Trumpi shtrëngon sanksionet ndaj Iranit: Sa e rëndë do të jetë goditja ekonomike?
Gati gjashtë muaj pasi presidenti amerikan Donald Trump premtoi një fitore të shpejtë ndaj Iranit, konflikti duket se ka hyrë në një ngërç, ndërsa mundësitë për një fitore ushtarake apo një marrëveshje të negociuar po duken gjithnjë e më të largëta.
Për të thyer këtë ngërç, Trump ka paralajmëruar një ofensivë të re ekonomike, të cilën e ka cilësuar si “D-Day ekonomik”. Sipas tij, çdo shtet që vazhdon të bëjë biznes me Iranin do të përballet me pasoja të rënda ekonomike.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka paralajmëruar se SHBA-ja është e gatshme të ndërmarrë masa edhe ndaj vendeve aleate nëse ato vazhdojnë të ndihmojnë Iranin ekonomikisht.
“Jeni ose me ne, ose kundër nesh”, ka deklaruar Bessent, duke paralajmëruar masa ndaj shteteve që transferojnë para, blejnë naftë iraniane apo kryejnë transporte detare me Iranin.
Ndërkohë, nënpresidenti amerikan JD Vance e ka përshkruar këtë fazë si një “fazë të re” të konfliktit, ku presioni ekonomik konsiderohet nga administrata amerikane si mjeti më efektiv për të arritur objektivat e saj, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
“Do të përpiqen të ushtrojnë presion ekonomik ndaj nesh, por ajo që ka qenë e vërtetë gjatë javëve të fundit është se ata kanë ndier shumë më tepër presion sesa ne”, ka thënë Vance.
“Ne do ta vazhdojmë këtë, sepse besojmë se kjo është mënyra më e mirë për të arritur përfundimisht objektivin final”, ka shtuar ai.
Irani është përballur me sanksione të rëndësishme amerikane që nga vitet e para të Republikës Islamike, të themeluar në vitin 1979. Presioni ekonomik u intensifikua gjatë mandatit të parë të Trumpit, pasi administrata e tij tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e njohur si JCPOA.
Në konfliktin aktual, administrata amerikane ka njoftuar gjithashtu “Operation Economic Fury”, një fushatë ekonomike që kombinon sanksionet ndaj rrjedhave financiare të regjimit iranian me një bllokadë detare ndaj porteve të Iranit.
Megjithatë, efektiviteti i strategjisë së re mbetet i paqartë. Irani ka përvojë të gjatë me sanksionet amerikane dhe deri më tani ka treguar aftësi për t’iu përshtatur presionit të madh ekonomik dhe ushtarak.