Spanja superiore në sfidën e parë të Botërorit, i shkakton debakël Kosta Rikës
Kombëtarja e Spanjës e ka nisur mbarë Kampionatin Botëror të futbollit në Katar duke shënuar fitore të thellë 7:0 kundër Kosta Rikës, në kuadër të Grupit E.
Dani Olmo hapi serinë e golave në minutën e 11-të pas një aksioni mirë të ndërtuar.
10 minuta më vonë Asensio u gjend mirë në zonë duke konkretizuar me gol një harkim të mirë nga krahu i majtë.
Ferran Torres shënoi golin e tretë për “Furinë e Kuqe” në minutën e 31-të. Ky i fundit regjistroi golin e dytë edhe në minutën e 54-të duke e rritur epërsinë e spanjollëve.
Golin e pestë për Spanjën e shënoi futbollisti i ri, Gavi 16 minuta para fundit të kohës së rregullt.
Krejt në fund të takimit, në minutën e 90-të, Soler “detyroi” edhe njëherë tjetër portierin Navas ta nxjerrë topin në porta e tij, kurse për epilogun përfundimtar u përkujdes Morata në minutën e tretë shtesë.
Kjo fitore e Spanjës njëherit ishte edhe më e thella deri më tani në këtë Botëror.
Spanja renditet e para me tri pikë, aq sa ka edhe Japonia. Gjermania dhe Kosta Rika pozicionohen në vendin e tretë, respektivisht të katërtin.