Nga zyrtarët e lartë tek “Ujqit e Natës”, kush e përcolli Mlladiqin?
Disa nga zyrtarët më të lartë të Serbisë dhe të entitetit të Bosnjë dhe Hercegovinës, Republika Sërpska, djali i presidentit të Serbisë dhe krerët e Kishës Ortodokse Serbe u mblodhën më 7 shtator në Beograd, ku Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid dhe krime të tjera lufte në Bosnjë dhe Hercegovinë, u varros me nderime shtetërore dhe ushtarake.
Kreu i Kishës Ortodokse Serbe mbajti shërbesën mortore, ndërsa në varrim mori pjesë edhe ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko.

Analiza e pamjeve dhe fotografive të disponueshme publikisht tregon se në mesin e të pranishmëve kishte edhe pjesëtarë të organizatave të shumta të veteranëve dhe të djathta, përfshirë individë të dënuar për krime lufte dhe për përhapje të urrejtjes fetare dhe kombëtare.
Kodi Penal i Serbisë parasheh dënim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim për miratimin publik, mohimin ose minimizimin e ndjeshëm të gjenocidit dhe krimeve të luftës, por kjo dispozitë vlen për krimet e përcaktuara me vendime të gjykatave në Serbi ose të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, ndërsa Mlladiq u dënua nga Tribunali i Hagës.
Pamjet e kolonës së njerëzve që, së bashku me krerë shtetërorë dhe kishtarë, përcollën arkivolin e të dënuarit për krime lufte, nxitën reagime të shumta nga rajoni, Brukseli dhe Uashingtoni.
Ata paralajmëruan se, në këtë mënyrë, fyhen viktimat, minohet pajtimi dhe dëmtohet rruga evropiane e Serbisë.
Ministri i Jashtëm i Bosnje dhe Hercegovinës, Ellmedin Konakoviq, njoftoi se pothuajse i gjithë personeli diplomatik do të tërhiqet nga Ambasada e këtij vendi në Serbi, si përgjigje ndaj veprimeve të zyrtarëve serbë pas vdekjes dhe varrimit të të dënuarit për krime lufte.
Ministrat i bënë nderime të dënuarit për krime lufte
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më herët se nuk do të marrë pjesë në varrim, për shkak të një takimi të paralajmëruar më parë me presidentin e Uzbekistanit.
Djali i tij, Danillo Vuçiq, shkoi në kishë i shoqëruar nga pjesëtarë të sigurimit, disa prej të cilëve mbanin bluza me portretin e Ratko Mlladiqit.

Sipas fotografive të publikuara në media, në varrim morën pjesë edhe djemtë e ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, dhe të të dënuarit nga Tribunali i Hagës, Vojisllav Sheshel.
Në varrim u shfaqën gjashtë ministra, përkatësisht një e pesta e përbërjes aktuale të Qeverisë së Serbisë.
Para dhe brenda kishës, gjatë varrimit të Mlladiqit, u panë ministri i Drejtësisë, Nenad Vujiq, ministri i Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq, ministrja e Punës, Millica Gjurgjeviq Stamenkovski, ministri i Kulturës, Nikolla Sellakoviq, dhe ministri për Investime Publike, Darko Gllishiq.
Në varrim ishte edhe ministri pa portofol, Nenad Popoviq, i njohur për qëndrimet proruse dhe i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për lidhjet politike dhe të biznesit me Moskën.

Aty ishte edhe Aleksandar Vulin, ish-ministër në Qeverinë e Serbisë dhe anëtar i Senatit të entitetit të Bosnje dhe Hercegovinës, Republika Sërpska.
Ai është nën sanksione të SHBA-së për përhapjen e ndikimit malinj rus në Serbi, si dhe për dyshime për përfshirje në krim të organizuar ndërkombëtar, trafikim të narkotikëve dhe keqpërdorim të funksionit publik.
I pranishëm ishte edhe Marko Kriçak, shef i Drejtorisë së Policisë Kriminale, i njohur në publik për polemikat lidhur me përdorimin e forcës së tepruar ndaj protestuesve antiqeveritarë në Serbi.
Në varrim mori pjesë edhe deputeti Millosh Jovanoviq, kryetar i DSS-së së Re, parti e opozitës nacional-konservatore, përkatësisht të djathtë, në Parlamentin e Serbisë.
Drejtoresha e Fondit joqeveritar për të Drejtën Humanitare në Serbi, Jasmina Llazoviq, vlerëson se gjithçka që ndodhi gjatë varrimit, është tregues i qartë se pas tij qëndron shteti, ndonëse mediat proqeveritare promovuan narrativin se përfaqësuesit e lartë të pushtetit ishin të pranishëm si qytetarë dhe se varrimi ishte “popullor”.
“Vuçiqit i duhet kjo, në mënyrë që në sytë e zyrtarëve perëndimorë të mos shihet si dikush që organizoi një varrim shtetëror për një njeri të dënuar për krimet më të tmerrshme në territorin e ish-Jugosllavisë”, thotë Llazoviq për Radion Evropa e Lirë.
Krerët politikë të Republikës Sërpska në varrim
Në varrimin e Mlladiqit morën pjesë edhe krerët politikë të entitetit të Bosnje dhe Hercegovinës, Republika Sërpska.
Mes të tjerëve, në Beograd udhëtuan anëtarja e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, lideri i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur, Millorad Dodik, presidenti i Republikës Sërpska, Sinisha Karan, kryeministri i këtij entiteti, Savo Miniq, dhe kryetari i Banjallukës, Drashko Stanivukoviq.

Nga Mali i Zi, të pranishëm ishin përfaqësues të partive proserbe - Partisë Popullore Demokratike të Millan Knezheviqit dhe Malit të Zi të Lirë të Vlladislav Dajkoviqit.
Kisha Ortodokse Serbe dhe të dënuarit nga Haga
Në varrim, krahas krerëve politikë, u mblodhën edhe përfaqësuesit më të lartë të Kishës Ortodokse Serbe.
Shërbesën mortore e mbajti patriarku Porfirije, së bashku me peshkopë të tjerë.
Gjatë ceremonisë pranë arkivolit, i cili ishte mbuluar me flamujt e Serbisë dhe të Republikës Sërpska, Porfirije tha se emri i të dënuarit nga Tribunali i Hagës “do të mbetet thellë i gdhendur në kujtesën dhe lutjet e pjesës më të madhe të popullit serb dhe ortodoks”.
Një ditë para varrimit, në profilet e grupeve të djathta në Telegram u shpërnda edhe një thirrje për vullnetarë që të ndihmonin klerin në organizimin e ceremonisë, përkatësisht në shpërndarjen e qirinjve për të pranishmit.

“Kisha Ortodokse Serbe, që nga vitet ‘90, ka qëndruar krah për krah me njerëzit që kanë planifikuar dhe kryer krime lufte, kështu që kjo është vetëm vazhdimësi e asaj politike zyrtare”, thotë Llazoviq.
Ajo shton se në këshillin organizativ për varrimin e Mlladiqit ishte Svetozar Andriq, deri vonë anëtar i Këshillit të Qytetit të Beogradit, ndaj të cilit Fondi për të Drejtën Humanitare, në vitin 2018, ngriti kallëzim penal në Prokurorinë për Krime Lufte, për krime lufte në Bosnje dhe Hercegovinë, konkretisht në lidhje me kampin Sushica në Vllasenicë.
Në varrim mori pjesë edhe Vesellin Shlivançanin, i dënuar nga Tribunali i Hagës, i cili vuajti një dënim prej dhjetë vjetësh burgim për krimet në Ovçara, në Kroaci.
Nga “Beretat e Kuqe” tek “Ujqit e Natës”
Rol të rëndësishëm në varrim kishin edhe veteranët e Ushtrisë së Republikës Sërpska, si dhe përfaqësues të organizatave të shumta të veteranëve nga Serbia, të cilët ndërroheshin pranë arkivolit.

Në fotografitë e publikuara shihet se mes tyre kishte veteranë të Njësive të Posaçme të Policisë, pjesëtarë të shoqatës “Heronjtë e Koshares”, si dhe veteranë të “Beretave të Kuqe” - organizatë që mbledh ish-pjesëtarë të njësisë speciale tashmë të shpërbërë të Sigurimit Shtetëror.
Pjesëtarë të saj kanë marrë pjesë në krime lufte dhe janë dënuar për vrasjen e kundërshtarëve politikë.
Sipas një hulumtimi të mëhershëm të Radios Evropa e Lirë, të gjitha këto organizata i financojnë aktivitetet e tyre përmes donacioneve nga autoritetet lokale ose qendrore.
Sipas postimeve në rrjetet sociale, të pranishëm ishin edhe anëtarë të organizatave të djathta “Aksioni Serb” dhe “Patrulla Popullore”, të cilat janë anëtare të Ligës Ndërkombëtare të Sovranizmit - Paladins (ISL Paladins), një rrjet ndërkombëtar i së djathtës ekstreme, i themeluar në Rusi në vitin 2025, me pjesëmarrjen e aktorëve të afërt me Kremlinin. /REL
Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU: