Gjyqtarja nga Afrika e Jugut fiton çmimin “Nobel për Paqe”

Gjyqtarja nga Afrika e Jugut fiton çmimin “Nobel për Paqe”

Bota October 09, 2026 - 11:29

Gjyqtarja nga Afrika e Jugut, Navanethem “Navi” Pillay, është fituese e çmimit “Nobel për Paqe” për vitin 2026, ka njoftuar të premten Komiteti Norvegjez i Nobelit.

Pillay, 85 vjeçe, u vlerësua për përpjekjet e saj shumëvjeçare në promovimin e paqes dhe të së drejtës ndërkombëtare, në një kohë kur konfliktet e armatosura dhe sfidat ndaj institucioneve ndërkombëtare të drejtësisë vazhdojnë të jenë shqetësim global.

“Një vijë e përbashkët lidh punën e saj të hershme në mbrojtje të Nelson Mandelës dhe të tjerëve që kundërshtuan aparteidin me shërbimin e saj si gjyqtare në disa prej çështjeve më të rëndësishme gjyqësore ndërkombëtare të kohës sonë”, thuhet në arsyetimin e Komitetit të Nobelit.

Pillay shërbeu si Komisionere e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut nga viti 2008 deri më 2014. Gjatë karrierës së saj, ajo ka mbajtur disa pozita të rëndësishme në drejtësinë ndërkombëtare, përfshirë atë të gjyqtares në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Ruandën, i cili trajtoi krimet e kryera gjatë gjenocidit të vitit 1994.

Ajo ishte gjithashtu pjesë e proceseve që kontribuuan në zhvillimin e jurisprudencës ndërkombëtare për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin.

Njoftimi për ndarjen e çmimit vjen në një periudhë të tensionuar ndërkombëtare, të shoqëruar me konflikte të armatosura dhe debate për rolin e së drejtës ndërkombëtare. Sipas agjencisë Associated Press, kryetari i Komitetit Norvegjez të Nobelit, Jørgen Watne Frydnes, theksoi rëndësinë e zgjidhjes së konflikteve pa përdorimin e forcës dhe dhunës.

Çmimi Nobel për Paqe për vitin 2026 do t’i dorëzohet fitueses në ceremoninë që mbahet më 10 dhjetor në Oslo të Norvegjisë. Çmimi ka vlerën prej 12 milionë kronash suedeze, rreth 1.2 milion dollarë.

Vitin e kaluar, çmimin “Nobel për Paqe” e fitoi aktivistja venezueliane për demokraci, Maria Corina Machado. /Zëri