Trajneri i Kroacisë, Daliq flet për ndeshjen ndaj Argjentinës dhe taktikat ndaj Messit
Trajneri i Kroacisë, Zlatko Daliq ka thënë se ekipi i tij do të duhet të jetë në më të mirën e tyre dhe të disiplinuar për të frenuar kërcënimin e Lionel Messit në gjysmëfinalen e Kupës së Botës “Katar 2022” ndaj Argjentinës të martës.
Daliq ka thënë se Kroacia nuk do ta markojë Messin, por synon të përsërisë qasjen mbrojtëse që kufizoi ndikimin e Neymarit në suksesin e tyre në çerekfinale kundër Brazilit.
Një fitore 4-2 me penallti të premten pas një barazimi 1-1 në kohë të rregullt dhe në shtesë në Education City Stadium i siguroi Kroacisë një paraqitje të dytë radhazi në gjysmëfinale të Kupës së Botës.
Neymar i dha epërsinë Brazilit në pjesën e parë të kohës shtesë përpara se goditja e devijuar e Bruno Petkoviq ta çonte lojën në penallti.
Përveç golit të tij, ylli i Brazilit u përpoq të depërtonte në mbrojtjen e Kroacisë. Duke zënë një pozicion pak më qendror dhe me Vinicius Jr në të majtë, dy lojtarët arritën vetëm një pasim kyç dhe pesë driblime të përfunduara nga 14 mes tyre, ndërsa Mario Pasaliq, Josip Juranoviq dhe Luka Modriq punuan pa u lodhur për t’i bërë presion.
Jeta nuk do të jetë shumë më e lehtë për Kroacinë në ndeshjen e tyre të radhës pasi përballen me Messin dhe Argjentinën, teksa për këtë takim ka folur Daliq.
“Ne duhet të ruhemi nga Messi, por jo në stilin lojtar për lojtar, pasi nuk e bëmë këtë në takimin tonë të fundit”, ka thënë fillimisht trajneri i Kroacisë.
“Ne e dimë se sa vrapon, sa shumë i pëlqen të luajë me topin në këmbë dhe çelësi i fazës sonë mbrojtëse do të jetë disiplina. Nëse e përsërisim të njëjtën gjë si kundër Brazilit, që është të jemi afër tij, t’i qëndrojmë pranë lojtarit, nuk kemi pse të kemi frikë”.
Daliq ishte i prirur të theksonte se Messi nuk mund të jetë fokusi i tyre i vetëm.
“Do të bëjmë një analizë të detajuar të Argjentinës sepse nuk kemi qenë kaq të fokusuar tek ata deri më tani”.
“Messi është ende lojtari i tyre kryesor, i cili luan shkëlqyeshëm dhe e bartë këtë kombëtare. Ata gjithashtu kanë disa lojtarë të rinj, të talentuar dhe duken shumë të rrezikshëm”.
“Megjithatë, ata treguan se çalojnë në mbrojtje sepse udhëhoqën 2-0 kundër Holandës, dhe në fund mezi arritën penalltitë me 2-2. Varet nga ne që të japim më të mirën tonë dhe të shkojmë në lojë njëqind për qind të përqendruar”, përfundoi Daliq.