Serbia kërkon ndihmën e Rusisë për luftimin e zjarreve

Serbia kërkon ndihmën e Rusisë për luftimin e zjarreve

Bota August 20, 2026 - 22:49

Serbia i është drejtuar Rusisë për ndihmë në luftimin e zjarreve në natyrë, pasi sipas autoriteteve serbe nuk ka aeroplanë me kapacitete të mjaftueshme në dispozicion nga Bashkimi Evropian.

Një aeroplan zjarrfikës i Ministrisë së Emergjencave të Rusisë, i tipit IL-76P, ka aterruar të mërkurën në mbrëmje në Nish dhe është angazhuar të enjten në luftimin e një zjarri në zonën e mbrojtur natyrore Deliblatska Pescara, i cili po vazhdon prej javësh.

Serbia nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, por ka qasje në ndihmat emergjente të bllokut përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile.

Megjithatë, zjarret e shumta që kanë përfshirë disa vende të Evropës gjatë kësaj vere kanë vënë nën presion kapacitetet e BE-së.

“Duke marrë parasysh se nuk ka aeroplanë zjarrfikës të këtij kapaciteti në dispozicion brenda BE-së, aeroplani rus që po arrin do t’i fuqizojë ndjeshëm kapacitetet tona në luftimin e zjarreve”, ka deklaruar Luka Causic, drejtor i Departamentit për Situata Emergjente në Ministrinë e Brendshme të Serbisë.

Ndërkohë, një zëdhënës i Komisionit Evropian ka thënë se Serbia deri më tani nuk e ka aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së.

Sipas tij, blloku është i gatshëm ta mobilizojë asistencën në përputhje me nevojat e Serbisë në terren.