Rusia e godet Kievin me sulme vdekjeprurëse - raketa dhe dronë
Të paktën 13 njerëz janë vrarë dhe 50 të tjerë janë plagosur, duke përfshirë fëmijë, si pasojë e sulmeve me raketa dhe dronë rusë gjatë natës ndaj kryeqytetit të Ukrainës, Kievit, njoftuan autoritetet e qytetit të enjten.
"Pati disa goditje të drejtpërdrejta shkatërruese ndaj ndërtesave të banimit", tha të enjten kreu i administratës ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko, duke shtuar se ekipet e shpëtimit po nxjerrin nga rrënojat të mbijetuar dhe trupa të viktimave.
"Nëntë viktima janë konfirmuar deri tani, ndërsa raportimet për disa viktima të tjera të mundshme ende po verifikohen, ndërkohë që operacionet e shpëtimit vazhdojnë", shtoi ai.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, shkroi mëngjesin e së enjtes se qyteti ishte nën sulm me raketa balistike dhe dronë, ndërsa shpërthime dëgjoheshin në gjithë qytetin.
Ai u bëri thirrje banorëve të qëndronin në strehimore.
Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, në disa lagje të qytetit u raportuan zjarre dhe dëme të mëdha në infrastrukturën civile dhe ndërtesat e banimit.
"Në zonat e prekura janë angazhuar 570 shpëtimtarë dhe mbi 125 mjete të specializuara të shpëtimit", thuhet në një njoftim të shërbimit në Telegram.
Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë, Maryan Kushnir, raportoi nga vendngjarja, duke treguar pasojat e sulmit të kryer gjatë natës ndaj një ndërtese banimi në lagjen Shuliavka të Kievit.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, i ka dënuar ashpër sulmet ruse, duke i cilësuar ato si "krime të rënda lufte" dhe u ka bërë thirrje partnerëve dhe organizatave ndërkombëtare për "përgjigje të fuqishme".
"Krimineli i luftës, Putin, është në gjendje të zhvillojë vetëm luftë të ulët dhe terroriste kundër civilëve, grave dhe fëmijëve", shkroi Sybiha në një postim në X.
Në mbrëmje para sulmit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi për "një tjetër sulm masiv rus", duke iu referuar informacioneve të inteligjencës.
Ai tha se po kthehej "menjëherë" në Ukrainë nga Irlanda, ku ndodhej për një vizitë zyrtare.
Në rajonin e Kievit, të paktën tre njerëz u plagosën nga një tjetër sulm rus me dronë dhe raketa, njoftuan autoritetet rajonale të enjten.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha në një deklaratë të enjten se kreu sulm në shkallë të gjerë, duke përdorur armë precize me rreze të gjatë veprimi dhe dronë, në përgjigje të sulmeve të supozuara ukrainase ndaj infrastrukturës civile në Rusi, duke shënjestruar objektet e industrisë ushtarake, infrastrukturën energjetike në Kiev dhe rajonin e Kievit, si dhe infrastrukturën e aeroporteve ushtarake në disa rajone ukrainase.
Ajo theksoi gjithashtu se forcat e mbrojtjes ajrore kanë kapur dhe rrëzuar 327 dronë ukrainas mbi territorin e Rusisë, përfshirë edhe mbi rajonet e Moskës dhe Leningradit.
Ukraina mohon vazhdimisht se synon civilë apo infrastrukturë civile në Rusi, duke thënë se operacionet e saj ushtarake drejtohen vetëm kundër objektivave legjitime ushtarake, rrjeteve logjistike dhe infrastrukturës energjetike që furnizon makinerinë ushtarake ruse. /REL