Krimineli i luftës Ratko Mlladiq varroset me nderime në Beograd, Serbia sfidon thirrjet ndërkombëtare

Krimineli i luftës Ratko Mlladiq varroset me nderime në Beograd, Serbia sfidon thirrjet ndërkombëtare

Bota September 07, 2026 - 08:03

Krimineli i luftës, Ratko Mladiqi, ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Srpska, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte, do të varroset sot në varrezat Topçider në Beograd.

Trupi i tij do të qëndrojë në kishën e Shën Lukës në Vidikovc nga ora 07:00 deri në 12:00, kur pritet të nisë ceremonia fetare e varrimit. Disa media në Beograd kanë raportuar se ceremoninë mund ta drejtojë patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Pas ceremonisë në kishë, pritet të formohet një kortezh që do ta përcjellë trupin e Mladiqit drejt varrezave Topçider, ku ai do të varroset pranë vajzës së tij, Anës.

Sipas Svetozar Andriqit, anëtar i ekipit organizativ të varrimit, në varreza trupin do ta shoqërojë një njësi nderi. Më pas është paraparë edhe salutë nderi me të shtëna, si dhe fjalime lamtumire.

Organizatorët kanë njoftuar gjithashtu për ardhjen e organizuar të njerëzve nga Serbia dhe Republika Srpska, ndërsa në rrjetet sociale janë publikuar njoftime për organizimin e transportit nga disa komuna të Republikës Srpska dhe Malit të Zi për personat që duan të marrin pjesë në varrim.

Varrimi i kriminelit, po zhvillohet në një atmosferë të fortë kritikash ndërkombëtare ndaj mënyrës se si në Serbi po trajtohet figura e një personi të dënuar për disa nga krimet më të rënda të kryera në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Mladiqi u shpall fajtor nga gjykatat ndërkombëtare për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, ndërsa në fund u dënua me burgim të përjetshëm.

Megjithatë, në vend të një distancimi të qartë institucional nga trashëgimia e tij kriminale, ceremonia e sotme po shoqërohet me elemente të nderimit publik, përfshirë eskortën e një njësie nderi dhe, sipas organizatorëve, edhe përshëndetjen me të shtëna.

Kjo ka nxitur reagime të ashpra nga zyrtarë evropianë. Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, anuloi vizitën e planifikuar në Beograd më 10 shtator, duke argumentuar se glorifikimi që po shoqëron vdekjen e Mladiqit nuk është në përputhje me vlerat mbi të cilat bazohet rruga evropiane e Serbisë.

Edhe në ceremoninë përkujtimore të mbajtur të shtunën në Beograd morën pjesë zyrtarë të lartë, përfshirë ministrin serb të Drejtësisë, Nenad Vujiq, presidentin e Republikës Srpska, Sinisha Karan, dhe ministrin e Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale të këtij entiteti, Radan Ostojiq.

Në këtë kontekst, mënyra se si po organizohet varrimi i Mladiqit ngre pikëpyetje serioze për përballjen e Serbisë me të kaluarën e saj dhe me vendimet e gjykatave ndërkombëtare.

Mladiqi vdiq më 27 gusht, në moshën 84-vjeçare, në spitalin e burgut në Hagë, ndërsa po vuante dënimin me burgim të përjetshëm.