Infektuar: 73048
Shëruar: 61986
Vdekur: 1649
Xhavid Nimani: Dëshmi për një epokë, 1945 - 1981 (VI)

Xhavid Nimani: Dëshmi për një epokë, 1945 - 1981 (VI)

Dosier February 05, 2021 - 08:54

Përgatitjet për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi

Prof. dr. Agim Zogaj

Çështja e regjistrimit të turqve a u ndërlidh me shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi?

Qëllimi ishte dëbimi i shqiptarëve

Nimani: Po, çështja e regjistrimit të turqve qëllimisht ishte përgatitur si skenar i regjimit serb - jugosllav për të nxitur shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi. Ky plan u zhvillua në Kosovë e po ashtu edhe në Maqedoni. Kur u hap çështja e regjistrimit të turqve në Kosovë ne e kishim të qartë se qëllimi i Serbisë - Jugosllavisë ishte pakësimi, zvogëlimi i numrit të shqiptarëve. Edhe atëherë shovinistët serbë e kishin krijuar një lloj fobie ndaj elementit shqiptar, sidomos ndaj natalitetit shqiptar. Nacionalistët serbë dhe malazezë flisnin se: nëse shqiptarët me këtë natalitet të sotëm do të vazhdojnë, një ditë ata do të jenë në numër më të madh sesa serbët në Serbi. Pra, serbëve dhe malazezëve u pengonte nataliteti dhe rritja e numrit të shqiptarëve. E njëjta logjikë politike ishte edhe në Maqedoni, ku disa treva nga Tetova dhe Gostivari, që ishin të populluara me shqiptarë, regjimi - pushteti solli emigrantë maqedonas, të cilët i solli nga Greqia. Me një fjalë, regjistrimi i turqve, përkatësisht ndryshimi i dhunshëm i kombësisë, nga ajo shqiptare në atë turke, sikur në Kosovë, edhe në Maqedoni, ishte bërë me qëllim të zvogëlimit të natalitetit të shqiptarëve, si dhe me qëllim të shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi.

Në cilat rrethana në institucionet e atëhershme të Kosovës u hap çështja e shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi?

Nimani: Menjëherë pas hapjes së çështjes së pakicës turke, përkatësisht të regjistrimit të shqiptarëve si turq, filloi të pëshpëritej se shteti është duke përgatitur planin për shpërnguljen e qytetarëve të Kosovës për në Turqi, fillimisht duke pasur parasysh shpërnguljen e atyre të cilët ishin regjistruar si turq, por edhe të shqiptarëve të Kosovës. Në fakt, shteti po zhvillonte fushatë shumë të organizuar, në plan të parë sekrete, lidhur me realizimin e planit për shpërnguljen e shqiptarëve dhe të pakicës turke për në Turqi. Për herë të parë lidhur me këto aktivitete, këto plane, këto veprime dhe këtë propagandë, të zhvilluara në mënyrë shumë të fshehtë, por megjithatë që u bë publike, kisha dëgjuar, isha informuar nga Sinan Hasani, i cili atëherë ishte sekretar i organizatës së partisë në Gjilan. Ai pas bisedës që unë e pata me të këtë çështje e paraqiti, e ngriti në një mbledhje të Byrosë së Komitetit Krahinor. Pra, aktivitetet e para dhe realizimi i planit, i propagandës për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, fillimisht kishin nisur në rajonin e Gjilanit dhe të Kamenicës e më vonë ai filloi të përfshijë edhe komunën e Prizrenit, Rrafshin e Dukagjinit etj. Por paraprakisht aksioni për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi kishte filluar në mënyrë të organizuar përmes propagandës së shtetit. Ai aksion, i cili kishte për qëllim zbrazjen e Kosovës dhe të hapësirave etnike shqiptare prej popullit shqiptar, ishte përgatitur dhe organizuar me përpikëri, saqë çdo detaj ishte i përpunuar. Madje, dihej publikisht se çfarë mund të merrnin nga pasuria e tyre me vete ata që shkonin në Turqi, që shpërnguleshin, dhe çfarë jo. Në Maqedoni ky aksion kishte qenë shumë i përgatitur, i organizuar nga udhëheqja e Republikës së Maqedonisë, natyrisht në bashkëpunim me udhëheqjen e Serbisë dhe të Federatës Jugosllave. Ishte një rrjet i tërë, i cili vepronte me agjenturë shtetërore të UDBA-s, e cila e përhapte propagandën te shqiptarët dhe te pakica turke që të shpërnguleshin për në Turqi në numër sa më të madh. Letrat, ose thënë më mirë dokumentacionin për shpërngulje, që e mbante emrin “Visiket”, kanë qenë të përgatitura në Shkup dhe më pastaj janë shpërndarë gjithandej te shqiptarët dhe tek ata të cilët e konsideronin veten pakicë turke, pra në Maqedoni dhe në Kosovë.

Meqenëse çështja e propagandës dhe organizimit për shpërnguljen e shqiptarëve, jo vetëm të pakicës turke për në Turqi, po merrte hov të madh, nën organizimin e shtetit, ne në Kosovë vendosëm t’i dilnim përballë këtij aksioni, pra ta analizonim dhe ta ndalonim. Prandaj, vendosëm ta krijonim një komision shtetëror për të hetuar këtë fushatë, këtë organizim, këtë proces të shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi. Në krye të komisionit e emëruam anëtarin e Byrosë Politike, Ismet Shaqiri. Pas një periudhe kur komisioni e përgatiti një raport ne e shqyrtuam në mbledhjen e Byrosë Politike dhe veç të tjerash morëm një vendim që ata qytetarë, të cilët ishin deklaruar me përkatësi turke, nëse dëshirojnë mund të shpërngulen në Turqi, por ishim të vendosur që pjesëtarët shqiptarë nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë të lëshojnë vatrat e tyre, Kosovën, pra me asnjë kusht, as me kushtin e presionit, propagandës, detyrimit, kërcënimit etj. Në fakt ne, sidomos pjesëtarët shqiptarë, në mbledhjen e Byrosë insistuam që as pakica turke të mos lejohej të shpërngulej për në Turqi. Në atë mbledhje gjithashtu e trajtuam nga aspekti politik çështjen se cili ishte shkaku që edhe ndonjë familje shqiptare po pranonte të shpërngulej për në Turqi. Kjo ishte rezultat i propagandës, fushatës antishqiptare, fatkeqësisht e organizuar nga vetë shteti Jugosllav, nga udhëheqja e atëhershme e Serbisë, e Maqedonisë, me qëllimin themelor që Kosova të zbrazej nga elementi shqiptar, pra po ndodhte spastrimi etnik ashtu siç gjithmonë e kishin pasur për qëllim qeveritë nacionaliste serbomëdha. Ndërsa, në mbledhjen plenare të Komitetit Krahinor të Kosovës, ku i shtruam të gjitha këto çështje, të cilat i diskutuam thellësisht në detaje, unë i prezantova qëndrimet në emër të udhëheqjes politike të Kosovës, kërkuam që të qartësohen objektivat e atij plani antishqiptar, ndërkohë që nga të pranishmit, përveç Ymer Pulës, i cili mori pjesë në diskutim dhe më përkrahu, askush tjetër nuk foli. Në fund të këtij takimi, megjithatë, me insistimin tim dhe të Ymer Pulës, në procesverbal u nënvizua që duhet t’i ndriçojmë arsyet, shkaqet, të cilat e kanë shkaktuar aksionin e shpërnguljes së shqiptarëve dhe jo vetëm të pakicës turke në Turqi. Në përfundimet e këtij takimi politik u mor qëndrim që kurrsesi shqiptarëve të mos u lejohet shpërngulja për në Turqi. Ndërsa, sa u përket pjesëtarëve të vetëdeklaruar si pakicë turke, u vlerësua se mbi bazën e vullnetit të tyre qytetar dhe etnik ata janë të lirë të marrin vendim për vetveten dhe familjet e tyre. Vendim tjetër nga ky tubim ishte që duhet kundërshtuar dhe duhet marrë masa politike ndaj gjithë atyre, të cilët përmes presionit, dhunës, kanë përhapur propagandën për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Ka qenë konstatim i padiskutueshëm politik se propaganda e organizuar përmes agjenturave shtetërore për t’i detyruar shqiptarët dhe të tjerët të shpërngulen në Turqi ishte propagandë armiqësore. Në këtë pikë madje ne morëm vendim politik që personat, të cilët kanë përhapur propagandë, përmes dhunës, agjenturës, spiunazhit, kërcënimit madje, duhet edhe të burgosen. Nga ana e pushtetit të atëhershëm, në nivel të Kosovës, u kemi dërguar shkresë të gjitha rretheve, qarqeve, komunave, që në asnjë mënyrë të mos lejojnë shkuarjen, shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Po ashtu kemi kërkuar që të ndiqen penalisht të gjithë ata të cilët kanë shpërndarë “Visika” dhe që kanë propaganduar për shpërngulje. Gjithashtu, kemi marrë vendim që në secilën komunë të mbahen tubime publike dhe të shpjegohen qëndrimet tona politike, pra të udhëheqjes së Kosovës, duke kërkuar që popullit t’i qartësohet të mos shpërngulet për në Turqi. Në komitetin shqiptar kemi dhënë udhëzim që në ato tubime me popullin të jepnin sqarime personalitetet shqiptare me influencë, ndikim, autoritet, duke u kërkuar që qytetarëve, popullit t’i shpjegohej rreziku i asaj propagande për shpërnguljen në Turqi. Madje, Fadil Hoxha kishte shkuar për të biseduar lidhur me këtë çështje edhe në Beograd, tek Aleksandar Rankoviqi. Pas rënies së Rankoviqit nga pushteti, pra pas vitit 1966, ne e kuptuam edhe më qartë se pikërisht Aleksandar Rankoviqi pra kishte qenë personi i cili e kishte kontrolluar zbatimin e këtij projekti, plani, veprimi antishqiptar. Më kujtohet fare mirë që Alush Gashi dhe Ymer Pula, si anëtarë të Këshillit Ekzekutiv të Serbisë, në arshivën e Këshillit Ekzekutiv të Serbisë, e kishin gjetur një dokument të nënshkruar nga Aleksandar Rankoviqi lidhur me planin sekret për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi...

Aksioni i mbledhjes së armëve ishte ndër kapitujt më të errët për Kosovën

Po ashtu aksioni famëkeq i mbledhjes së armëve kishte për qëllim shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova...

Nimani: Është e vërtetë, aksioni i mbledhjes së armëve, i zhvilluar në kohën e sundimit të Rankoviqit, një prej periudhave më të errëta për ne shqiptarët, kishte për synim defaktorizimin e popullit shqiptar të Kosovës, futjen e frikës në secilën familje, presionin, bërjen e jetës së shqiptarëve të pamundur në ato rrethana, me qëllim që të shpërnguleshin për në Turqi. Por aksioni i mbledhjes së armëve mendoj se në veçanti ka pasur për qëllim ta dobësojë rezistencën e shqiptarëve ndaj dhunës serbe, ta dobësojë vullnetin dhe gatishmërinë që të luftojmë për çlirim nga sundimi serb, jugosllav. Fillimisht, aksioni i mbledhjes së armëve është paraqitur sikur një aksion, i cili gjoja se ka nisur rastësisht. Kuptohet, qëllimi ka qenë që popullata shqiptare të çarmatosej, në mënyrë që në çfarëdo situate historike ta kishte të pamundur t’i rezistonte dhe t’i kundërvihej sundimit serb, jugosllav, edhe përmes ndonjë kryengritjeje të armatosur. Prandaj, pushteti kishte deklaruar që po e zhvillon aksionin e mbledhjes së armëve për çdo rast për t’u siguruar “që të mos ndodhë ndonjë kryengritje e popullit shqiptar të Kosovës “kundër pushtetit, regjimit serb, jugosllav. Në fakt, aksioni i mbledhjes së armëve ishte bërë me qëllim të caktuar, rritjen e presionit ndaj shqiptarëve, në mënyrë që si rezultat i presionit dhe i dhunës shqiptarët, pra edhe pjesëtarët, familje të cilat nuk kishin kurrfarë arme në shtëpitë e tyre, të detyroheshin për t’u shpërngulur. Aksioni kishte filluar në Pejë dhe në rrethinë, më vonë u zgjerua në mbarë Kosovën. Kuptohet, udhëheqësit e pushtetit të atëhershëm popullor, me aq sa kishin pasur mundësi, e kishin kundërshtuar aksionin e mbledhjes së armëve, sidomos kishin kundërshtuar metodat e dhunshme dhe të spiunazheve, të cilat ishin përdorur kundër familjeve shqiptare. Urdhrin për këtë aksion e kishte dhënë udhëheqja politike shtetërore e Serbisë dhe Jugosllavisë, kurse zbatimin e saj e bënte sigurimi shtetëror. Madje, sigurimi shtetëror (UDBA) propagandonte qëllimisht se te familjet shqiptare në Kosovë po gjejnë shumë armatim dhe se kjo paraqet rrezik për sigurinë dhe rendin kushtetues. Më kujtohet rasti kur Çedo Mijoviqi, shefi i UDBA-s për Kosovë, një antishqiptar i përbetuar, i dënuar pastaj pas rënies së Rankoviqit (1966), në një mbledhje të Komitetit Krahinor të Kosovës ndër të tjera kishte thënë se me gjithë këto armë të cilat po i zbulojnë te shqiptarët dhe po i mbledhin në Kosovë do të mundë të armatosej një divizion ushtarak. Në fakt, ajo çfarë kishte thënë Mijoviqi ishte një gënjeshtër, ishte një mashtrim, me qëllim të krijimit të atmosferës antishqiptare. UDBA me atë aksion synonte ta përhapte opinionin se shqiptarët janë të rrezikshëm për regjimin, për pushtetin dhe se ata me gjithë ato armë po përgatisin një kryengritje.

A keni pasur parainformacione për këto plane, veprime sekrete të UDBA-s dhe të politikës shoviniste serbe?

Nimani: E kam thënë edhe në fillim të intervistës, bashkëbisedimit tonë, se që në prag të përfundimit të luftës, pra në fillim të vitit 1945, 1946, 1947, 1948 dhe më pas e hetonim “dorën” e veprimit të shovinizmit serb dhe malazez, pra edhe të veprimeve, planeve sekrete të shtetit, të kontrolluara nga OZNA/UDBA. Është e vërtetë se sigurimi shtetëror - UDBA, në procesin e mbledhjes së armëve, kishte përdorur metodat më brutale, duke përdorur edhe metodën e detyrimit, presionit, që familje të tëra dhe individë të gjenin, pra edhe të blinin armë dhe pastaj t’i dorëzonin në polici. Pra, edhe ata persona, shqiptarë, të cilët fare nuk kishin pasur armë, si rezultat i presionit, dhunës dhe rrahjeve barbare në polici për të shpëtuar nga dhuna janë detyruar të blejnë armë dhe pastaj t’i paraqesin në polici sikur të ishin të tyre. Gjatë atij procesi ka pasur shembuj dhe raste të panumërta kur njerëzit i kanë ngritur natën nga gjumi dhe i kanë mbajtur me orë të tëra në bodrumet e policisë, duke u kërkuar që t’i dorëzojnë armët, të cilat ata në fakt nuk i kanë pasur. Ka pasur raste të panumërta kur policia i ka marrë shqiptarët natën dhe i ka futur në lumenj ose në borë, duke i mbajtur, kërcënuar, torturuar e detyruar që të pranonin se kanë armë dhe se do t’i dorëzojnë, sepse i kanë fshehur diku tjetër. Ka pasur raste kur policia vetë i ka lënë armët në oborr ose në ndonjë pjesë të shtëpisë dhe pastaj ka hyrë dhe i ka arrestuar pjesëtarët e asaj familjeje. Pra, në aksionin e armëve shërbimi i sigurimit shtetëror, UDB-ja, me urdhrin e institucioneve politike, ka përdorur të gjitha metodat dhe të gjitha mënyrat për të “zbuluar armët”, madje ka pasur raste kur për t’i shpëtuar dhunës, presionit, shqiptarët kanë shitur lopët etj. dhe kanë shkuar kanë blerë armë, madje edhe në Serbi, me qëllim për ta dorëzuar në polici. Shqiptarët janë marrë në pikë të natës dhe janë dërguar nëpër bodrumet e OZN-ës - UDBA-s, i kanë futur në pikë të dimrit në dëborë, në lumenj dhe ka pasur raste që edhe në ato rrethana shqiptarët kanë vdekur. Edhe sot e mbaj mend rastin e një të afërmi timit në Gjakovë, Ibrahim Xheravina, i cili për shkak të presionit të vazhdueshëm të policisë është detyruar të shkojë dhe të blejë pushkën në qytetin serb në Kurshumli dhe pastaj atë ia ka dorëzuar policisë në Gjakovë. Rastet e tilla janë të pafundme, ndërkohë që si rezultat i dhunës që policia e ka përdorur ndaj shqiptarëve, pra duke u bërë presion për të treguar se ku i kanë fshehur armët dhe pse nuk po i dorëzojnë, ka pasur shumë raste edhe të vdekjes së shqiptarëve si pasojë e torturave, të cilat janë përdorur kundër tyre. Me gjithë rrethanat e këtilla ne arritëm që si udhëheqje e Kosovës ta shtronim çështjen për diskutim në tubime politike, kështu që në një mbledhje, e cila u mbajt me kërkesën tonë, kërkuam që aty të vinin edhe përfaqësuesit e Serbisë dhe të diskutonim drejtpërdrejt për situatën dhe procesin e mbledhjes së armëve. Është për t’u theksuar se kur ne e hapëm çështjen zyrtarisht dhe kërkuam edhe prej tyre shpjegime, sepse Kosova nuk kishte status të autonomisë, as të krahinës, udhëheqësit e Serbisë, të cilët ishin në takim në Prishtinë, u bënë sikur nuk dinin asgjë për aksionin famëkeq të mbledhjes së armëve..... Pas kësaj mbledhjeje, e cila u mbajt në Komitetin Krahinor në Prishtinë, u dha urdhri që aksioni i mbledhjes së armëve të ndërpritet menjëherë. Pas plenumit të katërt të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, i mbajtur në Brione të Kroacisë, më 1966-n, pra pas rënies nga pushteti të famëkeqit Aleksandar Rankoviq, u hapën dosjet e sigurimit edhe për rolin e UDBA-s dhe të Rankoviqit në aksionin e mbledhjes së armëve në Kosovë.

- Vijon të hënën e ardhshme (8 shkurt) -

FEJTON EKSKLUZIV PËR GAZETËN “ZËRI”. TË GJITHA TË DREJTAT PËR RIBOTIM JANË TË REZERVUARA!