Danimarka dëbon diplomatin rus, dyshime për një komplot të inteligjencës ruse

Danimarka dëbon diplomatin rus, dyshime për një komplot të inteligjencës ruse

Bota November 21, 2026 - 07:54

Danimarka ka urdhëruar dëbimin e diplomatit rus të mbrojtjes dhe ka paralajmëruar kufizime për vizat e shtetasve rusë, pas dyshimeve për një komplot me lidhje me inteligjencën ruse, që synonte vrasjen e reperit ukrainas Kyivstoner.

Ministri danez i Punëve të Jashtme, Lars Løkke Rasmussen, bëri të ditur se diplomati rus duhet të largohet nga vendi brenda shtatë ditëve. Paralelisht, Kopenhaga do të ndalojë lëshimin e vizave jo thelbësore për qytetarët rusë.

Rasmussen paralajmëroi gjithashtu masa të tjera ndaj Moskës, përfshirë ndryshimin e rregullave për pranimin e anijeve të lidhura me Rusinë. Danimarka synon të diskutojë edhe me vendet e tjera të zonës Shengen kufizimet e vizave për shtetasit rusë.

Vendimi vjen në kohën kur autoritetet daneze po hetojnë një komplot të dyshuar për vrasjen e reperit ukrainas Kyivstoner. Sipas hetimeve, dy shtetas danezë dyshohet se janë rekrutuar nga inteligjenca ruse për të kryer atentatin përpara një koncerti të planifikuar më 25 shtator, pranë Kopenhagës.

Dy të dyshuarit u arrestuan pak para zhvillimit të koncertit, i cili më pas u anulua. Të dy ata i mohojnë akuzat. Ndërkohë, autoritetet daneze po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe lidhjet e dyshuara të këtij rasti me Rusinë. /abcnews