Japonia mposht Spanjën me përmbysje dhe kalon tutje
Ka përfunduar ndeshja në mes Japoni – Spanjë.
Japonia triumfoi 2:1 ndaj Spanjës, dhe arriti kualifikimin tutje.
Lojë më të mirë zhvilluan Spanja, duke administruar mirë pjesën e parë.
Përveç paraqitjes së mirë ata arritën edhe të realizojnë.
Ishte Alvaro Morata, njeriu i momentit për spanjollët, që shënoi dhe i dha epërsinë atyre.
Në minutën e 12` pas një harkimi të mirë në zonë, realizoi sulmuesi i Atletico Madridit.
Më pas të përzgjedhurit e Luis Enrique kërkuan edhe golin e dytë, por që nuk e arritën në pjesën e parë.
Në anën tjetër japonezët u munduan të rrezikojnë, por mbrojtja spanjolle ishte në vend.
Pjesa e parë u mbyll 1:0 në favor të spanjollëve.
45 minutat e dytë më mirë nisën për japonezët, pasi arritën shpejtë të përmbysin Spanjën.
Po rridhte minuta e 48` kur Doan shënoi dhe barazoi shifrat, pas një gabimi të Unai Simon.
Por, nuk u ndalën japonezët, duke përmbysur gjithçka.
Në minutën e 51` ishte Tanaka që realizoi dhe i dha epërsinë Japonisë.
Me fitoren në këtë ndeshje kombëtarja japoneze siguron kualifikimin tutje në vendin e parë, kurse Spanja shkon nga vendi i dytë.