Gjermania dhe Franca, gati për rregulla të reja në industrinë automobilistike

Gjermania dhe Franca, gati për rregulla të reja në industrinë automobilistike

Bota October 16, 2026 - 09:55

Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron kanë rënë dakord për një reformë të gjerë të politikës automobilistike evropiane, transmeton Anadolu.

Me kërkesë të kancelarit Merz, heqja graduale e motorëve me djegie të brendshme, e planifikuar të nisë në vitin 2035, do të lehtësohet edhe më tej krahasuar me propozimin e mëparshëm të Komisionit Evropian.

Sipas gazetës ekonomike Handelsblatt, përveç kësaj, kancelari gjerman siguroi që shtetet anëtare të mos jenë më të detyruara të nxisin elektrifikimin e flotave të mëdha të automjeteve të kompanive përmes kuotave të detyrueshme.

Në këmbim, Macron arriti të sigurojë përfshirjen e kërkesës së tij për rregulla më të rrepta “Made in EU”. Qeveritë do të japin stimuj për blerje dhe do të lidhin kontrata publike vetëm për automjetet e prodhuara në Evropë.

Një pjesë gjithnjë e më e madhe e baterive dhe e komponentëve kryesor të automjeteve duhet gjithashtu të prodhohet në Evropë. Subvencionet qeveritare duhet të orientohen kryesisht drejt prodhimit evropian të automjeteve.

Sipas gazetës, të dyja vendet synojnë të sigurojnë miratimin e rregullave të reja në Këshillin e BE-së. Në këmbim të kërkesave për politikën industriale, Gjermania siguroi lëshime të gjera lidhur me objektivat klimatike.

Lehtësohet më tej heqja graduale e motorëve me djegie të brendshme

Sipas planeve, heqja graduale e motorëve me djegie të brendshme nga viti 2035 do të lehtësohet ndjeshëm.

Ndonëse objektivi për uljen e emetimeve të dioksidit të karbonit me 90 për qind mbetet në fuqi, është hequr kërkesa që 10 për qind e mbetur të kompensohet përmes përdorimit të karburanteve neutrale ndaj klimës ose çelikut me emetime të ulëta të karbonit.

Prodhuesit do të mund të vazhdojnë të shesin automjete me motorë me benzinë ose naftë edhe pas vitit 2035, për sa kohë që emetimet e tyre mbeten brenda kufirit të përcaktuar.

Gjithashtu, automjetet që funksionojnë vetëm me karburante të rinovueshme do të konsiderohen pa emetime, nëse kufizimet teknike pengojnë përdorimin e karburanteve fosile.

Për të shmangur gjobat e mundshme, prodhuesve të automjeteve do t’u jepet më shumë fleksibilitet në përmbushjen e objektivave të tyre. Tejkalimet e kufijve të emetimeve në vitin 2030 do të mundë të kompensohen me ulje në vitin 2031, ndërsa kreditë për emetimet e dioksidit të karbonit do të mundë të grumbullohen që nga viti 2029.

Për automjetet hibride me karikim nga jashtë (plug-in hybrid), llogaritja e emetimeve të gazeve serrë do të jetë gjithashtu më e favorshme sesa ishte parashikuar nga Komisioni Evropian.

Sipas Handelsblatt, automjetet britanike do të konsiderohen evropiane nëse Londra i përshtat masat e saj tregtare mbrojtëse me standardet e BE-së.