Dy të vrarë në sulmin masiv ukrainas me dronë në Moskë
Të paktën dy persona janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur në një sulm “masiv” me dronë ukrainas gjatë natës në rajonin e Moskës, ka thënë guvernatori Andrei Vorobyev.
Vorobyev tha se janë rrëzuar 249 dronë, ndërsa raportoi zjarre në disa shtëpi banimi. Në flakë është përfshirë edhe një depo lokale. Në Moskë, një rafineri nafte është dëmtuar, ndërsa kufizime të fluturimeve janë vendosur në dy aeroporte.
Ndërkohë, një zyrtar ukrainas tha se tetë persona, përfshirë tre fëmijë, u vranë në sulmet ruse në rajonet e Kievit dhe Sumit të shtunën.
Rusia dhe Ukraina së fundmi kanë intensifikuar sulmet, duke shënjestruar objektet e prodhimit të energjisë dhe të transportit, si dhe qendrat kryesore të logjistikës.
Në një postim në Telegram të dielën, Vorobyev tha se një grua 44-vjeçare u vra në Sofyino, pasi një dron goditi një ndërtesë banimi trekatëshe. Pesë persona të tjerë, përfshirë dy fëmijë, u plagosën, tha ai.
Në distriktin Orekhovo-Zujevo, një burrë i moshuar humbi jetën pasi një shtëpi private u godit, tha guvernatori rajonal.
Në rrjetet sociale janë publikuar video që pretendohet se tregojnë shpërthime në qiellin e natës në rajonin e Moskës, si dhe një depo në flakë. BBC nuk i ka verifikuar këto pamje.
Ndërkohë, kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se një dron goditi një ndërtesë pranë njërit prej bulevardeve të kryeqytetit dhe se një objekt në një rafineri nafte u dëmtua./rtk