Ishte fejuar një ditë më parë, 29-vjeçarja vritet nga ariu në kamping

Ishte fejuar një ditë më parë, 29-vjeçarja vritet nga ariu në kamping

Bota August 22, 2026 - 11:52

Ata kishin planifikuar të kalonin disa ditë romantike në male. Vetëm një ditë më parë, i dashuri i saj i kishte propozuar martesë.

Por në mesnatë, 29-vjeçarja u tërhoq me forcë nga çadra nga një ari dhe u vra. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 01:00 në një kamping pranë liqenit Teletskoje, në Republikën Altai të Rusisë.

 Ariu iu afrua çadrës, e shqeu atë dhe tërhoqi jashtë gruan, pavarësisht britmave të saj.

I fejuari i saj dhe kampistë të tjerë e panë të tmerruar teksa kafsha e tërhoqi 29-vjeçaren përtej lumit Biya. Përpjekjet për ta shpëtuar dështuan.

Sipas dëshmitarëve, personat që ndodheshin në kamping tentuan ta largonin ariun, ndërsa në vendngjarje mbërritën edhe roje të faunës dhe policia, të cilët qëlluan në ajër.

 Megjithatë, kafsha nuk u largua nga gruaja, shkruan Bild.

Më pas, sipas një dëshmitareje, ariu e tërhoqi trupin e saj më tej përtej lumit dhe dyshohet se nisi ta mbulonte me dhe.

Pas sulmit fatal, mediat raportuan se një ditë më vonë pesë arinj u vranë nga gjuetarët.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse mes tyre ishte edhe ariu që sulmoi 29-vjeçaren.

Gruaja, Snezhana K., nga Novosibirski, punonte në Ministrinë ruse të Situatave Emergjente. Ajo kishte shkuar në kamping me të fejuarin e saj për të kaluar disa ditë në male.

Vetëm një ditë pas propozimit për martesë, ëndrra për një të ardhme të përbashkët u kthye në një tragjedi.