Infektuar: 73048
Shëruar: 61986
Vdekur: 1649
Xhavid Nimani: Dëshmi për një epokë, 1945 -1981 (VIII)

Xhavid Nimani: Dëshmi për një epokë, 1945 -1981 (VIII)

Dosier February 15, 2021 - 14:35

Mua, Fadilin dhe Mamutin na akuzonin si “Grupi gjakovar”

Prof. dr. Agim Zogaj

Është menduar se politikanët sllovenë i kishim përkrahës, por rasti me Eduard Kardelin po tregonte një tjetër histori. Megjithatë, udhëheqja e Kosovës Eduard Kardelit i kërkoi ballafaqim, prandaj ai kishte ardhur në Kosovë.

Sllovenët i kishin përkrahur aspiratat dhe planet e Serbisë

Nimani: Natyrisht, sepse argumentet ishin në anën e Kosovës, fjala ishte për Kushtetutën e vitit 1974, e cila ishte arritur me mjete legale, me bisedime disavjeçare politike të popullit të Kosovës, nuk na e kishte falur askush, pra as Serbia dhe as Tito. Madje më 1977-n, duke e ditur se Kardeli kishe rënë pre e politikave agresive, nacionaliste antishqiptare të Serbisë, e ftuam për një vizitë në Kosovë. Po ashtu e dinim se ai ishte bashkëpunëtori më i afërt dhe më i besuar i Titos. Bisedat me të, pra lidhur me tendencat e Serbisë, të shprehura në dokumentin zyrtar të Serbisë, me emrin “Libri i Kaltër”, i zhvilluam edhe në Brezovicë, kuptohet pa praninë e asnjë udhëheqësi të Serbisë. Ai takim ishte shumë sekret, gjë që kuptohej edhe nga kërkesa e Eduard Kardelit, pra përfaqësues të cilin e kishte dërguar Tito në Kosovë dhe i cili paraprakisht na dha ultimatum që të mos incizohej takimi. Në të gjitha takimet, si në nivel federativ, si në “Librin e Kaltër”, folëm hapur dhe i kundërshtuam tendencat e Serbisë që të revidohej Kushtetuta e vitit 1974 si tendencë e hapur nacionaliste, serbomadhe, pra me objektivin për t’i zvogëluar kompetencat, të drejtat kushtetuese të Kosovës dhe për t’i kthyer një hap prapa: afirmimin politik, nacional, kulturor e ekonomik të shqiptarëve të Kosovës dhe të hungarezëve të Vojvodinës. Veçmas kundërshtimi ynë i rreptë ishte me Eduar Kardelin, të cilit ia bëmë me dije që udhëheqja dhe populli i Kosovës nuk tërhiqen për asnjë milimetër nga të drejtat e shqiptarëve të Kosovës, të fituara, të garantuara me Kushtetutën e Kosovës.

Personalisht isha dëshmitar i debateve shumë të rënda politike, të cilat ne si shqiptarë të Kosovës i kishim me përfaqësuesit e Serbisë në nivel të Federatës jugosllave, por edhe në forumet e tjera. Është për t’u theksuar se edhe në “Librin e Kaltër” dhe tendencat e Serbisë përkrah udhëheqjes së Serbisë ishin edhe udhëheqësit e Malit të Zi dhe ata të Maqedonisë. Pra, gjithnjë në periudhën e viteve 1974-1981, kemi pasur konfrontime të vazhdueshme jo vetëm me udhëheqjen e Serbisë, por edhe me udhëheqjen e Malit të Zi, të Maqedonisë, herë-herë edhe me përfaqësuesit e Bosnjës e të Sllovenisë, të cilët herë-herë i përkrahnin tendencat shoviniste të Serbisë. Qëndrim konstruktiv ndaj çështjes së Kosovës kanë mbajtur përfaqësuesit e Kroacisë. Sa për argumentime historike të konfrontimeve dhe sulmeve kundër udhëheqjes së Kosovës, madje me akuzat se ne po u krijojmë hapësirë grupeve nacionaliste, që asokohe cilësoheshin si grupe ilegale marksist-leniniste, të përkrahura dhe të nxituara nga Shqipëria. Po e përmend fjalën e Stane Dollancit, kuadër i Sllovenisë në Federatën Jugosllave, pas vdekjes së Eduard Kardelit personi më i besueshëm dhe më i afërt i Titos, fjalë të cilën e kishte paraqitur në kursin e mbrojtjes për funksionarët politikë në Beograd. Fjala e Dollancit ishte aq e rëndë dhe kishte karakter të akuzave brutale ndaj neve udhëheqësve të Kosovës. Qëllimi i tij ishte diskreditimi i disa udhëheqësve të Kosovës, të cilët ishim në pozitat me rëndësi politike shtetërore. Për hir të objektivitetit historik, e them me argumente të plota se Stane Dollanci, edhe pse slloven, një përkrahës i Serbisë, para se ta kishte mbajtur këtë ligjëratë në kursin e sipërpërmendur, paraprakisht siç kishim kuptuar ne udhëheqësit e Kosovës, ai kishte biseduar me Eduard Kardelin, por edhe me Titon. Për më tepër, mund të them se ai kishte intriguar te Kardeli dhe Tito kundër ne udhëheqësve të Kosovës konkretisht dhe në veçanti kundër Fadilit, Mahmutit dhe meje, ekipi, treshja, që pas vitit 1981 Serbia do të na akuzonte si “Grupi gjakovar”, udhëheqës të cilët e kanë inspiruar veprimtarinë e grupeve ilegale atdhetare shqiptare. Këtë situatë ne e kuptuam edhe nga takimi me Eduard Kardelin, në një udhëtim me “me trenin e kaltër”, duke udhëtuar në Mal të Zi. Me atë rast në prezencën e Dollancit dhe të Drazha Markoviqit, kryetar i Serbisë, unë reagova te Kardeli lidhur me akuzat e Dollancit, të cilat akuza na i paraqiti një ditë me parë në Beograd. Eduard Kardeli nuk reagoi, nuk dha gjykim për fjalën e Dollancit, por e akuzoi ashpër Mahmut Bakallin dhe e quajti megaloman, prepotent, mendjemadh, karrierist, politikan, lider shqiptar i cili, sipas Stane Dollancit, po imponohej sikur është lideri i të gjithë shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Biseda me Kardelin u ndërpre, nga ana e tij, në momentin kur Tito erdhi në sallonin e trenit zyrtar, në të cilin ishim ne. Këtë çështje unë e shtrova hapur edhe në mbledhjen e Kryesisë së Kosovës menjëherë pas kthimit tim në Kosovë, me ç’rast Kryesia e Kosovës e gjykoi ashpër fjalën e Dollancit. Sa u përket kritikave dhe sulmeve të vazhdueshme të serbëve dhe të sllovenëve, maqedonasve e malazezëve kundër Bakallit, më duhet të them se ata nuk e duronin Bakallin edhe për arsye të rivalitetit politik, liderit dhe aftësive politike që ai i kishte në raport me shumë udhëheqës jugosllavë. Po ashtu Mahmut Bakalli e kishte një përkrahje të theksuar politike nga Tito, ndaj edhe ky element i shqetësonte tej mase udhëheqësit serbë dhe të tjerët.

Serbia dhe përkrahësit e saj sigurisht që e shikonin me dyshim thellimin e bashkëpunimit të marrëdhënieve Kosovë – Shqipëri...

Ne ishim të vendosur për bashkëpunim Kosovë - Shqipëri

Nimani: Unë theksova më herët se objektivi i tretë i politikës së atëhershme të Kosovës (1974-1981) ishte fuqizimi i bashkëpunimit dhe i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Shqipërisë, ai ishte objektivi ynë kombëtar dhe ai objektiv po realizohej me vendosmërinë edhe të Tiranës zyrtare, Në vitet e ’70-ta Fadil Hoxha, përmes ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Beograd, disa herë kishte marrë porosi të caktuara nga Tirana zyrtare, që realisht ato porosi për bashkëpunimin Kosovë – Shqipëri vinin nga Enver Hoxha. Kishte edhe forma të tjera të komunikimit të Kosovës me Shqipërinë e që realizoheshin nga vizitat e delegacioneve të Kosovës në Shqipëri, siç ishin në fushën e kulturës, të arsimit, të sportit e sidomos bashkëpunimi midis ndërmarrjes botuese “Rilindja” me shtëpinë botuese “Naim Frashëri” në Tiranë. Më kujtohet fare mirë kur pas demonstratave të vitit 1881 filloi procesi i diferencimit politik nga ana e Serbisë në mbledhjet e niveleve më të larta të Kosovës, u kritikua ashpër bashkëpunimi i Kosovës me Shqipërinë. Madje, fjala vjen, Rexhep Zogaj u shkarkua në shtator të vitit 1981 nga detyra e drejtorit të “Rilindjes” me akuzën e bashkëpunimit me Shqipërinë, bashkëpunimin intensiv midis NGBG “Rilindja” dhe shtëpisë botuese të Tiranës “Naim Frashëri”. Në një mbledhje të Kryesisë së LK-së të Kosovës Ali Shukriu, ndër të tjera, duke kritikuar bashkëpunimin me Shqipërinë, iu drejtua Rexhep Zogajt, drejtor i NGBG “Rilindja”, për të cilin tha se mban përgjegjësi, sepse asnjëherë nuk ka folur për pretendimet territoriale të Shqipërisë ndaj Jugosllavisë. Kuptohet, ishte një paraqitje e ashpër, antikombëtare dhe proserbe e Ali Shukrisë, i cili, i etur gjithmonë për pushtet, kishte vlerësuar se po i vinte koha, rasti , siç në fakt edhe i erdhi.

Në këtë periudhë, pra para demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, fill pas vitit 1974, ne si udhëheqje e Kosovës ishim të bindur se gradualisht Lidhja Komuniste e Kosovës do të duhej të pavarësohej plotësisht nga Lidhja e Komunistëve të Serbisë. Thjesht, ne synonim ta kishim pavarësinë e njëjtë sikur edhe organizatat e Lidhjes Komuniste të Republikave. Ai ishte qëndrim yni i vendosur dhe i arsyeshëm, sepse edhe në të tjerat fusha të jetës shoqërore, ekonomike, kulturore, sportive, akademike, arsimore etj. ne ishim drejt forcimit të subjektivitetit të Kosovës si njësi e barabartë federative, pra drejt pavarësimit të plotë nga ndikimi dhe ndërhyrjet e Serbisë.

Kjo do të thotë se ne si udhëheqje e Kosovës e dinim, e kuptonim se për një pavarësi sa më të plotë të Kosovës nuk ishte e mjaftueshme vetëm Kushtetuta e vitit 1974 e Kosovës, por duhej të siguronim, të fitonim pavarësi të plotë, edhe me Statut, të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës.

Qëndrimi i Serbisë në vazhdimësi ishte kundër Kosovës

Serbia vazhdimisht kundërshtonte bashkëpunimin zyrtar të Kosovës me Shqipërinë...

Nimani: Po e përsëris se personalisht edhe Tito ishte përkrahës i bashkëpunimit të marrëdhënieve Kosovë - Shqipëri, ndërkohë që Serbia vazhdimisht na ka kritikuar. Tito e përkrahte bashkëpunimin me Shqipërinë edhe nga arsyet e gjeopolitikës së atëhershme. Ishte një nivel i lartë i ballafaqimit, i mosmarrëveshjeve, i garës midis paktit NATO dhe Paktit të Varshavës, ndërsa Tito disa herë e ka deklaruar se në rast të ndonjë lufte në nivel rajonal botëror, sidomos midis blloqeve Perëndim – Lindje, ne Shqipërinë do ta kemi aleate ushtarake. Ndoshta ka pasur të drejtë të mbajë shpresë në Shqipërinë, sepse Shqipëria prejse doli nga Pakti i Varshavës, më 1961-n, ishte e pavarur, nuk e mbështeste asnjërin bllok. Së fundi, bashkëpunimi në fushën e arsimit, të kulturës dhe të shëndetësisë midis Kosovës dhe Shqipërisë mundësoi komunikimin e lirë midis shqiptarëve andej e këndej kufirit. Tito në kontaktet me ne udhëheqësit e Kosovës vazhdimisht e theksonte nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve me Shqipërinë. Sidomos çështjen e bashkëpunimit, siç e theksova më lart, e shihte edhe në prizmin e mbrojtjes ushtarake të Jugosllavisë në rast të ndonjë lufte në rajon. Në këtë periudhë ne udhëheqja e Kosovës kemi pasur takime përkatëse me udhëheqësit e Maqedonisë dhe të Malit të Zi për harmonizimin e aktiviteteve në lidhje me thellimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, në ato takime ka pasur ide dhe mirëkuptime, por gjithashtu janë shfaqur edhe qëndrime negative. Për shembull, në gjysmën e dytë të vitit 1980 në Shkup është mbajtur mbledhja e të gjithë kryetarëve të kryesive të republikave dhe të krahinave, në të cilën mbledhje kanë marrë pjesë edhe Llazar Kolishevski (udhëheqës i lartë i Maqedonisë, eksponent i politikës brutale serbe, jugosllave, maqedonase kundër Kosovës dhe popullit shqiptar në ish-Jugosllavi), Vidoja Zharkoviq (udhëheqës i lartë i Malit të Zi, anëtar i Kryesisë së Jugosllavisë) dhe kroati Josip Vrhoveq, sekretar i Punëve të Jashtme të ish-Jugosllavisë. Meqë në rend dite ishin marrëdhëniet me Shqipërinë, në atë mbledhje mori pjesë ish-ambasadori jugosllav në Tiranë, Lipkovski. Nga Kosova, përveç meje, ka marrë pjesë edhe Zejnullah Gruda, atëherë sekretar krahinor i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë. Duhet potencuar se qëndrimi i ambasadorit Lipkovski ishte jashtëzakonisht destruktiv, antishqiptar dhe se ai vazhdimisht nga Tirana në adresë të Ministrisë së Jashtme të Jugosllavisë dërgonte informata negative, tendencioze, për sjelljet e grupeve të shqiptarëve të Kosovës gjatë vizitave të tyre nëpër Shqipëri. Në këtë kontekst po e përmend vërejtjen shumë të ashpër të ambasadorit Lipkovski në lidhje me takimin e profesor Hajredin Hoxhës dhe të bashkëpunëtorëve të tij, i mbajtur në Krujë me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun e udhëheqës të tjerë të Shqipërisë, edhe pse takimi me Enver Hoxhën ka qenë i rastit dhe kurtuazi. Gjithashtu, pra, gjithnjë në këtë kontekst në organet e Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes në Federatën jugosllave dhe në Republikën e Serbisë disa herë kemi rënë në kundërshtim lidhur me kërkesat e tyre për formimin e qendrave të spiunazhit jugosllav në Shqipëri përmes organeve tona të Kosovës ose përmes miratimit, përkrahjes sonë. Në bisedat, të cilat edhe personalisht i kam pasur edhe me ministrin e Brendshëm jugosllav, kroatin Franja Herleviq dhe gjeneralin serb Nikolla Lubiçiq, ministër jugosllav i Mbrojtjes, unë u kam bërë me dije si udhëheqje e Kosovës se kemi penguar një veprimtari të tillë spiunazhi nga ana jugosllave në shtetin shqiptar, duke theksuar se madje veprimtari të tilla janë kundërproduktive dhe nuk janë në frymën e bashkëpunimit ndërshtetëror. Edhe Tito asokohe, pra në vitet 1977, 1978, 1979, 1980, kishte gjykuar tendencat dhe përzierjet sekrete jugosllave në punët e brendshme të Shqipërisë. Edhe sekretari i atëhershëm i Punëve të Brendshme të Kosovës Mustafa Sefedini, në marrëveshje me mua, Fadilin e Mamutin, në bisedat me Franjo Herleviqin, Nikolla Lubiçiqin, si dhe Sergej Krajgerin, në mënyrë të vendosur kishte mbrojtur qëndrimin e Kosovës, në të cilin kundërshtohej çdo plan jugosllav për ndërhyrje në zhvillimet në Shqipëri.

- Vijon të hënën e ardhshme –

FEJTON EKSKLUZIV PËR GAZETËN “ZËRI”. TË GJITHA TË DREJTAT PËR RIBOTIM JANË TË REZERVUARA!