Reshjet e dendura përmbytin Bangkokun

Reshjet e dendura përmbytin Bangkokun

Bota September 26, 2026 - 16:50

Të 50 rrethinat e kryeqytetit të Tajlandës, Bangkok, janë shpallur zona fatkeqësie për shkak të reshjeve të dendura dhe përmbytjeve.

Moti ka shkaktuar vështirësi në qarkullim dhe ka ndikuar në jetën e përditshme, ndërsa Bangkoku lindor është ndër zonat më të prekura, raportoi “Bangkok Post”.

Shpallja u mundëson Administratës Metropolitane të Bangkokut, agjencive të tjera shtetërore dhe administratave lokale të ndërmarrin veprime më të shpejta dhe të koordinuara në zonat e prekura.

Banorët u paralajmëruan përmes një njoftimi në telefonat celularë se nivelet e ujit në kanale, të cilat tashmë kanë arritur pikën kritike, pritet të rriten më tej.

Departamenti Meteorologjik tha se moti i paqëndrueshëm është shkaktuar nga një sistem i fuqishëm me presion të ulët mbi Rrafshnaltën e Poshtme Qendrore, Bangkokun dhe provincat përreth, si dhe nga forcimi i musonit jugperëndimor mbi Detin Andaman, jugun dhe Gjirin e Tajlandës.

Departamenti paralajmëroi të shtunën se reshje të dendura priten në gjithë vendin deri të dielën.

Administrata Metropolitane e Bangkokut tha se përmbytjet mund të tërhiqen brenda gjashtë orësh nëse nuk ka reshje të tjera, ndërsa stacionet e pompimit po funksionojnë me kapacitet të plotë.

Banorët në disa lagje gjithashtu nisën të blejnë me nxitim artikuj bazë, duke krijuar rezerva për shkak të shqetësimeve se përmbytjet mund të përkeqësohen. /atsh