Rusia kërcënon me armë bërthamore NATO-n
Rusia ka paralajmëruar NATO-n se mund të përdorë edhe armët bërthamore nëse aleanca perëndimore ndërmerr hapa për izolimin e rajonit të Kaliningradit, enklavës ruse në Detin Baltik, raporton Reuters.
Në një notë diplomatike drejtuar NATO-s, Moska e ka akuzuar aleancën për ndjekjen e një “kursi të rrezikshëm dhe të pamatur”, që sipas saj rrit rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë të armatosur, transmeton Zeri.info.
Në dokument, Rusia ka deklaruar se do të jetë e gatshme të përdorë “të gjithë arsenalin” e forcave dhe kapaciteteve që ka në dispozicion, përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj në rast të një përpjekjeje për izolimin e Kaliningradit.
Moska ka përmendur gjithashtu mundësinë e goditjeve ndaj qendrave vendimmarrëse në shtetet anëtare të NATO-s që në fazat e para të një konflikti.
NATO-ja, në përgjigjen e saj të parë të raportuar nga Reuters, ka thënë se është një aleancë mbrojtëse dhe se aktivitetet e saj nuk përbëjnë kërcënim për territorin rus.
“Ne i bëjmë thirrje Federatës Ruse t'i japë fund pushtimit të saj të paprovokuar dhe në shkallë të plotë të Ukrainës”, thuhet në përgjigjen e NATO-s, e cila gjithashtu i ka kërkuar Moskës të shmangë “retorikën e papërgjegjshme bërthamore”.
Paralajmërimi vjen në një periudhë të tensioneve të shtuara në Detin Baltik. Vendet evropiane e akuzojnë Rusinë për përfshirje në një luftë hibride përmes akteve të sabotimit dhe zjarrvënieve, ndërsa Moska i mohon këto akuza.
Sipas analistit bërthamor dhe ish-diplomatit rus Nikolai Sokov, rritja e tensioneve mes Rusisë dhe vendeve evropiane shton rrezikun e llogaritjeve të gabuara që mund të çojnë në përshkallëzim të drejtpërdrejtë. /Zëri