Ishte ministrja e parë e Zvicrës me origjinë hebraike, Ruth Dreifuss kritikon ashpër krimet e luftës të Izraelit në Gazë

Ishte ministrja e parë e Zvicrës me origjinë hebraike, Ruth Dreifuss kritikon ashpër krimet e luftës të Izraelit në Gazë

Bota July 30, 2026 - 09:28

Më 1999 Ruth Dreifuss ishte presidentja e parë e një vendi që vizitoi refugjatët e Kosovës në Maqedoni: solli ndihma me avion dhe në kthim mori refugjatë. Tani ajo është 86-vjeçare, por shumë aktive në mbrojtjen e vlerave humanitare të Zvicrës. Këtë ajo e bën edhe nëpërmjet mospajtimit me politikat brutale të qeverisë së Izraelit kundër palestinezëve.

Ish-ministrja e parë me origjinë hebraike në Qeverinë e Zvicrës, Ruth Dreifuss, i është rikthyer aktivizmit publik me një thirrje drejtuar qeverisë zvicerane: të ushtrojë presion të drejtpërdrejtë politik, ushtarak dhe ekonomik ndaj Izraelit për të ndalur katastrofën humanitare në Gaza.

Në një bisedë me gazetën zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” mbi zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe rolin e diplomacisë zvicerane, 86-vjeçarja socialdemokrate nuk kursen kritikat ndaj udhëheqjes izraelite, por as ndaj plogështisë së Qeverisë së Zvicrës.

Megjithëse dënon ashpër sulmin e 7 tetorit 2023 nga Hamasi - të cilin e cilëson si një krim të tmerrshëm që traumatizoi shoqërinë izraelite - Dreifuss thekson se reagimi ushtarak i Tel Avivit i ka kaluar të gjithë kufijtë. “Shkatërrimi i Rripit të Gazës është joproporcional. Izraeli po shkel të drejtën e luftës dhe të drejtat e njeriut. Bombardimi i spitaleve, përdorimi i urisë si armë dhe pengimi i ndihmave humanitare përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, deklaroi ish-ministrja.

Ajo dënon po ashtu sulmet e kolonëve izraelitë ndaj popullsisë palestineze në Bregun Perëndimor, duke shprehur keqardhje se si ideja e mbrojtjes është kthyer në një pushtim që po e bën Izraelin edhe më të pasigurt. “Hakmarrja është fëmija i paligjshëm i pikëllimit”, shprehet ajo, duke kujtuar se kërkesat e saj më të larta ndaj Izraelit burojnë nga biografia e saj dhe shpresat që dikur lidheshin me këtë shtet si demokraci.

Lidhur me debatin nëse veprimet e Izraelit përbëjnë “gjenocid” - një nocion që përdoret nga partia e saj socialdemokrate - Dreifuss tregon kujdes juridik: “Gjenocidi kërkon provimin e qëllimit për shfarosje. Unë ia lë gjykimin gjykatave, por kjo nuk e zbut faktin se në Gazë po kryhen krime të rënda lufte”.

Ish-anëtarja e ekzekutivit zviceran prek edhe temën e ndjeshme të rritjes së antisemitizmit në Evropë. Ndonëse e dënon ashpër këtë dukuri, ajo argumenton se vetë qeveria izraelite ka dhënë brumë për këtë valë përmes ligjit që e vetëdefinon Izraelin si “shtet hebre”. Sipas saj, ky barazim artificial mes çdo hebreu në botë dhe veprimeve ushtarake të izraelit krijon një “justifikim të ri e të rrezikshëm” për reagime antisemite.

E pyetur për rolin e Zvicrës, Dreifuss është kritike ndaj qasjes aktuale të Qeverisë në Bernë. Ajo kërkon që Zvicra të shfrytëzojë marrëdhëniet e saj tradicionale për të kërkuar llogari nga Izraeli, përfshirë masat si bojkotimi i bashkëpunimit ushtarak apo ndalimi i importimit të produkteve nga territoret e pushtuara palestineze.

Dreifuss hedh poshtë idenë se neutraliteti zviceran kërkon heshtje: “Kur bëhet fjalë për të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të drejtat e njeriut, nuk ka neutralitet”.

Ajo i përgjigjet ashpër edhe diplomacisë së ministrit të Jashtëm Ignazio Cassis, i cili e ka cilësuar “aftësinë për improvizim” si parim zviceran. “Kjo është një fjalë e keqe”, thotë Dreifuss. “Improvizimi nuk është strategji dhe nuk shpërblehet në aspektin afatgjatë. Zvicra si shtet i vogël ka interesin më të madh që e drejta ndërkombëtare të respektohet - dhe duhet t'i përmbahet vetë asaj pa u izoluar”.

Në biografinë e saj politike Ruth Dreifuss ka edhe një kapitull interesant që lidhet me Kosovën. Më 8 prill 1999 Dreifuss - atëbotë ishte presidente zvicerane dhe njëkohësisht ministre - aterroi në Shkup me një avion transportues dhe u solli ndihma refugjatëve të Kosovës në kampin Stankovec, ku po mbijetonin pasi kishin shpëtuar nga fushata e terrorit e pushtetit serb.

Ruth Dreifuss, sindikaliste shumëvjeçare, socialdemokrate dhe aktiviste për të drejtat e grave, ishte presidentja e parë e një shteti evropian që vizitoi refugjatët e Kosovës në Maqedoni. Pasi u shkarkuan ndihmat, Dreifuss mendoi se do të ishte dëm që avioni të kthehet i zbrazët në Zvicër. Aty për aty vendosi të marrë me vete edhe 20 refugjatë, mes tyre edhe familjen e Naile Demës, atëbotë vajzë 15-vjeçare, sot gazetare e njohur në Kosovë. Në Zvicër kishte politikanë të djathtë që protestuan.

Sivjet, 27 vjet më vonë, Ruth Dreifuss dhe Naile Dema u takuan në Bern. Që ky ishte një takim shumë emocional, është e tepërt të thuhet, vetëkuptohet.

Si ndodhi ky takim?

Vitin e kaluar gazeta e majtë “Wochenzeitung”, e cila botohet në Zürich, publikoi një portret të gjatë të Ruth Dreifuss. Gjatë hulumtimit gazetarët hasën edhe në një fotografi ku shiheshin Ruth Dreifuss dhe Naile Dema në prill të vitit 1999. Pas shumë përpjekjeve, gazetarët arritën ta identifikonin vajzën që shihej në fotografi: ishte Naile Dema.

Gjashtë muaj pasi doli artikulli në “Wochenzeitung”, u organizua një takim në Bern mes ish-ministres Ruth Dreifuss dhe gazetares Naile Dema. Mbi këtë takim gazeta shkruan: “Ruth Dreifuss gjatë darkës interesohet veçanërisht të mësojë se çfarë është bërë me adoleshenten e dikurshme - dhe si traumat e luftës vazhdojnë të ndikojnë edhe sot në shoqërinë kosovare.

Ky takim i tregon asaj se sa të pabazuara ka qenë dikur frika e partive të djathta (zvicerane) se të gjithë refugjatët do të mbeteshin përgjithmonë në Zvicër. Shumë prej tyre u kthyen pas luftës për të rindërtuar vendin e tyre. Në atë kohë, Dreifuss jo vetëm që solli njëzet persona në Zvicër, por arriti që qeveria të lejojë strehimin humanitar për refugjatët nga Kosova. ‘Edhe sot do të ishte e nevojshme një politikë më e guximshme për njerëzit në zonat e luftës, si për shembull në Gaza’, thotë ajo”.

Parimore më 1999, e tillë edhe më 2026, ndonëse kohërat kanë ndryshuar. Kjo është Ruth Dreifuss. Përndryshe më 1998/99 Zvicra pati pranuar rreth 50 mijë refugjatë nga Kosova. Pas luftës shumica e tyre u kthyen vullnetarisht në Kosovë. /Telegrafi