Mjekët në Sri Lanka heqin gurin 3.1 kilogramësh nga fshikëza e një 55-vjeçari
Një ekip mjekësh në Sri Lanka ka hequr një gur gjigant prej 3.1 kilogramësh nga fshikëza urinare e një 55-vjeçari, i cili besohet të jetë më i madhi i këtij lloji i dokumentuar dhe hequr ndonjëherë përmes ndërhyrjes kirurgjikale.
Operacioni u krye javën e kaluar në një spital në Trincomalee, në pjesën lindore të Sri Lankës, shkruan BBC, transmeton Zeri.info.
55-vjeçari ishte shtruar në spital, pasi kishte pësuar një goditje në tru. Gjatë trajtimit, mjekët vunë re se pacienti kishte vështirësi në urinim dhe pas ekzaminimeve zbuluan gurë në fshikëzën e tij urinare.

Gjatë ndërhyrjes kirurgjikale, mjekët arritën të nxjerrin gurin gjigant, i cili peshonte 3.1 kilogramë dhe kishte përmasa rreth 18.7 centimetra në gjatësi. Për nga madhësia, ai ishte afërsisht sa një vezë struci dhe peshonte sa një foshnjë në fund të shtatzënisë.
“Sipas të dhënave në dispozicion, ky është guri më i madh i fshikëzës urinare i dokumentuar ndonjëherë dhe i hequr përmes ndërhyrjes kirurgjikale”, tha për BBC Sinhala, dr. Pragalathan Balakrishnan, i cili udhëhoqi ekipin që kreu operacionin.
Mjeku tha se pacienti është në “gjendje shumë të mirë shëndetësore”, ndërsa vazhdon të qëndrojë në spital për trajtimin e problemeve të tjera shëndetësore.
Sipas dr. Balakrishnan, guri mund të ketë qëndruar në fshikëzën e pacientit për pesë deri në 10 vjet. /Zëri