Kievi kërkon nga Berlini mbështetje të shtuar përballë sulmeve ruse

Kievi kërkon nga Berlini mbështetje të shtuar përballë sulmeve ruse

Bota September 06, 2026 - 14:05

Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë pritet të diskutojnë për ndihmën e mëtejshme ushtarake në një takim të radhës të Grupit të Kontaktit për Ukrainën javën e ardhshme, tha ministri ukrainas i Mbrojtjes, Evgeniy Khmara, pas një telefonate me ministrin gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius.

Khmara nuk bëri të ditur datën e saktë të takimit, i njohur si “formati i Ramsteinit”.

Ai tha se gjatë bisedës e informoi Pistoriusin për intensifikimin e sulmeve ajrore ruse, të kryera me dronë dhe raketa balistike.

Ministri ukrainas theksoi gjithashtu mungesën e raketave mbrojtëse në Ukrainë.

Prej muajsh, Kievi u ka kërkuar aleatëve perëndimorë të përmbushin angazhimet e tyre për furnizimin me sisteme dhe raketa të mbrojtjes ajrore.

Sipas Khmaras, dy ministrat diskutuan edhe për projekte të përbashkëta në industrinë e mbrojtjes.

“Mbrojtja e Ukrainës nga sulmet ruse”, tha ai, “mbetet një përparësi”.

Krahas ndihmës ushtarake, ministri ukrainas nënvizoi rëndësinë e mbështetjes financiare nga partnerët ndërkombëtarë për ruajtjen e stabilitetit të vendit.

Buxheti ukrainas i mbrojtjes përballet me një mungesë fondesh që arrin në miliarda, pasi paratë e parashikuara për gjysmën e dytë të vitit janë përdorur kryesisht për financimin e sulmeve me dronë ndaj objektivave në Rusi.

Të dhënat zyrtare tregojnë tashmë një mungesë fondesh të nevojshme për financimin e ushtrisë ukrainase, duke rritur presionin mbi partnerët perëndimorë për të siguruar mbështetje të mëtejshme.

Grupi i Kontaktit për Ukrainën u mblodh për herë të fundit më 18 qershor në selinë e NATO-s në Bruksel.

Takimi u bashkëkryesua nga Britania e Madhe dhe Gjermania.

Sipas burimeve ukrainase, pas takimit të qershorit, Pistorius njoftoi për dërgimin në Ukrainë të një numri treshifror sistemesh mbrojtëse nga rezervat gjermane, si dhe për prodhimin e përbashkët të sistemeve robotike tokësore.

Me mbështetjen e vendeve perëndimore, Ukraina vijon përpjekjet për t’i bërë ballë pushtimit në shkallë të plotë të nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022. /atsh