Trumpi pretendon se SHBA-ja i dha fund luftës me Iranin, Teherani nuk konfirmon marrëveshje
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se SHBA-ja i ka dhënë fund luftës me Iranin, pasi më herët kishte pretenduar se palët kishin arritur një “memorandum mirëkuptimi shumë të fortë” për ndalimin e luftimeve.
“Nuk e di nëse e keni dëgjuar, por ne i dhamë fund luftës me Iranin sot”, tha Trump gjatë një tubimi virtual në mbështetje të zëvendësguvernatorit të Xhorxhias, Burt Jones, i cili po kandidon për postin e guvernatorit.
“Ata janë pajtuar që të mos kenë kurrë armë bërthamore, diçka mbi të cilën ne këmbëngulëm. Ky ishte i gjithë qëllimi. Kjo përbënte 95 për qind të çështjes”, shtoi ai.
Deklarata e Trumpit erdhi pasi ai anuloi sulme të tjera ndaj Iranit më herët gjatë ditës dhe la të kuptohej në rrjetin social Truth Social se ishte arritur një marrëveshje, pa dhënë detaje mbi kushtet e saj, shkruan CNN.
Megjithatë, Irani ende nuk ka konfirmuar se është arritur ndonjë marrëveshje. Në postimin e tij, Trumpi theksoi gjithashtu se bllokada amerikane ndaj anijeve që hyjnë ose dalin nga portet iraniane do të vazhdojë derisa “ky transaksion të finalizohet”. /Zëri