Alarm në Kongo, afro 1,000 të infektuar dhe 245 viktima nga shpërthimi i ri i Ebola-s

Alarm në Kongo, afro 1,000 të infektuar dhe 245 viktima nga shpërthimi i ri i Ebola-s

Bota June 20, 2026 - 11:49

Situata epidemiologjike në Republikën Demokratike të Kongos është përkeqësuar ndjeshëm, pasi autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar 993 raste të reja të infektimit me virusin Ebola, si dhe 245 viktima.

Ministri i Shëndetësisë, Samuel Roger Kamba, deklaroi se rastet e konfirmuara laboratorikisht janë rritur, ndërsa 80 pacientë janë shëruar dhe janë larguar nga qendrat e trajtimit. Ai foli nga provinca Ituri, ku u identifikuan edhe rastet e para të shpërthimit.

Sipas mediave ndërkombëtare, shpërthimi aktual i shpallur më 15 maj dyshohet se është shkaktuar nga një variant i rrallë i virusit, për të cilin aktualisht nuk ekziston as trajtim specifik dhe as vaksinë. Ndryshe nga lloji Zaire, për të cilin ekziston vaksinë, ky variant mbetet më i vështirë për t’u kontrolluar, shkruan A2CNN. 

Ky është shpërthimi i 17-të i Ebola-s në vendin e Afrikës Qendrore, ndërsa autoritetet vlerësojnë se virusi mund të ketë qarkulluar për një periudhë të gjatë përpara se të shpallej zyrtarisht.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Ebola ka shkaktuar rreth 15,000 viktima në Afrikë gjatë pesë dekadave të fundit, me një shkallë vdekshmërie që varion nga 25% deri në 90%.