Jep dorëheqje kryeministri britanik, Keir Starmer
Foto: Reuters

Jep dorëheqje kryeministri britanik, Keir Starmer

Bota June 22, 2026 - 10:44

Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se do të japë dorëheqje nga pozita e kryeministrit dhe nga ajo e udhëheqësit të Partisë Laburiste.

Ai u zotua se do të bëjë gjithçka që është në dorën e tij, për të garantuar një transferim të rregullt të pushtetit.

Duke folur para Zyrë së Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar në Londër, e njohur si Downing Street, ai tha se marrja e detyrës, dy vjet më parë, ishte "momenti më krenar" i jetës së tij.

Ai tha se u fut në politikë për të pasur mundësinë që të përmirësojë jetën e miliona njerëzve, dhe shtoi se çdo vendim i tij ka pasur për qëllim të vendosë në plan të parë "vendin që e do".

Starmeri mori pushtetin pas zgjedhjeve të përgjithshme më 4 korrik 2024, kur Laburistët fituan bindshëm dhe i dhanë fund 14 vjetëve të qeverisjes konservatore.

Ai tha se procesi për zgjedhjen e pasardhësit do të fillojë më 9 korrik, ndërsa rivali i tij, Andy Burnham, shihet si kandidati kryesor.

"Pyetja që partia ime po më bën tani, është nëse unë jam personi më i përshtatshëm për të na udhëhequr në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Unë e kam dëgjuar përgjigjen e grupit tim parlamentar për këtë pyetje dhe e pranoj atë me mirësi", tha Starmeri.

Largimi i tij e çon Britaninë drejt liderit të saj të shtatë në dhjetë vjetët e fundit. /Rel