, kishte rënë në defensivë, kurse zëdhënësit e nacionalizmit serb, të “Librit të kaltër” dhe nostalgjikët e periudhës parabrioniane po ngrinin kokë dhe po sulmonin dhe po e spikatnin si të gabueshme politikën ndaj Kosovës pas Brioneve. Krahas udhëheqësisë, po sulmohej sidomos Universiteti i Kosovës (Kështu quhej atëherë UP-ja), që cilësohej si “Kështjella e nacionalizmit”, pastaj Akademia e Shkencave dhe Arteve, bartësit më eminentë të inteligjencës kulturore dhe teknike. Në një situatë të tillë të nderë Fadil Hoxha erdhi nga Beogradi dhe mbajti një fjalim dramatik para aktivit politik të Prishtinës, ku prezantoi atë që kishte vendosur Kryesia shtetërore, i sulmoi ashpër demonstratat dhe organizatorët e tyre, por edhe nacionalizmat e tjerë, kërkoi që udhëheqësia e Kosovës të mobilizohej dhe ta merrte iniciativën. Fjalimi në disa sekuenca ishte shumë i ashpër ndaj organizatorëve të demonstrative (“bira e miut 300 qese”, “plehu i Kosovës” etj.) dhe kjo nga shumë iu pa për të madhe Fadilit atëherë dhe i shihet ende. Unë krahas këtij dimensioni fjalimin e tij po e shihja një si tentim të tij që institucionet e Kosovës ta marrin iniciativën dhe të dalin nga defensiva, ngase nga aty mund të kishte vetëm zmbrapsje. Në atë situatë m’u duk se po krijohej pak hapësirë për të dalë nga ajo lloj strukjeje. Fjalimi i tij u ngrit mbi zhurmën e tankeve. Sipas asaj që kisha dëgjuar, Fadili ishte frikësuar shumë se gjithçka do dilte jashtë kontrollit e do të pasohej me viktima dhe edhe masakra, për të cilat si duket e dinte se ishte e gatshme një pjesë e madhe e establishmentit ushtarako-policor serb. Këtë po ma thoshte edhe axha Nazmi, tha se e kishte gjetur shumë të pikëlluar.

“Asnjëherë nuk kemi qenë në rrezik më të madh”, i kishte thënë ai Nazmiut.

Sido që të jetë, një pjesë e madhe e shqiptarëve të Kosovës ato ditë ishin të dëshpëruar me fjalimin e Fadilit. Edhe në atë kohë ne e kishim humbur kodin e komunikimit të ndërsjellë me popullin. A mund të mbahet një qëllim i përbashkët? Vështirë, sepse në këtë fazë divergjenca në veprime i kishte vendosur shumë larg njëri-tjetrit krahët tanë – atë institucional dhe organizatat ilegale drejt atij qëllimi dhe kjo kishte një kosto të lartë për të dyja palët, natyrisht për Kosovën.

Në përgatitje të seancës së Komitetit Krahinor, ku duhej të jepej vlerësimi përmbledhës, diku kah fundi i prillit ishte krijuar një komision, që udhëhiqej nga Ali Shukriu, për ta përgatitur analizën e shkaqeve të demonstratave dhe punën e mëtejme politike. Derisa ky raport po përgatitej, zhvillohej një aktivitet politik në organizata të partisë e edhe me studentë. Nga këto tubime duhet përmendur një diskutim shumë karakteristik dhe përmbajtjesor, që u bë me studentët e vitit III të Fakultetit Ekonomik. Pas fjalimeve hyrëse që bënë disa kolegë, pasuan diskutimet shumë të pjekura dhe pyetjet jo të lehta për të dhënë përgjigje. Në një moment, derisa njëri nga profesorët autoritarë të luftë për afirmim të shqiptarëve e që ishte një nga bartësit e themelimit të universitetit, prof. Hajredin Hoxha, por demonstratat i konsideronte të dëmshme, po e diskutonte pozitën kushtetuese të Kosovës dhe po thoshte se Kosova përfiton edhe nga pozita si element konstitutiv i Federatës, edhe duke marrë pjesë në Serbi me disa funksione dhe kjo ia siguronte disa përparësi, njëri nga studentët e pyeti:

- Pasi qenka aq mirë të jesh krahinë autonome, përse republikat nuk kërkojnë të bëhen krahina, por është e kundërta?

- Të lutem, tha, a do ta marrësh këtë pyetje të përgjigjesh ti?

- Jo, i thashë, ata ta bënë ty këtë pyetje, jo mua!

Kishte pyetje edhe për ngecjen ekonomike dhe pozitën e pabarabartë ekonomike. Disa profesorë, që gjatë ligjëratave ishin paraqitur shumë patriotë para studentëve, tash ishin strukur ose nuk ishin fare aty. Kur disa studentë cituan çfarë njëri nga ta u kishte thënë mbi eksploatimin e Kosovës, atë e thirrën disa kolegë, jo pa keqdashje, që të deklarohej, por filloi të belbëzonte dhe ne vend që ta diskutonte çështjen që ishte ngritur, po ja tha “ne nuk kemi ende produkte cilësore, për shembull qumështit që prodhohet në Fushë-Kosovë i vjen era”. U bë një reagim ndaj kësaj dhe u pa tërë mjerimi i një pjese të Inteligjencës. Edhe ky profesor i marketingut po më përngjante me profesorët e asaj shkollës së mesme, që rrinin brenda në shkollë pa u mërzitur shumë se çfarë po ndodh me nxënësit e tyre. Ajo që ra në sy sidomos ishte trajtimi i pozitës së rëndë të shqiptarëve në Maqedoni përmes diskutimeve, komenteve dhe pyetjeve. Studentë edhe nga Maqedonia po merrnin shumë shembuj të pabarazisë atje, e cila në shumë segmente po ngjasonte me pozitën e shqiptarëve në Kosovë, para vitit 1966. Kjo ishte një mbledhje mjaft e rëndë, por nga ana tjetër më mbushi me një kënaqësi për nivelin e studentëve dhe të pyetjeve të tyre. Në organizatat e partisë filluan të kritikohen ata që kishin qenë në specializime në Shqipëri. Një koleg boshnjak kërkoi të diskutohet rasti i profesor Selman Selmanajt, që kishte magjistruar edhe në Beograd e doktoruar në Zagreb, në fushën e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Për çudi profesorët e tjerë nuk po reagonin. I thashë se kjo nuk ishte çështje partisë, ishte çështje e kërkimeve shkencore dhe ai nëse kishte vërejtje profesionale, mund të botonte një vështrim lidhur me këtë, por ai nuk e kishte hallin aty.

Ato ditë u vendos që një grup aktivistësh të shkonin në Gjermani dhe në vende të tjera për të biseduar me punëtorët nga Kosova që punonin atje, pasi edhe midis tyre ishte elektrizuar situata. Edhe mua më ra rasti të isha pjesë e kësaj lloj ekspedite. Pata shumë biseda, duke filluar nga Hanoveri, Bremeni, Kili, Osnabriku dhe më së shumti në Hamburg. Kudo isha i pritur përzemërsisht nga punëtorët shqiptarë që ishin shumë të brengosur. Punëtorët nga viset e tjera menjëherë fillonin me sulme ndaj udhëheqjes shqiptare të Kosovës, sidomos ndaj Bakallit. Biseda më e vështirë ishte në Hamburg. Atje pashë shumë punëtorë të revoltuar dhe përsëri shumica e atyre nga më të dëshpëruarit ishin shqiptarë nga Tetova dhe Maqedonia Perëndimore. Kur e takova konsullin jugosllav në Hamburg, që ishte nga Maqedonia (Magdeski), ia thashë se duket se një problem real qëndron me pozitën e shqiptarëve në Maqedoni, pasi u dhanë shumë argumente për këtë.

- Paj, a e di si, filloi ai, shqiptarët në Maqedoni kanë një mendim të gabueshëm, po thoshte. Ata mendojnë se duhet të kenë të njëjtat të drejta si shqiptarët në Kosovë, e që nuk është reale, pasi shqiptarët në Kosovë kanë autonomi e në Maqedoni këtë nuk e kanë.

- Nuk po ju kuptoj, thashë. Ata nuk kërkuan institucione shtetërore autonome, ata po kërkojnë shkollimin në gjuhën amtare në të gjitha nivelet, po kërkojnë që shqipja të bëhet gjuhë zyrtare, që administrata të jetë në dy gjuhë, po kërkojnë barazi në punësim në institucione publike e shtetërore dhe këtë ua garanton Kushtetuta Federative.

- Po e teprojnë, tha.

- Nuk po shoh ndonjë teprim këtu, i thashë, por po shoh më shumë një politikë joadekuate te ju!

Bisedat me studentë e edhe këto biseda me punëtorë po më përforconin një përshtypje se një pjesë e mllefit të madh që u shpreh në demonstrata, pos probleme sociale e ekonomike, ishte e lidhur edhe me problemet e shqiptarëve në Maqedoni. Bëra një vështrim për këtë problem në raportin që e shkrova, e theksova edhe në diskutimet e mia në konsultat që bënim, por kjo tërhiqte fare pak vërejtje në kakofoninë që ishte krijuar. /Zëri

Vazhdon...