Valë e re të nxehti përfshin Italinë, pothuajse të gjitha qytetet kryesore në alarm

Valë e re të nxehti përfshin Italinë, pothuajse të gjitha qytetet kryesore në alarm

Bota August 02, 2026 - 12:16

Italia po vendos pothuajse të gjitha qytetet e saj kryesore në alarmin më të lartë “të kuq” për temperatura të larta, ndërsa një valë e re të nxehti ka përfshirë vendin.

Zyrtarët shëndetësorë thonë se 19 qytete, nga veriu në jug – përfshirë Romën, Milanon, Venecian dhe Napolin – janë tashmë në alarm të kuq, ndërsa deri të hënën pritet që pothuajse të gjitha qytetet kryesore të jenë në këtë nivel alarmi.

Temperaturat arritën në mesin e 30 gradëve Celsius në shumë zona të shtunën, dhe autoritetet po paralajmërojnë se rreziku nuk prek vetëm grupet e ndjeshme, si të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe personat me sëmundje kronike, por edhe personat e shëndetshëm dhe aktivë.

Paralajmërimet vijnë në një kohë kur disa vende evropiane po përballen me zjarre shkatërruese, pas një serie valësh të të nxehtit që kanë krijuar kushte të favorshme për përhapjen e flakëve.

Në buletinin më të fundit për valën e të nxehtit, të publikuar të shtunën, Ministria italiane e Shëndetësisë njoftoi se deri të hënën 25 nga 27 qytetet kryesore të vendit do të jenë në alarm të kuq.

Vetëm Reggio Calabria, në skajin jugor të “çizmes” italiane, dhe Messina, përballë saj në Sicili, pritet të mbeten në alarmin e dytë më të lartë, “portokalli”.

Ministria u bën thirrje banorëve të shmangin ekspozimin ndaj vapës dhe rrezeve direkte të diellit gjatë orëve më të nxehta, nga 11:00 deri në 18:00, të qëndrojnë në ambiente të mbyllura dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje.

Vapa ekstreme po shkaktohet nga një anticiklon subtropikal që vjen nga Afrika e Veriut, i cili po forcohet mbi Mesdhe.

Ndërkohë, zjarrfikësit në Greqi, Francë, Portugali dhe Spanjë vazhdojnë të luftojnë zjarre që kanë përfshirë mijëra hektarë tokë.

Në Francë, rreth 2.500 persona u evakuuan të premten mbrëma në rajonin juglindor Var, pasi një zjarr që ishte vënë nën kontroll prej disa ditësh u riaktivizua.

Megjithatë, një zjarr i madh në rajonin jugperëndimor Gironde është tashmë nën kontroll, dhe rreth 200 mijë banorë të evakuuar kanë mundur të kthehen në shtëpitë e tyre.

Në Greqi, qindra persona – kryesisht turistë – janë evakuuar me anije nga një qytet bregdetar në Viotia, i rrethuar nga një prej shumë zjarreve që po përfshijnë vendin.

Ndërsa në Spanjë, më shumë se 200 mijë hektarë tokë janë djegur gjatë vitit 2026, rreth pesë herë më shumë se mesatarja për këtë periudhë të vitit. Edhe në Portugali, sipërfaqja e djegur është më e lartë se zakonisht, sipas të dhënave të Bashkimit Evropian.

Sipas Shërbimit Evropian për Ndryshimet Klimatike Copernicus, ndryshimet klimatike po rrisin temperaturat në mbarë botën, dhe Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt, me një ritëm dy herë më të lartë se mesatarja globale.