Evropa nën kërcënimin e zjarreve masive pas valëve ekstreme të të nxehtit

Evropa nën kërcënimin e zjarreve masive pas valëve ekstreme të të nxehtit

Bota July 10, 2026 - 18:55

Valët e fundit të temperaturave ekstreme kanë tharë sipërfaqe të mëdha në Evropë, duke rritur ndjeshëm rrezikun për zjarre masive në disa vende të kontinentit, shkruan BBC.

Temperaturat rekord, mungesa e reshjeve dhe thatësira e zgjatur, kanë krijuar kushte ideale për përhapjen e shpejtë të flakëve, duke vënë në alarm autoritetet dhe shërbimet e emergjencës.

Në Spanjë, një zjarr i fuqishëm pranë Los Gallardos, në provincën e Almerías, ka shkaktuar 12 viktima, ndërsa 23 persona rezultojnë ende të zhdukur.

Qindra banorë janë evakuuar, ndërsa qindra zjarrfikës dhe ekipe të emergjencës, po përpiqen të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit.

Trupat e viktimave u gjetën pranë fshatit të vogël Bédar, një zonë me një numër të lartë banorësh britanikë.

Sipas të dhënave zyrtare, nga rreth 1 000 banorë të fshatit, afro gjysma janë shtetas britanikë, duke ngritur shqetësime se disa prej personave të zhdukur, mund të jenë britanikë.

Kryebashkiaku i qytetit fqinj Antas, deklaroi se zjarri është “pak a shumë nën kontroll”, por paralajmëroi se situata mund të përkeqësohet nëse erërat forcohen sërish.

Agjencia Meteorologjike e Spanjës ka paralajmëruar se rreziku nga zjarret mbetet “shumë i lartë ose ekstrem” në pjesën më të madhe të vendit, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal.

Temperaturat e larta, që në disa zona kanë arritur rreth 42 gradë Celsius, kanë shkaktuar një seri zjarresh edhe në vende të tjera të Evropës Jugore.

Në Francën jugore, mijëra persona janë detyruar të evakuohen për shkak të një zjarri të madh, ndërsa në Spanjën veriore më shumë se 2 200 hektarë të rezervatit natyror Les Gavarres janë shkatërruar nga flakët.

Sipas shërbimit klimatik evropian “Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike i Kopernikut”, Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, me një ritëm rreth dy herë më të lartë se mesatarja globale.

Rritja e temperaturave po sjell valë më të shpeshta të të nxehtit, thatësira më të gjata dhe zjarre pyjore më intensive. /atsh