G7 në krah të Ukrainës, Rubio takohet me ministrin e Jashtëm ukrainas në Paris

G7 në krah të Ukrainës, Rubio takohet me ministrin e Jashtëm ukrainas në Paris

Bota November 10, 2026 - 10:02

Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-s kanë vënë në fokus Ukrainën dhe mbështetjen për mbrojtjen e saj ndaj agresionit rus.** Takimi po zhvillohet të martën në Francë, në një kohë kur në Abu Dhabi kanë nisur bisedimet trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të takohet fillimisht në Paris me ministrin e Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha. Më pas, ky i fundit do t’u bashkohet homologëve të tjerë të G7-s në një takim të përbashkët në Ministrinë e Jashtme franceze.

Në qendër të diskutimeve pritet të jetë mbështetja ushtarake dhe e sigurisë për Ukrainën, në një periudhë kur administrata e presidentit Donald Trump ka reduktuar ndihmën amerikane, duke shtuar shqetësimet në Kiev dhe në kryeqytetet evropiane.

Deri më tani, nuk është bërë e ditur nëse Shtetet e Bashkuara apo ndonjë prej vendeve të tjera të G7-s do të prezantojnë paketa të reja ndihme për Ukrainën.

Paralelisht, në Abu Dhabi, të dërguarit e presidentit Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, do të zhvillojnë takime me përfaqësues rusë dhe ukrainas. Një nga objektivat kryesore të këtyre bisedimeve është bindja e Moskës për të pranuar negociata më të gjera, me përfshirjen edhe të përfaqësuesve të rëndësishëm evropianë, me synimin për t’i dhënë fund luftës.

Vendet evropiane kanë kërkuar vazhdimisht të jenë pjesë e drejtpërdrejtë e negociatave. Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur se përfaqësuesit e Britanisë, Gjermanisë, Francës, NATO-s dhe Bashkimit Evropian nuk do të marrin pjesë në bisedimet kryesore në Abu Dhabi.

Në vend të kësaj, ata pritet të diskutojnë garancitë e mundshme të sigurisë për Ukrainën dhe arkitekturën afatgjatë të sigurisë mes Rusisë dhe Evropës.

Ndërkohë, Moska vazhdon të kundërshtojë përfshirjen e vendeve evropiane, duke këmbëngulur që negociatat të zhvillohen vetëm në formatin trepalësh Rusi - Ukrainë - SHBA.

Takimi i fundit mes përfaqësuesve të këtyre tri vendeve ishte zhvilluar në shkurt. /abcnews