Aksident mes veturës së policisë dhe një makine pas ndjekjes, disa të vdekur në Britani
Bota
August 22, 2026 - 15:02
Disa persona kanë humbur jetën në një aksident të rëndë në Britani, ku u përfshinë një automjet i policisë dhe një Volkswagen Passat, pas një ndjekjeje.
Aksidenti ndodhi rreth orës 03:39 në autostradën A66, në South Bank pranë Middlesbrough, në Teesside.
Shërbimi i Ambulancës së Verilindjes së Anglisë tha se në vendngjarje u dërguan 14 ekipe ambulancash, ndërsa disa pacientë humbën jetën në vend, shkruan BBC.
Policia e Cleveland konfirmoi se aksidenti shkaktoi disa viktima, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin e tyre dhe njoftimin e familjeve.
Rasti po hetohet nga Zyra e Pavarur për Sjelljen e Policisë, pasi sipas të dhënave fillestare, policia kishte identifikuar një automjet të dyshimtë dhe kishte nisur ndjekjen.