Gazetarja argjentinase vidhet live në Doha derisa raportonte
Përkundër investimeve të mëdha në siguri për të garantuar sigurinë e tifozëve dhe gazetarëve në Kupën e Botës, tashmë ka pasur viktima në Katar. Dominique Metzger, një gazetare argjentinase e cila po mbulonte turneun, së fundmi zbuloi se ajo ishte ‘vjedhur’ ndërsa transmetonte drejtpërdrejt nga Doha.
Ajo e ka bërë publike ngjarjen në rrjetet sociale, duke raportuar se ka qenë viktimë e një grabitjeje teksa po bënte një transmetim të drejtpërdrejtë në zonën e fansave.
Shumë nga sendet e saj personale u vodhën, duke përfshirë portofolin e saj, i cili përmbante shumë dokumente të rëndësishme si identitetin e saj, teksa ka rrëfyer eksperiencën live në TV:
“Sapo më vodhën portofolin kur bënim transmetimin live. Policia më dërgoi këtu për të bërë kallëzim. Dokumentet dhe kartat janë ato që më shqetësojnë më shumë, jo pjesa tjetër. Pra, do të shohim se çfarë do të ndodhë. Përvojat që ju nuk prisni t’i jetoni, ju i jetoni ato”, ka thënë gazetarja Metzger.
Dominique gjithashtu dokumentoi veten duke raportuar incidentin në polici përmes llogarisë së saj në Instagram. Autoritetet i kanë premtuar se do t’ia kthejnë të gjitha sendet e humbura gazetares argjentinase. Po ashtu, policia e pyeti se çfarë donte të ishte akuza në rast se kishin gjetur hajdutin në fjalë.
Përpara Kupës së Botës, siguria u bë një nga pikat kryesore të diskutimit pasi dyshimet u rritën mbi aftësinë e Katarit për të garantuar sigurinë e tifozëve dhe gazetarëve që punojnë, veçanërisht femrave dhe atyre që i përkasin komunitetit LGBT.
Ky incident do të krijojë dyshime të mëtejshme për kompetencën e sigurisë së vendit.