Marta Kos anulon vizitën në Serbi pas glorifikimit të Ratko Mlladiqit
Foto: Laura Hasani

Marta Kos anulon vizitën në Serbi pas glorifikimit të Ratko Mlladiqit

Bota September 04, 2026 - 16:13

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka njoftuar se ka vendosur të mos e realizojë vizitën e planifikuar në Serbi, duke e lidhur vendimin me reagimet dhe glorifikimin e ish-komandantit serb të ushtrisë së Republika Srpskas, Ratko Mlladiq.

Në një postim në rrjetin social X, Kos ka theksuar se Mlladiqi është dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

“Kthimi i mbetjeve të tij në Beograd i kujton Evropës faqet më të errëta të historisë sonë të afërt”, ka shkruar Kos.

Ajo ka kritikuar edhe glorifikimin e Mlladiqit pas vdekjes, duke vlerësuar se një qasje e tillë është në kundërshtim me vlerat mbi të cilat ndërtohet rruga drejt Bashkimit Evropian.

“Glorifikimi që rrethon vdekjen e tij është i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat është ndërtuar rruga drejt BE-së”, ka deklaruar Kos.

Sipas saj, procesi i integrimit evropian kërkon përballje me të kaluarën, pajtim të sinqertë dhe respektim të viktimave të krimeve të luftës.

“Vlerat që qëndrojnë në themel të së ardhmes sonë të përbashkët nuk janë të negociueshme”, ka theksuar ajo. Në këtë kontekst, kam vendosur të mos vazhdoj me vizitën time të planifikuar në Serbi në këtë kohë”, ka shkruar Kos.