Nga Kalifornia në Itali, zbulohen verërat që kryesojnë renditjen e 2026- ës

Nga Kalifornia në Itali, zbulohen verërat që kryesojnë renditjen e 2026- ës

Bota November 15, 2026 - 14:37

Vera më e mirë në botë, sipas “Wine Spectator”, është amerikane, Italia renditet në vendin e dytë dhe të katërt

Revista prestigjioze amerikane “Wine Spectator” ka publikuar dhjetë verërat më të mira në botë për vitin 2026, ku vendin e parë e ka fituar një verë amerikane nga Napa Valley, ndërsa Italia ka siguruar dy pozicione në katër vendet e para.

Në krye të klasifikimit renditet Cabernet Sauvignon Coombsville 2023, i prodhuar nga kantina e Paolo Hobbs në Napa Valley të Kalifornisë.

Shishja e verës fituese kushton rreth 120 dollarë në tregun amerikan, ose afërsisht 110 euro.

Italia ka arritur një rezultat të rëndësishëm, duke zënë vendin e dytë me Barbaresco Rabajà Riserva 2021, të prodhuar nga Produttori del Barbaresco, dhe vendin e katërt me Brunello di Montalcino 2021, nga kantina Caparzo.

Në vendin e tretë është renditur vera australiane Bin 389 2024 e Penfolds, ndërsa pozicionin e pestë e ka zënë Saint-Julien 2023 nga Château Saint-Pierre, në rajonin francez të Bordosë.

Në vendin e gjashtë renditet Cabernet Sauvignon Stags Leap District Fay 2023, nga kantina Stag’s Leap Wine Cellars, ndërsa vendin e shtatë e ka zënë Sagacious Adelaida District 2023 nga Law Estate.

Tetëshja plotësohet nga Pessac-Léognan White 2023 i Château Carbonnieux, në vendin e tetë, Ribera del Duero 2022 i Bodegas y Viñedos Alión, në vendin e nëntë, dhe Pinot Noir Sta. Rita Hills 2024 i Melville, në vendin e dhjetë.

Sipas “Wine Spectator”, përzgjedhja e këtij viti është bërë mes afro 11 mijë verërave të provuara në degustime.

Vlerësimi është bazuar në cilësinë, çmimin, disponueshmërinë në treg dhe origjinalitetin e produkteve.

Revista amerikane thekson se industria e verërave të Napa Valley ka vijuar të evoluojë, duke u orientuar gjithnjë e më shumë drejt prodhimeve në sasi të kufizuara dhe vreshtave individuale, një qasje e frymëzuar nga tradita e Burgonjës.

Ky zhvillim ka ndihmuar në krijimin e një epoke të re për verërat amerikane, pas kritikave të mëparshme për çmimet e larta dhe stilin tepër të ngjashëm të disa prodhimeve. /atsh