Kërcënimet me bomba tronditin Evropën, Macron: Nuk kemi prova për autorët
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë të ditur se deri më tani nuk janë siguruar prova të mjaftueshme që të konfirmojnë përfshirjen e fuqive të huaja në valën e kërcënimeve me bomba që kanë përfshirë disa vende evropiane.
Duke folur për mediat në kuadër të një samiti të liderëve evropianë në Dublin, Macron theksoi se autoritetet ende nuk kanë arritur të identifikojnë përgjegjësit për këto incidente.
Ai nënvizoi se, në këtë moment, nuk mund të thuhet se pas telefonatave kërcënuese qëndrojnë shtete apo aktorë të huaj.
Kreu i shtetit francez paralajmëroi gjithashtu se në ditët e ardhshme do të thërrasë Këshillin e Mbrojtjes dhe Sigurisë, ku do të shqyrtohet situata dhe masat që duhen ndërmarrë. Sipas tij, autoritetet po e ndjekin me vëmendje të shtuar këtë valë alarmesh.
Vetëm gjatë ditës së sotme, Franca regjistroi disa raste të tilla. Një kërcënim për bombë në stacionin hekurudhor të Calais shkaktoi pezullimin dhe ndërprerjen e përkohshme të shërbimeve të trenave, ndërsa një alarm tjetër në një shkollë të mesme në Marsejë detyroi autoritetet të evakuonin godinën.
Pas kontrolleve të kryera nga ekipet e sigurisë, nuk u konstatua asnjë rrezik dhe procesi mësimor në shkollë rifilloi normalisht.
Incidente të ngjashme janë raportuar edhe në Itali, ku disa shkolla u vunë në shënjestër të kërcënimeve për bomba, duke sjellë evakuimin e nxënësve dhe kontrolle të imtësishme. Kryeministrja Giorgia Meloni deklaroi se, deri në atë moment, verifikimet nuk kishin evidentuar ndonjë kërcënim real.
Ndërkohë, në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, qindra institucione arsimore kanë marrë mesazhe apo telefonata kërcënuese, duke shtuar dyshimet për një fenomen më të gjerë që mund të jetë pjesë e një fushate destabilizuese në Evropë.
Paralelisht me këto zhvillime, më 7 nëntor, prokurorët francezë hapën një hetim për alarmet e rreme për bomba të raportuara në avionë që kalonin në hapësirën ajrore të Francës. Hetimi synon të verifikojë edhe mundësinë e përfshirjes së aktorëve të huaj.
Shqetësimeve të sigurisë u janë shtuar edhe një sërë sulmesh kibernetike ndaj sistemeve të ftohjes në supermarkete. Megjithatë, deri më tani, autoritetet nuk kanë konfirmuar ndonjë lidhje mes këtyre sulmeve dhe kërcënimeve me bomba. /abcnews