Infektuar: 58088
Shëruar: 50953
Vdekur: 1456
Xhavid Nimani: Dëshmi për një epokë, 1945 -1981 (II)

Xhavid Nimani: Dëshmi për një epokë, 1945 -1981 (II)

Dosier December 21, 2020 - 10:57

Kuvendi i Prizrenit mori vendime nën diktatin e serbëve dhe të jugosllavëve

Prof. dr. Agim Zogaj

Ndërkohë, në rrethana edhe të presionit, edhe të tradhtisë, por edhe të mashtrimit, u mbajt Kuvendi i Prizrenit (korrik 1945)

Qëndroj ballëhapur para gjyqit të historisë

Nimani: Tanimë, kryesisht, dihen rrethanat historike, politike e ndërkombëtare në të cilat është mbajtur Kuvendi i Prizrenit, në korrik të vitit 1945, një Kuvend i imponuar në frymën e politikës gllabëruese dhe shoviniste të Serbisë dhe Jugosllavisë, Kuvend i cili mori vendimin që Kosova t’i bashkohej Republikës së Serbisë. Personalisht nga kjo distancë historike, pra duke i pranuar edhe vetë gabimet dhe dështimet që i kemi pasur si udhëheqës shqiptarë, mendoj se në Kuvendin e Prizrenit ndoshta ka qenë e mundur të kërkohej që Kosova të mbetej e lidhur drejtpërdrejt me Federatën Jugosllave dhe kurrsesi të mos i bashkohej Serbisë. Shpeshherë, mjerisht, pas atij Kuvendit të Prizrenit, çështjen e kam menduar, në kontekstin e kundërshtimit, që të lidheshim me Republikën e Serbisë, por ta kishim krijuar lidhjen e drejtpërdrejtë me Federatën Jugosllave, për çka nuk ka pasur as gjasa minimale... Por tanimë kjo është histori e mbaruar, me pasoja të mëdha, të përgjakshme për Kosovën. Ndryshe, në Kuvendin e Prizrenit, korrik 1945, në të cilën morën pjesë delegatët e Konferencës së Bujanit, si dhe delegatët që u zgjodhën nga ana e këshillave të rretheve nga të gjitha anët e Kosovës, është shqyrtuar puna e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit prej themelimit e deri në korrik të vitit 1945. Raportin lidhur me këtë e ka paraqitur Pavle Joviçeviqi, lidhur me situatën politike në Kosovë referatin e kam paraqitur unë, ndërkaq Rezolutën për bashkimin e krahinës së Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit në kuadër të Republikës së Serbisë në të dyja gjuhët e ka lexuar Predrag Ajtiqi. Në atë Rezolutë Krahina e Kosovës dhe Rrafshi i Dukagjinit konstituohen si bashkësi politike-shoqërore kompakte me organet e veta të pushtetit popullor.

Si u bë që me aq lehtësi u la anash Rezoluta e Bujanit dhe Kosova iu “bashkëngjit” në mënyrë arbitrare Republikës së Serbisë...? Ku mbeti kauza e LANÇ-it, proklamatat se Kosova me përfundimin e luftës do të jetë e lirë dhe e mëvetësishme?

Nimani: Dua të jem i qartë dhe i drejtpërdrejtë përballë historisë kombëtare dhe të them se bashkimi i krahinës së Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit me Republikën e Serbisë, duke u aprovuar në Kuvendin e Prizrenit, u bë drejtpërdrejt me diktatin e udhëheqjes më të ngushtë të Partisë Komuniste të Serbisë dhe Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Ne, udhëheqësit komunistë shqiptarë, u dorëzuam para atij presioni, por edhe para asaj vetmie historike, sepse PKSH-ja e as ndonjë fuqi antifashiste botërore nuk e kishte në rend dite çështjen e fatit të Kosovës. Më 18 shkurt 1945 në Byronë e KQ-së të PKJ-së janë ftuar për takim Fadil Hoxha dhe Milladin Popoviqi. Temë qendrore e takimit ka qenë arritja e marrëveshjes rreth statusit të Kosovës në Federatën Jugosllave. Në mbledhje kanë marrë pjesë: Eduard Kardeli, Aleksadar Rankoviqi, Sreten Zhujoviqi, Millovan Gjillasi, Bllagoje Neshkoviq, Milladin Popoviqi dhe Fadil Hoxha. Pra, siç po shihet, kjo mbledhje, në të cilën u mor vendim për statusin e Kosovës, është mbajtur gati pesë muaj para Kuvendit të Prizrenit. Gjithnjë sipas dëshmive të Fadil Hoxhës, bëhet e ditur se në atë takim Eduard Kardeli ka paraqitur mendimin që krahina e Kosovës, për kohën në fjalë, duhej të mbetej nën Jugosllavinë Federale. Kardeli kishte potencuar se meqë shumicën e popullatës në Kosovë e përbejnë shqiptarët, zgjidhja me normale edhe sipas parimeve marksiste-leniniste do të ishte që Kosova t’i bashkohej Shqipërisë, mirëpo sipas tij situata politike është e atillë që një veprim i tillë, sidomos nga reakcioni serbomadh, do të sillte probleme të mëdha. Kardeli e kishte mbështetur idenë e tij edhe në situatën, gjendjen e atëhershme në Serbi, kur forcat çetnike ende ishin në veprim. Kardeli, me gjasë, i është referuar edhe gjendjes në Shqipëri, e cila, sipas tij, ende nuk ishte stabile dhe të cilës po i kërcënohej agresioni grek. Nga pikëpamja e Kardelit, nëse ndërkohë situata stabilizohet në Shqipëri dhe në Jugosllavi, atëherë do të bëhej e mundur zgjidhja e problemit të Kosovës. Kardeli kishte qenë edhe më i drejtpërdrejtë, duke thënë se pozita e krahinës së Kosovës nuk mund të mbetet ashtu siç është (pra e lidhur me Federatën). Prandaj, në atë takim të mbajtur në Beograd, Kardeli, që në fakt ishte ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Titos, kishte shpalosur dy opsione: Kosova duhej të lidhej me njërën nga njësitë federale, republika të ish-Jugosllavisë, ose, edhe më keq, Kosova, territori i saj duhej të ndahej në tri pjesë, të cilat veç e veç do të ishin të lidhura me tri republikat fqinje (Serbi, Mal të Zi, Maqedoni). Këtë pikëpamje Kardeli e argumentonte duke u nisur nga fakti se Kosova gjatë Jugosllavisë mbretërore kishte qenë pjesë e tri njësive territoriale administrative, të ashtuquajtura Banovina.

Sipas dëshmive, Fadil Hoxha dhe Milladin Popoviqi kishin kundërshtuar ndarjen e Kosovës në tri pjesë, prandaj është vendosur që Kosova të mbetej tërësi territoriale. Dilema kishte qenë Kosova t’i bashkohej Serbisë ose Malit të Zi, me ç’rast udhëheqësit e atëhershëm jugosllavë në mbledhjen e sipërpërmendur, duke pasur parasysh se Mali i Zi ishte republikë më pak e konsoliduar, atëherë vendosën që Kosova t’i bashkëngjitej Serbisë. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se në ato situata aq dramatike e të rënda, nëpër të cilat po kalonte Kosova, pra më 1945-n, ne si udhëheqje e atëhershme shqiptare e Kosovës, megjithatë, vlerësuam se duhet shpëtuar ajo që mund të shpëtohej, pra që Kosova të mbetej një tërësi territoriale, të mos copëtohej në tri pjesë. Kjo për arsye sepse e dinim që më asnjëherë në histori Kosova nuk do të mundë të bëhej si tërësi territoriale, si Kosovë unike. Pra, në rrethanat e tilla, nuk do të kishim krahinë të Kosovës, as Kushtetutë të vitit 1974 dhe, siç po dëshmon historia, as Kosovë të çliruar nga Serbia. Fadil Hoxha, në atë takim, e kishte marrë fjalën dhe kishte kundërshtuar që Kosova të ndahej në tri pjesë, duke i takuar Serbisë, Malit të Zi dhe një pjesë Maqedonisë.

Fadili, në një rrethanë aq dramatike, kishte këmbëngulur që doemos të ruhej tërësia territoriale e Kosovës. Pra, qoftë kjo edhe duke iu bashkëngjitur Republikës së Serbisë.

Tani, nga kjo distancë historike, është e lehtë të shtrohen pyetjet përse ishte bërë ai përcaktim, përse ishte bërë ai gabim historik, ai vetëmashtrim dhe vetëtradhti, përse së fundi Kosova nuk e vazhdoi luftën dhe të mos binte, sërish, nën sundimin serb/jugosllav. Gjithnjë duhet pasur parasysh rrethanat rajonale, ndërkombëtare pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndarjen e sferave të interesit, ndarjen e dy blloqeve, perëndim – lindje.. Është e kotë dhe joracionale të kritikohet edhe udhëheqja e Shqipërisë, sepse Shqipëria nuk mund të fillonte luftë të re për Kosovën, ndërsa Greqia kishte pretendime të hapura ndaj jugut të Shqipërisë. Po ashtu SHBA-ja dhe Anglia nuk e njihnin qeverinë e Shqipërisë, pra, për më keq, pavarësinë e Shqipërisë. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, pastaj më 1945-n, 1946-n, 1947-n..., as pavarësia e Shqipërisë nuk ishte e garantuar. Në radhë të parë, për shkak se në Shqipëri u instalua regjimi komunist. Ministri i jashtëm britanik, Antony Iden, në përfundim të luftës deklaronte hapur: “... vendosja e regjimit, në Shqipëri, me forcën e armëve, nuk do të pranohet, nuk do të njihet...”. Prandaj, realisht, nuk kishim shumë hapësirë, mundësi, që të kërkonim ndihmën e PKSH-së, të Shqipërisë.

Në këtë kontekst, edhe pse nuk i dimë ende të gjitha detajet rreth qëndrimit të udhëheqjes së Shqipërisë ndaj çështjes së Kosovës (si gjatë luftës e sidomos në vitet e para të pasluftës, si dhe në të gjitha rastet kur mes dy palëve është biseduar për këtë çështje, duket se pikëpamjet e udhëheqjes së Shqipërisë nuk kanë dalluar shumë nga ato të udhëheqjes së Jugosllavisë. Për këtë gjë duhet të bëhen hulumtime e të kemi njohuri të sakta, bie fjala në lidhje me qëndrimin e delegacionit të Shqipërisë, që e përbënin: Koqi Xoxe, Nako Spiro dhe Ramadan Çitaku, me rastin e bisedave të tyre me udhëheqjen e PKJ-së në Vis në vitin 1944, ose të njoftohet me saktësi se çfarë përfundimi është arritur në bisedën që Enver Hoxha e pati në Bled dhe në Beograd me Titon dhe me udhëheqësit e tjerë të Jugosllavisë. Me sa di unë, në atë kohë, në kontakte të kuadrove udhëheqëse nga Kosova me shokët e udhëheqjes së Shqipërisë, si dhe me ambasadorët e Shqipërisë në Beograd, që përndryshe ishin të rralla, nuk mund të vërehej asnjë dallim në qëndrimin e shokëve shqiptarë lidhur me vendimin e Kuvendit të Prizrenit nga qëndrimet që i kishte udhëheqja jugosllave.

Vëllai im, Elhamiu, ishte procesmbajtës në mbledhjen themeluese të PKSH-së

Është shkruar përgjithësisht, pa fakte dhe pa objektivitet, pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri, nëse Shqipëria ka mundur të bënte më shumë për Kosovën e sapodalë nga Lufta e Dytë Botërore... Çfarë ishte, çfarë është mendimi juaj për Enver Hoxhën?

Nimani: Secili person në histori, me luftën e tij, punën e përkushtimin, e ka rolin e vet, të cilin rol ia jep historia, por edhe që e përcakton me luftën e tij. Kjo, mendoj, vlen edhe për Enver Hoxhën, do të vlejë nesër edhe për mua dhe për këtë jam i ndërgjegjshëm, ballëhapur para gjyqit të historisë! Në fakt, disa të dhëna me të veçanta për Enver Hoxhën dhe personalitetin e tij i kam edhe nga kujtimet e tim vëllai, Elhami Nimani, i cili ishte procesmbajtës në mbledhjen themeluese të PKSH-së, detaj ky jo shumë i ditur, i njohur. Prandaj, lidhur me këtë fakt, pra të pjesëmarrjes së vëllait tim Elhamiut në mbledhjen themeluese të PKSH-së, më duhet të them se është shumë domethënës dhe dëshmon për përcaktimin e ne komunistëve shqiptarë për bashkëpunimin dhe bashkëveprimin nën udhëheqjen e PKSH-së. Por historia rrodhi ndryshe... Edhe sot në shumë botime historiografike ka pikëpamje, interpretime, polemika lidhur me të se në ç’rrethana u zgjodh Enver Hoxha sekretar i PKSH-së. Me sa kam kuptuar nga Elhamiu, por edhe nga ato pak takime që kam pasur me Enverin, ai ishte një njëri inteligjent, i kulturuar, i pajisur me teori marksiste, me kulturë shumë qytetare, perëndimore, nga luftërat që u bëheshin ish-grupeve komuniste në Shqipëri. Enver Hoxha ishte personi më i pranuar për bashkimin e ish-grupeve komuniste në një Parti Komuniste, për ruajtjen e unitetit në Parti e sidomos ruajtjen e unitetit dhe fuqizimit të tij gjatë LNÇ-së. Për meritat e tij gjatë luftës së LNÇ-së i mobilizoi masat shqiptare në luftë dhe mbi të gjitha Shqipërinë e çliroi me forcat e veta, me luftën e bijve dhe bijave trime shqiptare, pa ndihmën e asnjë ushtrie aleate. Enver Hoxha gjithashtu përmes KQ-së të PKSH-së ka ndihmuar për zhvillimin e luftës në Kosovë dhe çlirimin e Kosovës. Po ashtu merita e Enver Hoxhës qëndron në faktin se ai e bëri të pavarur Shqipërinë nga përpjekjet e vazhdueshme të jugosllavëve, për ta pasur nën kontroll Shqipërinë, në varësi të plotë nga Jugosllavia. Merita historike dhe kombëtare e Enver Hoxhes është edhe nga pavarësimi nga ndikimi rus, sovjetik dhe sidomos meritë e tij është dalja nga Pakti i Varshavës, që ishte veprim, vendim, historikisht i guximshëm, domethënës, duke e bërë politikën shqiptare krejtësisht të pavarur. Pas daljes së Shqipërisë nga Pakti i Varshavës për Perëndimin do të ishte i mirëseardhur bashkëpunimi me Shqipërinë. Enver Hoxha gjatë periudhës pas çlirimit si sekretar i partisë dhe kryetar i shtetit shqiptar ia doli ta ruajë pavarësinë e Shqipërisë, vendosi pushtetin e ri dhe ia doli ta pavarësojë Shqipërinë nga tentimet e jugosllavëve për ta bërë Shqipërinë të varur prej saj e më vonë edhe prej BRSS-së dhe Paktit të Varshavës dhe më në fund ia ruajti pavarësinë edhe nga Kina.

Por në Shqipëri gjatë regjimit të Enver Hoxhës vazhdimisht është zhvilluar luftë e ashpër për pushtetin në udhëheqësinë e Partisë së Punës, duke filluar nga Plenumi i Beratit, nga Grupi i Koci Xoxit e më vonë Tuk Jakovës e deri te vrasja e Mehmet Shehut. Në luftën për pushtet Enver Hoxha likuidoi gati tërë plejadën e revolucionarëve shqiptarë të LNC-së. Ai zhduki secilin që nuk mendonte si ai dhe që pati guximin dhe ta kundërshtonte botërisht. Në këtë luftë për pushtet ai përdori sistemin stalinist, i cili përdorej edhe në shtetet e Evropës Lindore në atë kohë.

Në vend se të punojë në demokratizimin e vendit, që ta hapë Shqipërinë karshi botës, ai zgjodhi forcimin totalitar të izolimit të Shqipërisë. Ky sistem pati pasoja negative për ekonominë dhe gjendjen sociale e politike në Shqipëri. Edhe ato pak tentime për t’u hapur karshi botës ishin shumë të kufizuara.

Shqipëria për shkak të mbylljes së politikës së izolimit dhe për shkak të sistemit totalitar nuk ia doli të shfrytëzojë mundësitë natyrore dhe kushtet që i ofronte pozita e saj si shtet i pavarur për të zhvilluar marrëdhëniet ekonomike me shtetet e tjera, duke menduar se pavarësia ruhet duke u mbështetur vetëm në forcat e veta, gjë që del nga Kushtetuta e asaj kohe, që ndalohej marrja e kredive ndërkombëtare për zhvillim.

Tani zhvillimi i ngjarjeve të reja në Shqipëri, krijimi i parlamentit shumëpartiak, fillimi i demokratizimit dhe bërja e hapave të parë të hapjes së vendit karshi botës kanë rëndësi të madhe rajonale për popullin shqiptar në Shqipëri, por edhe për të gjithë shqiptarët në Kosovë, si dhe kudo tjetër në regjion.

Në kohën e Informbyrosë komunistët shqiptarë në Kosovë kanë qenë kundër politikave që ai (Enver Hoxha) ndoqi si informbyroist i flaktë dhe zbatues i politikës së Stalinit si brenda Shqipërisë, ashtu edhe kundër Jugosllavisë. Ne jemi angazhuar gjithmonë për përmirësimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, duke pasur parasysh interesin e ngritjes së koshiencës nacionale të shqiptarëve që jetojnë në Jugosllavi. Në përmirësimin e marrëdhënieve kemi parë mundësinë që të rinjtë shqiptarë, të cilët jetojnë në Jugosllavi, të njoftohen me historinë, të kaluarën e popullit shqiptar përmes lidhjeve të enteve kulturore dhe arsimore për mundësimin që Shqipëria të afrohet si shtet amë. Në ketë mënyrë të influencohet në zhvillimin sa ma harmonik të popullit shqiptar që gjendet në Shqipëri.

Në politikë kemi pasur rezistencë nga ekstremistët serbë, malazezë, maqedonas e bile edhe prej atyre që paraqiteshin si internacionalistë. Për çdo iniciativë tonën reagimi ka qenë shumë i madh, sidomos prej atyre që ishin në pozita të larta në federatë, si dhe nëpër republika.

- Vijon të hënën e ardhshme -

FEJTON EKSKLUZIV PËR GAZETËN “ZËRI”. TË GJITHA TË DREJTAT PËR RIBOTIM JANË TË REZERVUARA!