Erdogan: Anëtarësimi i Turqisë në BE nuk është më prioritet

Erdogan: Anëtarësimi i Turqisë në BE nuk është më prioritet

Bota August 17, 2026 - 13:34

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian nuk është më një prioritet për Ankaranë.

“Bashkimi Evropian nuk është prioritet për ne”, tha Erdogani në një intervistë për televizionin “Al Jazeera”. Ai tha se Turqia nuk e ka mbyllur derën për anëtarësimin në BE, por theksoi se politika e jashtme e vendit tashmë është e përqendruar edhe në prioritete të tjera.

Gjatë kësaj interviste presidenti turk argumentoi se nëse BE-ja vazhdon ta refuzojë Turqinë, humbësi do të ishte vetë Bashkimi Evropian.

Turqia është kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 1999, ndërsa negociatat për anëtarësim nisën në vitin 2005. Procesi ka mbetur prej vitesh praktikisht i bllokuar, ndërsa Brukseli ka shprehur shqetësime lidhur me demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore në Turqi.

Deklarata e Erdoganit vjen në një kohë kur Ankaraja po synon të forcojë rolin e saj në çështjet e sigurisë evropiane dhe ndërkombëtare. Në samitin e NATO-s në Ankara, në korrik, Erdogani kishte kërkuar që kufizimet në bashkëpunimin e industrisë së mbrojtjes mes vendeve aleate të hiqeshin, duke kundërshtuar veçanërisht përjashtimin e vendeve që nuk janë anëtare të BE-së. /rtk