Portugalia thyen rekordin e temperaturave ndërsa Evropa përvëlohet nga vala e të nxehtit

Portugalia thyen rekordin e temperaturave ndërsa Evropa përvëlohet nga vala e të nxehtit

Bota May 30, 2026 - 15:58

Portugalia ka regjistruar temperaturën më të lartë, të matur ndonjëherë në muajin maj, në historinë e saj meteorologjike, me 40,3°C në qytetin qendror, Mora, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 40°C të vitit 2001, raportoi BBC.

Vendet e Evropës Perëndimore po përballen me temperatura ekstreme, ndërsa Franca, Italia, Spanja, Gjermania dhe Zvicra kanë raportuar kushte “përvëluese”.

Në Itali, autoritetet kanë shpallur alarm të kuq në disa qytete, përfshirë në Romë, ku temperaturat kanë arritur deri në 32–35°C.

Në Francë, qeveria ka zhvilluar një mbledhje emergjente për përgjigjen ndaj valëve të të nxehtit, zjarreve në pyje dhe furnizimit me ujë.

Disa shkolla janë detyruar të mbyllen për shkak të temperaturave të larta, ndërsa në rajonin Landes, u raportuan temperatura deri në 53°C brenda ambienteve shkollore.

Sindikatat e arsimit kanë kritikuar mënyrën e menaxhimit të situatës gjatë provimeve kombëtare.

Në Paris, temperaturat kanë arritur deri në 33°C, ndërsa në Romë dhe qytete të tjera italiane janë vendosur masa emergjente shëndetësore për popullsinë.

Meteorologët paralajmërojnë se vala e të nxehtit do të vazhdojë gjatë fundjavës, me temperatura që pritet të mbeten të larta, në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore.

Sipas shërbimeve klimatike evropiane, kontinenti po ngrohet me rreth 0,56°C për dekadë, ndërsa OKB-ja paralajmëron se vitet e ardhshme mund të jenë ndër më të nxehtat e regjistruara ndonjëherë. /atsh