Ukraina krijon komandë të re për sulme me rreze të gjatë ndaj Rusisë

Ukraina krijon komandë të re për sulme me rreze të gjatë ndaj Rusisë

Bota July 11, 2026 - 13:46

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky njoftoi se ka nënshkruar krijimin e një komande të re ushtarake, për sulme me rreze të gjatë, me qëllim dobësimin e kapaciteteve të Rusisë për të vazhduar luftën.

Sipas Zelensky, struktura e re do të përqendrojë të gjitha burimet e disponueshme, për të goditur objektiva strategjikë në territorin rus, veçanërisht infrastrukturën energjetike dhe logjistike.

Prej disa muajsh, Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë ndaj rafinerive të naftës, depove të karburantit dhe objekteve të tjera energjetike në Rusi.Vetëm dje, ushtria ukrainase tha se kishte goditur rafineritë e naftës “Ilsky”, në rajonin e Krasnodarit dhe Ust-Luga në rajonin e Leningradit, si edhe një terminal dhe një depo nafte në rajonin e Rostovit.

Sipas “Reuters”, sulmet kanë ndikuar në sektorin energjetik rus.

Rusia ka ndaluar eksportet e naftës për të garantuar furnizimin e brendshëm, ndërsa prodhimi i benzinës ka rënë në rreth 65% të kapacitetit, për shkak të dëmtimeve në rafineri.

Komandanti i forcave ukrainase të dronëve, Robert Brovdi, tha se Ukraina goditi gjithashtu 10 anije cisternë me karburant në Detin Azov, duke pretenduar se flota ruse e anijeve që transportojnë naftë po zvogëlohet.

Burime të industrisë së eksporteve të grurit, thanë se Rusia ka pezulluar përkohësisht lundrimin në kanalin, që lidh lumin Don me Detin Azov, një zhvillim që mund të ndikojë në eksportet ruse të grurit.

Zelensky deklaroi se presioni ndaj ekonomisë ruse duhet ta detyrojë Moskën të ndalojë luftën, megjithëse presidenti rus Vladimir Putin vazhdon të refuzojë thirrjet për negociata paqeje.